Krishtlindja: vepër e mëshirës hyjnore

Dec 22 • Këndvështrime

Nga Don Anton Ukaj

Shumë herë kemi dëgjuar: në familje, në katekizëm, në predikime të meshtarëve e ndoshta edhe kemi lexuar në revista apo libra të ndryshëm se me lindjen e Krishtit botës iu është kthyer harmonia, gëzimi, paqja, dashuria, shpresa dhe jeta. Por, nëse ndalemi dhe e shqyrtojmë zemrën tonë, do të zbulojmë se brenda saj ka shumë inat, xhelozi, mllef, pakënaqësi, ndarje, përçarje… e sigurisht do të bënim pyetje:  ku është gëzimi i Krishtlindjes? Po të kalonim nga shqyrtimi i zemrës te vlerësimi i familjes gjithashtu do të takonim mërzi, monotoni, egoizëm, indiferentizëm, hakmarrje, interes, vetmi… po ashtu do të pyetnim: ku është harmonia që solli Foshnja hyjnore? Kalimi nga familja dhe ballafaqimi me shoqërinë dhe realitetin e botës që na rrethon do të shndërrohej në një vlerësim gjithnjë e më të hidhur e pesimist, sepse nuk e kemi të vështirë të  individualizojmë materializmin, relativizmin, hedonizmin, korrupsionin, padrejtësinë, varfërinë, krimin, luftën… e gjithashtu do t’i shtronim vetës pyetje:  ku është paqja e Krishtit të mishëruar? Ku është?

Kësaj pyetje e cila mund të burojë, jo vetëm nga zemra e një jo besimtari, mund t’i japim përgjigje të saktë dhe të kënaqshme vetëm nëse mbështetemi në Fjalën e Hyjit dhe nga aty nxjerrim përgjigjen. Shën Gjoni ungjilltar që në rreshtat e parë të Ungjillit i jep përgjigje përfundimtare kësaj pyetje: Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan  dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por – Hyji” (Gjn 1, 9-13).

“Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan”. Këtu gjendet përgjigja, këtu qëndron problemi: mospranimi i Jezusit ndërlidhet ngushtë me refuzimin e të gjitha vlerave që e karakterizojnë dhe e harmonizojnë jetën e njeriut. Kështu që, arsyeja e pranisë së mëkatit në botë dhe të gjitha pasojave që mëkati vazhdon të prodhojë në zemrën dhe jetën e njerëzve, assesi nuk mund ta vë në dyshim se Hyji i mishëruar në personin e Jezu Krishtit ja solli vërtet mbarë njerëzimit dhuratën e paqes, gëzimit, harmonisë dhe dashurisë së vërtetë. Dhe jo vetëm kaq, por, tekstet e shumta biblike, të shkruara nga dëshmitar okular (apostujt), dëshmojnë qartas se vetë Jezusi është Paqja, Ai është Gëzimi, Dashuria, Rruga, e Vërteta dhe Jeta për të gjithë ata që e besojnë dhe e pranojnë për Hyj në jetën e tyre.

Pra, me plotë të drejtë i krishteri beson dhe pohon se Krishtlindja ia solli botës gëzimin, shpresën dhe jetën: vetë personi i Hyjit është bërë i dukshëm në Fëmijën e thjeshtë dhe të varfër të Betlehemit, por i pasur në dashurinë e tij për mbarë njerëzimin. Shën Ireneu rrëfente: “Biri i Hyjit është bërë njeri në mënyrë që njeriu, i bashkuar me Fjalën, të mund të pranojë adoptimin dhe të bëhet bir i Hyjit”.

Prandaj, lajmi kumbues i Krishtlindjes nuk është thjesht vetëm një lajm i mirë i së kaluarës. Kremtimi i Krishtlindjes nuk është vetëm festimi i një ngjarje që ka ndodhur dymijë vite me parë, e aq më pak një paraqitje e shenjtë, që ne sot mund të realizojmë përmes shfaqjeve me tematikë të Krishtlindjes apo përmes rregullimit të ‘Betlehemit’. Jo, nuk është një kujtim i zbrazët, një mallëngjim i së kaluarës, një shpikje poetike, një lojë ndjenjash. Në Kërshndellat e Jezusit lind Njeriu i ri dhe në Të ne takojmë Hyjin. Secili njeri që e pranon bëhet krijesë e re: “Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot! Sot Drita shkëlqen mbi ju. Vërtet u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve”; kështu na porosit liturgjia e Fjalës në kremtimin e Krishtlindjes.

Përballë kësaj dashurie të madhe të Hyjit për botën. Njeriu me plotë të drejtë mahnitet dhe njëkohësisht pyet vetveten: Çka mundë të them përballë kësaj mrekullie të dukshme dhe të prekshme? Më mungojnë fjalët: gjuha dhe goja nuk janë të afta të dëshmojnë këtë ngjarje të madhe hyjnore. Pikërisht për këtë arsye ja vlen t’i bashkëngjitëm korit të engjëjve dhe këngës së tyre: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!”.

I frymëzuar nga ngjarja mahnitëse e Krishtlindjes edhe Shën Augustini brohoriste: “Zgjohu, o njeri, për ty Zoti është bërë njeri!”. Pra, të zgjohem! Jezusi është mishëruar: të gëzohemi! Jezusi ka lindur: ta lavdërojmë! Jezusi ka zbritur nga qielli: t’i shkojmë në takim! Jezusi është mbi tokë: ta pranojmë në zemrën dhe familjen tonë! Ky është besimi ynë, kjo është ngjarja që ne kremtojmë. Për shumë mot Krishtlindja! Paqe dhe bekim për Vitin e Ri 2016!

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »