“Magnificat” – himn mirënjohjeje dhe gëzimi

Dec 22 • Meditimi i ditës

22 dhjetor 2015 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Është gjë e mrekullueshme të jesh së bashku me shokë/shoqe, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të numëruara.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Që ta sodis bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 1, 46-56



46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– “Magnificat – Shpirti im e madhëron Zotin”, siç e quajmë lutjen e Marisë, është bërë himni ynë tradicional i mirënjohjes dhe gëzimit. Është një moment i përmbushjes në ekstazë kur Maria i kujton të gjitha premtimet e bëra në Besëlidhjen e Vjetër. Fillon të vërej dhe të kultivojë rolin e vet në planin e Zotit.

– A mund ta lus edhe unë “Magnificat”’ në shenjë mirënjohjeje për të gjitha bamirësitë e Hyjit në jetën time?

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »