Në politikë si të krishterë: por si?

Dec 22 • Res socialis

Nga Ernesto PREZIOSI

Mësimi i Kishës

Koncili i Dytë i Vatikanit ofron një vizion të qartë e asaj që quhet “ kompetenca politike” e Kishës, si mision i brendshëm i saj. Në kushtetutën baritore Gaudium et spes, 1965, në veçanti ku theksohet “gjithmonë dhe kudo, dhe me liri të vërtetë, është e drejtë e saj të predikojë fenë dhe të mësojë doktrinën e vet shoqërore, të ushtrojë pa pengesa misionin e vet mes njerëzve dhe të japë gjykimin e vet moral, edhe mbi gjëra që i përkasin rendit publik kur kjo kërkohet prej të drejtave themelore të personit dhe prej shpëtimit të shpirtrave” (GS, nr. 76).

  • Një pjesë tjetër e kushtetutës Gaudium et spes lidhet në veçanti me jetën e bashkësisë politike, natyra e saj dhe qëllimi, sipas doktrinës katolike, me nevojë të zbatimit të të mirës së përbashkët që “bashkësia qytetare” pa politikë s’mund ta arrijë. “Pra, bashkësia politike ekziston në funksion të asaj të mire të përbashkët në të cilën ajo gjen domethënie e arsyetim të plotë dhe që përbën bazën zanafillore të së drejtës së saj për të ekzistuar” (nr. 74). Përpos kësaj, për t’i ikur shpërbërjes së kësaj bashkësie për arsye dallimeve në qëndrime, “nevojitet një autoritet (publik) i aftë për të drejtuar energjitë e të gjithë qytetarëve  kah e mira e përbashkët, jo në mënyrë mekanike apo despotike, por para së gjithash  si fuqi morale që mbështetet në liri dhe ndjenjën e përgjegjësisë” (Po aty).
  • Duke dëbuar format e regjimeve politike që “pengojnë lirinë civile  apo fetare” (GS 73),  Koncili  vlerëson në mënyrë pozitive  shumë nga veçoritë e çdo regjimi demokratik: votimi i përgjithshëm. “Prandaj, të gjithë shtetasit duhet të mos e harrojnë të drejtën, që është edhe detyrë, që të përdorin votën e tyre të lirë për nxitjen e të mirës së përbashkët” (GS 75); nevoja për ndërtimin e rendit politik-juridik të aftë për të garantuar dhe mbrojtur në jetën publike “të drejtat e personit” (GS 73/; mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe atyre personale nga ana e të gjithë qytetarëve; e drejta e partive politike, që kanë për detyrë “të nxisin atë që, sipas mendimit të tyre, kërkohet prej të mirës së përbashkët, por nuk është kurrë e lejueshme që ta vënë interesin e tyre para kësaj të mire” (GS 75). Koncili në GS nr. 43 shqyrton temën e pluralizmit duke u mbështetur në përgjegjësinë e laikëve të krishterë “kur ata veprojnë si qytetarë të botës, si në mënyrë individuale ashtu edhe të bashkuar”  (GS 43), mbi dallimin e mendimeve dhe angazhimeve të tyre. “Për më tepër duhet të jetë vetë këndvështrimi i krishterë i realitetit që do t’i orientojë, në disa rrethana, në një  zgjidhje të caktuar. Megjithatë,  besimtarë të  tjerë po aq sinqerisht  do të mund të shprehin  një gjykim të ndryshëm  mbi të njëjtën çështje, siç ndodh mjaft  shpesh dhe në mënyrë të ligjshme” (Po aty). Pohimi i fundit vërteton në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme të drejtën e pluralizmit. Logjikisht, teksti qorton kundër çdo tentimi të sundimit të ndonjë qëndrimi të veçantë në emër të fesë. “Zgjidhjet e propozuara në një anë apo tjetër, edhe jashtë qëllimeve të pjesëve, lehtë mund të lidhen me porosinë ungjillore, në raste të tilla, le të kujtojnë ata që askush s’ka të drejtë që të thirret në opinionin  dhe autoritetin e Kishës  ekskluzivisht në dobi të qëndrimeve të veta” .

Kisha në propozimin e këtij mësimi mbështetet dhe vlerëson figurën e laikut, i cili, sipas mësimit konciliar, ka rrethin e vet karakteristik dhe të veçantë rreth realitetit tokësor dhe historik. Në të cilin është ftuar të jetojë, të formohet dhe realizohet.

Evangeli nuntiandi (EN) pohon që laiku ka për detyrë “ballafaqimin e gjerë dhe të ndërlikuar të politikës, të realitetit shoqëror, të ekonomisë;  si dhe të kulturës, shkencës dhe artit, jetës ndërkombëtare, të mjeteve të komunikimit shoqëror; të realiteteve tjera të hapura ungjillëzimit si dashuria, familja, edukimi i fëmijëve dhe të rinjve, puna profesionale, vuajtja”.

Christi fideles laici /CHL/ thekson  dhe zhvillon atë që thuhet në Lumen gentium: “Karakteri shekullar është përkatësi  dhe veçanti e laikëve”. “Karakteri shekullar i besimtarëve laikë nuk është për t’u definuar vetëm në këndvështrimin sociologjik. Karakteristika shekullare duhet të trajtohet në dritën e veprës krijuese dhe shëlbuese të Zotit, i cili ia ka besuar  botën burrave dhe grave, që ata të marrin pjesë në veprën e krijimit, t’i lironin krijesat nga ndikimi i mëkatit dhe ta shenjtëronin veten në martesë ose në jetën e kushtuar, në familje, në profesione dhe në veprimtari të ndryshme shoqërore”.

Mund ta përmbledhim duke thënë që laiku i krishterë është njeri i Kishës në zemrën e botës dhe njeri i botës në zemrën e Kishës. Magjisteri i Kishës nga ana e tij përcjellë angazhimet e besimtarëve, dhe është mjaft i begatshëm në këtë drejtim, duke u nisur prej dokumenteve të koncilit, pastaj mësimeve të Palit VI, sidomos Octagesima advenientes dhe Evangeli nuntiandi, Gjon Palit II, sidomos Christifideles laici. Papa Benedikti XVI ka shpallur enciklikën e vetme shoqërore “Caritas in veritate” në vitin 2009. Kjo enciklikë është e gjerë në botëkuptim dhe fton në vlerësimin e zhvillimit integral të njeriut, jo vetëm nga ana e angazhimit shoqëror dhe politik,  por edhe në mbrojtje të jetës njerëzore. Papa Françesku e ka shpallur enciklikën parë shoqërore në vitin 2015, Laudato si, mbi kujdesin e shtëpisë së përbashkët,

Në një Kishë misionare, veprimet “profane”, jashtë tempullit, të bijve dhe bijave duhet të çmohet. Këtë e thekson procesi i beatifikimit ndaj personave dhe dëshmitarëve të krishterë të angazhuar në politikë. CHL angazhimi politik trajtohet së bashku me  me shërbimet tjera për shoqëri, për familje, dashuri dhe bamirësi, jetën ekonomike dhe shoqërore, kulturore. Kuptohet se këtu flitet për politikë në kuptim të ngushtë. Pasi që edhe ajo i përket rendit të krijimit, në atë i krishteri , në bazë të frymëzimit që ka, duhet të ketë qëndrime dhe sjellje në përkim me fenë e tij. Duke u nisur nga kjo bindje është e qartë se besimtarët laikë nuk duhet të heqin dorë nga pjesëmarrja në politikë dhe jo rastësisht Kisha ka apeluar për pjesëmarrje aktive në ngjarje politike kohëve të fundit. Prani e të krishterëve në politikë kërkohet edhe për të mirën e përbashkët, edhe si mision ungjillëzuse i Kishës. I krishteri që vepron në politikë në nivele të ndryshme, pra, është në vendin e vet, me kusht që të jetë në mënyrë të drejtë, apo duke iu përgjigjur thirrjes së Zotërisë që ta do të afërmin sipas rrugës mësuese: trajto gjërat e përkohshme duke i nënshtruar ato Zotit.

Në politikë si të krishterë

Parimi bazë i mësimit të Kishës rreth çështjeve shoqërore dhe politike është interesimi i vërtetë dhe i thellë për personin, njeriun duke kërkuar realizimin e të gjithëve në kërkim të drejtësisë. Cilat janë kërkesat bazë për një të krishterë të angazhuar në politikë?

  1. a) Feja e jetuar: disa angazhohen në politikë duke thënë se janë të krishterë, por pa pasur në jetën e tyre në praktikë të fesë së jetuar. Kisha ia beson angazhimin në shoqëri, duke kërkuar përgjegjësi të atyre që kanë një ndërgjegje përkatëse të formuar (GS 43).
  2. b) laiciteti: në politikë angazhohet, thoshte një laik i madh i krishterë, Giuseppe Lazzati, “si të krishterë, jo se jemi të krishterë”: që domethënë vërejtja për laicitetin në politikë, për autonominë e saj. Aty i krishteri takohet me njerëz vullnetmirë, me të cilët mund të bashkëpunojë për realizimin e të mirës së përbashkët.
  3. c) Kompetenca: jemi të ftuar për ballafaqim politik, në përpunimin e programeve dhe zbatimin e objektivave, jo vetëm fenë tonë dhe vlerat tona, por edhe aftësia profesionale lidhur me njohuri të të drejtës, ekonomisë, dinamikave shoqërore dhe të gjitha fushave që ndërlidhen me politikë, arsimi, shëndetësia etj.

Duhet ta rimarrim teologjinë e së vërtetës, domethënë ta forcojmë në  ndërgjegjen e të krishterëve kuptimin e së vërtetës dhe të bëjmë një besëlidhje mes fesë dhe arsyes, duke i ndihmuar besimtarët në dëshmimin e fesë së pjekur dhe të “menduar”.

Që të mund të “bëjmë bamirësi – dashuri” në shenjë të solidaritetit, nevojiten dy kushte: pjesëmarrja dhe shërbimi me falënderim dhe përgjegjësi, sipas shpirtit të Lumturive. Angazhimi i krishterë në dashuri konkretizohet në veprimin e solidaritetit në botë që duhet të ketë drejtimin e “qiellit të ri dhe tokës së re” d.m.th. në ndërtimin e “qytetërimit të Dashurisë”.

Pushteti dhe politika  nuk janë vetvetiu gjëra të ndyta, të pamoralshme dhe të ndaluara. Gjithçka varet prej mënyrës së trajtimit dhe si përdorën. Duhet të kujdesemi shumë që mos të na përfshijë logjika e pushtetit. Për një besimtar edhe jeta politike është një vend teologjik në të cilin thirrja e krishterë mund të zbatohet në përsosmëri deri te shenjtëria: jemi të ftuar të jetojmë në dashuri të kuptuar si shërbim, dhurim, përkushtim; ta jetësojmë urtinë dhe guximin; ta ndjekim drejtësinë, që të jetë gjithnjë e pranishme; të sillemi me besnikëri ndaj ligjeve. Atë Arrupe ka paraqitur një parafytyrim sugjestiv të njeriut politik i krishterë: “Njeriu i fesë së thellë dhe  i uratës, i cili për dashuri ndaj Krishtit vihet në shërbim të vëllezërve  për ta ndihmuar të mirën e përbashkët në nivele të ndryshme; njeriu që nuk mbyllet në shpirtngushtësi dhe oportunist partiak; njeriu që ushtron pushtetin për të shërbyer, pa ra kurrë në idiolatrinë e pushtetit; njeriu të përvuajtur që di të këshillohet dhe të dëgjoi të tjerët,jo vetëm njerëzit e partisë dhe zgjedhësit; njeriu që para vështirësive ka besim në fuqinë e Zotit; njeriu që është i fortë në dëshmi të jetës, kërkon mishërimin e vlerave ungjillore të nderimit, vëllazërisë, përparimit njerëzor, të drejtësisë, përkushtimit, kujdesit të veçantë për të varfër në shoqëri”. Për të bërë këtë njeriu politik i krishterë, si të gjithë vëllezërit në fe, duhet t’i përdor shtatë mjetet për të cilat flet Lumen gentium: “të dëgjojë me kënaqësi fjalën e Hyjit dhe me ndihmën e hirit të tij ta kryejë me vepra vullnesën e tij, të marrë  pjesë shpesh në sakramente, sidomos në eukaristi, dhe në veprimet liturgjike; t’i kushtohet vazhdimisht lutjes, mohimit të vetvetes, shërbimit aktiv të vëllezërve dhe ushtrimit të të gjitha virtyteve”. Në botën e sotme, në shumë aspekte i pasur, në anën tjetër i tronditur dhe dëshpëruar, politiku i krishterë është i ftuar që të sjellë porosinë e shpresës. Të thuhet “shpresa” domethënë të besohet që Shpirti Shenjt është në veprim në botë dhe aë “fara” e Fjalës tashmë është në fermentim dhe e ka bërë të pëlleshme historinë. Këto fara të amshimit të pranishëm dhe veprues duhet të rriten. Veçmas ka rëndësi dallimi, zgjidhja, leximi dhe interpretimi i historisë me shikimin e Zotit. Shpresa është e lidhur ngushtë me shkëputje. Politiku i krishterë e di që është në këtë botë “i huaji” dhe “shtegtar”. I huaji sepse, duke banuar në një tokë të huaj, e ruan nënshtetësinë burimore. Shtegtar sepse, është kalimtar si një lloj nomadi. Shenja dalluese e kësaj shkëputjeje është varfëria, thjeshtësia, jeta me gjëra qenësore pa ra nën ndikimin e gjërave të panevojshme, sepse lakmia e pasurimit është tundim për njeriun e çdo kohe, sidomos  për njeriun konsumit të shoqërisë së begatshme. Varfëria është ilaç lidhur me pushtet. Së fundi, njeriu politik i krishterë jep arsye për shpresën e tij duke i paraprirë në tokë premtimeve eskatologjike që i presim. Fushë më të mirë në politikë s’ka për ndërtimin e paqes, drejtësisë, lirisë, të mira këto mesianike që janë objekti dhe synimi i shpresës së krishterë, fryte dhe shprehje e dashurisë-bamirësisë. Nuk mungojnë dëshmitarë. Mes të shumëve është një politikan i krishterë i cili ka përjetuar këtë përshpirturi në Kishë dhe në shoqërinë bashkëkohore: Giorgi La Pira. Ndërtues i paqes, shpallës i shpresës, mik e njerëzve të varfër, dëshmitar i varfërisë dhe shenjtërisë që përballon kohën, që lartëson historinë sa më shumë jemi larg në kohë. La Pira, ndoshta së bashku me De Gasperin, është  shembulli më i suksesshëm i politikës së krishterë, jo aq për atë çka ka bërë, por më tepër për shpirtin që e ka gjallëruar gjithnjë atë. Prej këtyre njerëzve si ai mund të mësojmë që të jemi subjekte aktive të historisë që të jetë dritë ungjillore.

Për një përfundim: të nisemi prej vetvetes

Para shumë gjërave që nuk janë mirë, pyetemi: çka të bëjmë? S’mund të dorëzohemi para vështirësive, sfidë është pjesëmarrja, ndërtimi i një shoqërie më të drejtë. Të nisemi prej vetvetes. Martin Buber thotë: “Të nisemi prej vetvetes: ia gjëra që ka rëndësi…, pika e Arkimedit nga e cila, sa më përket mua, mund ta lëvizi botën, ndërrimi i vetvetes”. Të nisemi prej vetvetes, prej personave tona, atyre që janë me ne në ecje të krishterë, jo aq për të votuar këtë apo atë parti, por për të qenë syhapur për stinën e re që kërkon prej nesh bujari, ndryshim të vetvetes, në fushëveprimin e shërbimeve shoqërore ndaj njerëzimit.

Të jemi të bashkuar në jetën e brendshme dhe në pluralizëm në bashkësi

Pluralizmi tashmë është një fakt në zhvillimin e shoqërisë. Duhet të edukohemi për të jetuar duke u nisur prej bashkësive kishtare, duke pranuar dallimet në anën fetare, si dhe kulturore dhe politike. Dialogu i brendshëm në bashkësi bëhet ushtrim që dallimi mos të shndërrohet në armiqësi dhe kundër-dëshmi. Lidhur me dialogun ndër-kishtar, që të jetë i suksesshëm, duhet ta kemi të qartë çka është thelbësore, feja,  çka relative, politika me tematikat e saja. Përpos kësaj duhet të kemi kujdes për  stilin e nderimit të ndërsjellët dhe besimin, që hetohet në ballafaqimin tonë me ata që nuk janë të krishterë dhe kanë një botëkuptim tjetër ndaj politikës, duke pranuar që jemi të paaftë vetvetiu, në kërkimin e zgjidhjeve më të mira, dhe për këtë duhet të ballafaqohemi ndër vete. Nuk është utopi gjetja e vendeve për këtë ballafaqim. Testamenti shpirtëror i Zotërisë na thotë që bashkimi i nxënësve të tij nuk është vetëm shenjë që ne jemi të tij,  por edhe që Ai është i dërguari i Atit, pra, kriter i besueshmërisë së krishterë dhe të vetë Krishtit.  Si ungjillëzues, ne duhet ta japim parafytyrimin jo të njerëzve të ndryshëm dhe të ndarë nga ngatërresat që nuk ndërtojnë asgjë, por të personave të pjekura në fe, të aftë që të gjenden së bashku përtej opsioneve konkrete dhe dallimeve, falë kërkimit të përbashkët, të sinqertë, pa interes të së vërtetës.  Ungjilli që na është besuar është fjala e vërtetë. Një e vërtetë që na bënë të lirë dhe që vetëm ajo na dhuron paqen e zemrës: këtë e kërkojnë njerëzit kur ua shpallim Lajmin e Mirë. E vërteta mbi Zotin, mbi njeriun dhe mbi fatin misterioz, mbi të vërtetën e botës. Mbi këtë bazë mund të ndërtohet një ide politike ndryshe, dhe praksa politike, në lidhje me ato të sotmet, që shohin në kundërshtarin ose në atë që ka ndonjë menim tjetër politik, një “armik”; duhet ta formojmë vizionin politikë si “miqësi civile” apo qytetar, që pa hequr momentin ballafaqimit  të mendimeve dhe projekteve – duhet të dimë të luftojmë politikisht në hapësirat e vlerave që bashkë-ndahen dhe që janë bazë e sistemit, vlera që, Shteti ynë i ka dhe gjenden edhe në Hartën kushtetuese.

Si të krishterë në qytet

Shqyrtimi mbyllet me një ftesë për veprim, dallim dhe përpunim në ballafaqim. “Ka njerëz të politikës dhe drejtues fetarë që pyesin – shkruan Papa Françesku, përse populli nuk i kupton dhe nuk ec pas tyre, nëse propozimet e tyre janë kaq të logjikshme dhe të qarta. Ndoshta se janë në botën e ideve dhe e kanë shndërruar politikën ose fenë në retorikë. Tjerët kanë harruar thjeshtësinë dhe kanë sjellë nga jashtë racionalizmin e huaj për njerëz” (EG 232). Nga kjo ftesa për të konsideruar “realitetin më të lartë se idenë” për ta inkulturuar Ungjillin në jetën e popujve. Përpos kësaj “ky kriter na shtynë që ta zbatojmë Fjalën, për të realizuar veprat të drejtësisë dhe të dashurisë në të cilat themelohet Fjala. Mospërfillja e Fjalës, mos-udhëheqja e Fjalës në realitet, domethënë ndërtimi në zall, mbetja vetëm në ide dhe degjenerimi në intimizëm dhe agnosticizëm që nuk japin fryte, që e bëjnë sterrë këtë dinamizëm” /EG 233/. Këto fjalë janë ftesë për besimtarë që së bashku, këtu dhe tani, ta bëjmë pjesën tonë, duke u nisur prej qytetit ku jetojmë dhe banojmë. Thirrja e besimtarëve për angazhim shoqëror dhe politik gjend vendin e vet kryesor   e qytetit si ambient ku  ballafaqohemi me përvoja të përditshme dhe bëhen sinteza njohurie, që kanë përparësi në mundësinë e gjetjes dhe vërtetimit.

Qytetet janë vende udhëkryqe të kulturave dhe kërkesave shoqërore ku ushtrohet lidhja mes besimtarëve dhe politikës. Nëse marrim në shqyrtim qytetin në realitetin pluralist, e bëjmë këtë sepse në histori shekullore si dhe ne zhvillim të afërt, ky vend  bëhet një lloj simboli,  një parafytyrim jo abstrakt i politikës. Kjo është një mundësi për ta menduar, rindërtuar politikën duke u nisur nga praktikat e virtyteve të administrimit të mirë. Edhe për këtë arsye është e dobishme të shqyrtohet qyteti dhe ndryshimet e tyre të mëdha. Qyteti si pikënisje për të folur për problemet e vërteta të politikës, për të pranuar dhe dëgjuar nga jeta e njerëzve çka do të duhej politika të “vendoste në agjendë”. Si vend she shembull i politikës shoqërore, një realitet  miqësor me të cilin duhet llogaritur: një miqësi qytetare në shërbim të qytetit në mbështetje të konceptit për të mirën e përbashkët, si përvojë e katolicizmit shoqëror dhe demokratik. Papa Bergoglio, kur ishte argjipeshkëv i Buenos Aires-it, kishte shkruar: “besimtari është njeri që beson që “Zoti jeton në qytetin e tij”… me shikim tanshendent të fesë, që prinë në nderim dhe dashuri ndaj të afërmit, ndihmon zgjedhjen për të qenë qytetar i një qyteti konkret dhe  për t’u vë  në zbatim qëndrimi dhe sjellja që krijojnë qytetarinë” për ta krijuar një periudhë të re të pjesëmarrjes. Përse në qytet lind politika dhe çdo reduktim teknik i “qeverisë së mirë” është i rrejshëm, sepse mungojnë zgjidhjet që vetëm politika mund t’i bëjë. Mu për këtë s’mund të hiqet dorë nga kontrollimi demokratik i  politikës. Nëse politika do të duhej ta udhëheq ekonominë dhe dinamikën e saj…, është po ashtu e rëndësishme që politika të gjejë forma për një shërbim të plotë demokratik, që qytetarët të mund të vendosin,  me këtë të marrin pjesë. Janë dy aspekte të ndërlidhura mes vete. Duhet të zgjedhim për të jetuar në qytete tona dhe të banojmë atje si të krishterë. Angazhimi politik lind për ne nga jeta e plotë si qytetarë.  Mbi këta kufij të ri, në transformim të madh, hapet për shpresën e krishterë një stinë e re për angazhim politik të besimtarëve. Bergoglio ka shkruar kështu: “Kur lutëm për Buenos Aires, falënderoj që është qyteti në të cilin kam lindur. Dashuria që lind nga ky familjarizim ndihmon për mishërimin e fesë së përgjithshme që përqafon të gjithë njerëzit  e të gjitha qyteteve”. Në të njëjtin tekst Papa i ardhshëm propozon një parafytyrim të qytetit të ndërlikuar për të treguar çka domethënë të jetosh në qytet me shikim feje: “Sot lidhjet e racës, historisë dhe kulturës nën janë homogjen si dhe të drejtat qytetare nuk janë të njëjtë, të jesh qytetar i një qyteti të madh  është diçka shumë komplekse. Në qytet janë shumë “jo qytetarë”, “qytetarë përgjysmë”, “të tepërt”. O pse nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat – të përjashtuarit, të huajit, të pastrehët, fëmijët që nuk vijojnë shkollimin, të moshuarit dhe të sëmurët pa mbrojtje shoqërore – o pse nuk i kryejnë detyrat e tyre. Në këtë kuptim, shikimi trashendental i fesë, që prinë në nderim dhe dashuri ndaj të afërmit, ndihmon zgjedhjen për të qenë qytetar i një qyteti konkret dhe për t’u vë në zbatim qëndrimi dhe sjellja që krijon qytetarinë” Kuptojmë që qyteti si parafytyrim i politikës, është gjithmonë një realitet: është së bashku Babilonia dhe Jerusalemi. Në rend të parë është personi dhe shikimi i personit është në qendër të ndërtimit të qytetit.  Prandaj “veprimi i njeriut në tokë, kur frymëzohet dhe zbatohet në dashuri, ndikon në ndërtimin universal të qytetit të Zotit ndaj të cilit përparon historia e familjes njerëzore. Në një shoqëri në zhvillim të globalizimit, e mira e përbashkët dhe angazhimi për këtë nuk mund mos ta përfshijnë dimensionin e tërë familjes njerëzore, domethënë të bashkësisë së popujve apo shteteve, kështu që të jepet forma e bashkimit dhe të paqes qytetit të njeriut, për ta bërë disi parashikim  të qytetit pa kufij të Zotit”. Të krishterët banojnë gjithmonë “qytete greke ose barbare”, siç na përkujton Letra Diognetit, nuk banojnë në “qytete të veta”, sepse të qenia qytetarë shekullarë., pluralistë, nuk iu bënë vështirësi, bile e nxitë pasionin e tyre për Ungjill, i bënë solidarë me qytetarë tjerë, me pjesëmarrje të tyre në ndërtimin e qytetit duke dhënë pjesën e tyre për vendbanime më të drejta dhe më vëllazërore, në praninë dhe dashurinë e Zotit dhe të afërmit.

“Bashkëjetesa për të jetuar”

Qytetet kanë përjetuar ndryshim të thella: nga muret e lashta në integrimet e reja, që mund të themi se qyteti është vendi i vërtetimit të politikës, marrëdhënia hapësirë – persona. Politika bëhet reale  kur është në lidhje me persona, me problemet e tyre, në dimensione konkrete të hapësirës.  Qyteti si rast  për ballafaqim që kërkon vendosjen e njeriu në qendër dhe e zbaton në harmonizimin e kulturave të ndryshme. Njeriu, sidomos më i dobëti, merr nga qyteti përgjigje mbrojtëse dhe siguri, jo më të mureve apo kështjellave, por mundësin për të “bashkëjetuar për të jetuar” siç pohon në një analizë të ndritshme ipeshkvi ndihmës i Sarajevës duke nënvizuar  ardhmërinë e mikpritjes, integrimit për një qytet simbol. Ky simbol na flet për një të ardhme, i afërt që në trajta të ndryshme tashmë jetojmë, në të cilin qyteti do të ketë rrugë të reja të integrimit, në të cilin rregullat e përbashkëta do të favorizojnë bashkëjetesën paqësore në një rreth të jetës së shekullarizuar dhe ndërfetare.

(fund)

Pjesa III e Ligjëratës në Tribunën “I krishteri dhe shoqëria”. Rezidenca e Ipeshkvisë së Kosovës, Prishtinë, 27 nëntor 2015. Përktheu nga italishtja: Don Lush Gjergji.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »