Foshnja ngjall shpresa dhe ndjenja të thella

Dec 23 • Meditimi i ditës

23 dhjetor 2015 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

 

Lk 1, 57-66

 

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha:

“Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën:

“Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”

62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjellua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – A ka ndonjë gjë që ngjall ndjenja më të thella se një foshnje e porsalindur? Çfarë shpresa dhe pritje kanë pasur babai dhe nëna ime kur kam ardhur në botë? Si e patën zgjedhur emrin tim?

  – Mendoj për emrin tim. Faleminderit, o Zot, për të–për emrin që është i shkruar në pëllëmbën e dorës sate.

 

 Bashkëbisedimi

 

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »