Mesazhi i Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindjet 2015

Dec 24 • Kisha në Kosovë

Mesazhi i Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindjet 2015,

drejtuar priftërinjve,

rregulltarëve dhe rregulltareve,

besimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

 

 

Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi mbi tokë” (Gjn 1, 9)

 

Fort të dashur vëllezër e motra,

derisa po e shkruaja këtë porosi, që dua t’jua përcjell Ju dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje.

Kjo dhuratë e Papa Françeskut është një shenjë se Zoti gjithnjë e shpërblen Kishën e vet me dhurata hiri dhe shenjtërie, që e ndihmojnë të qëndrojë e zgjuar në uratë. Kisha është bashkësi në lutje, e cila rri zgjuar, duke pritur ardhjen me lavdi të Krishtit Zot dhe s’pushon kurrë duke i dhënë nder e lavdi Hyjit Atë.

Koha e Ardhjes edhe e Kërshëndellave janë kohë të shenjta, gjatë të cilave Kisha hyn në përvojën e dyfishtë të përjetimit të fesë dhe ecjes së saj në histori me Zotin.

Në përvojën e parë, Kisha e udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, kremton praninë e Krishtit në jetën e saj dhe e njeh Atë si themelues, mësues dhe shpëtimtar të saj. Këndej, pandërprerë dhe me plot dashuri, i nxit të pagëzuarit që të nxitojnë me gëzim drejt takimit përfundimtar me Të, ditën e shpëtimit tonë, kur Krishti do të vijë me lavdi.

Përvoja e dytë, e kohës së shenjtë të Ardhjes dhe të Kërshëndellave, është ripërtëritje e Kishës në përvojën profetike të Popullit të Zgjedhur. Në këtë përvojë, kremtojmë Lindjen e Jezusit të Nazaretit, të birit të Marisë, që është Krisht. Festa e Kërshëndellave është një kremtim solemn i ngjarjes bibliko-historike, kur Hyji, për dashurinë që kishte ndaj nesh, na e dhuroi Birin, duke e mishëruar Fjalën në kraharorin e Virgjërës Mari. Me Mishërimin e Fjalës, që ishte në fillim, në botë erdhi drita e vërtetë, e cila shndrit çdo njeri. (khs. Gjn 1,9). Të gjithë ata që i besojnë, nëpërmjet pagëzimit, bëhen të bijtë e së vërtetës dhe, si gjymtyrë të trupit të Krishtit, shkëlqejnë në reflektimin e kësaj Drite. Me anë të kësaj drite, ne arrijmë të shohim në Krishtin – Zotin që na do – me dashuri të pambarim; e takojmë Zotin e përvuajtur, që s’na bën robër, por të lirë; e njohim Zotin e dhimbshëm, që s’lejon të na turpërojë mëkati, por na fton të marrim dinjitetin e të bijve të Hyjit të gjallë. Mbi të gjitha, ne e dashurojmë Zotin e Mëshirshëm, i cili nuk na gjykon, por na fton të kthehemi, nuk na padit, por na edukon, dhe nuk na dënon, por na fal. Kjo dhuratë nuk na bën të mburremi para botës, se jemi më të mirë se të tjerët apo të pohojmë se kemi merita më të mëdha se të tjerët, por se i përkasim Krishtit Zot e Shpëtimtar, i cili, duke na i falur mëkatet, e shpreh dashurinë e vet ndaj nesh.  

Me këtë frymë të fesë, Papa Françesku, duke e shpallur vitin 2016 “Vit të Mëshirës”, dëshiron të na nxitë që t’i afrohemi sa më afër kësaj drite, në mënyrë që ta shohim fytyrën e Tij. Në fytyrën e Zotit ne njohim veten tonë, sepse jemi shëmbëllesë e Tij. Kurse në fytyrën tonë, sado të shëmtuar nga mëkati, Ai e njeh kryeveprën e dashurisë së Tij. Këndej, jemi të ftuar t’i përngjajmë duke u bërë të vegjël e të pafajshëm si fëmija, të butë e të përvuajtur si Biri dhe të  Mëshirshëm si Ati.

Vëllezër e motra fortë të dashur,

Zoti gjithnjë e ka përcjellë njeriun dhe popullin e vet gjatë ditëve të jetës së tij mbi tokë. Ungjilli na e tregon se lindja e Krishtit ka ndodhur në një çast historik, kur Zoti drejtpërdrejt hyn në historinë tonë dhe përmes saj bëhet një kapërcim nga e vjetra në të renë.

Ne jemi të bijtë e Hyjit dhe synim kemi Qiellin, por njëkohësisht jemi banorë të kësaj toke, pjesëtarë të një kombi dhe qytetarë të një shteti. Si të tillë, s’mund të mos angazhohemi për të ardhmen e njerëzimit dhe shtëpinë tonë të përbashkët, Tokën, për fatin e kombeve, si dhe për nevojat, të drejtat dhe lirit e njeriut. Angazhimi ynë, në këtë aspekt, nuk do të thotë përzierje e Kishës në politikë, por është kujdes dhe dashuri për njeriun, kontribut për të mirën e vendit dhe i të varfërve. Kisha, e vetëdijshme për përgjegjësitë e veta që ka, nuk pushon duke sugjeruar, këshilluar dhe qortuar të bijtë dhe të bijat e veta dhe njerëzit vullnetmirë, që derisa ecin drejt qiellit, të pajtohen dhe të ndërtojnë paqe mbi tokë.

Kujtojmë këtu angazhimin e Papa Françeskut, me enciklikën e tij të fundit “Laudato sì”, në të cilën e fton njerëzimin që ta shpëtojë Tokën. Thirrje kjo që i parapriu marrëveshjes historike për klimën në Paris.

Edhe në kontekstin tonë, nuk duhet harruar ndërhyrjen e Imzot Nik Prelës, të ndjerit ipeshkvit tonë, i cili i pari bëri thirrje të dëgjohet zëri i minatorëve, që pastaj nxiti një numër të madh institucionesh, të vendit e të huaja, që t’i mbështesnin të drejtat tona. Nuk duhet të harrohet as guximi i paraardhësit tim, Imzot Mark Sopit, për të dëshmuar se të krishterët në Kosovë nuk kanë frikë nga ekstremizmi islamik, sepse besojmë që nuk mund të vijë një e keqe nga vëllezërit tanë myslimanë.

Në vazhdën e këtij kujdesi dhe angazhimi të Kishës për të mirën e përbashkët, nuk mund të heshtim as sot para gjendjes së krijuar në vend, sepse Kosova është vendi dhe shteti ynë i përbashkët. Nuk mund të ndihemi mirë, kur shohim se si keqpërdoret liria, duke u marrë vetëm si privilegj i disave e jo si e mirë e të gjithëve, dhe se si keqndërtohet paqja me logjikën e konfliktit.  Po ashtu, shohim se si përgjegjësit e bashkësive politike, në garën e tyre për të mbajtur apo për të marrë pushtetin, shkelin kodin e marrëdhënies me përgjegjësi. Kjo mënyrë i ka tejkaluar kufijtë e demokracisë, duke përdorur forma të papranueshme në shfrytëzimin e së drejtës për të kundërshtuar; është tepruar me strukjen prapa shtetit, madje ka edhe të atillë që fshihen para ligjit, kur dështojnë t’i realizojnë përgjegjësitë e tyre. E keqja shfaqet edhe më tepër, kur në vend se të reflektojnë të gjithë, vazhdojnë të shpërthejnë shtigje të reja për kauza të vjetra, sulmojnë miqtë për t’iu ikur përgjegjësive ose përdorin forcën e shtetit për t’i legjitimuar gabimet. 

Për këtë gjendje të krijuar, ndihemi edhe ne bashkëfajtorë në nivelin e përgjegjësisë qytetare, prandaj s’duam të tregojmë me gisht drejt fajtorëve, por duam të konstatojmë se vazhdimi i kësaj logjike dhe insistimi në veprime të papranueshme krijon anarki, lë në mjerim qytetarin, e ngrin perspektivën europiane të vendit, rrit skepticizmin e kundërshtarëve, zbeh përkrahjen e mbështetësve dhe dëshpëron miqtë tanë. Jo vetëm këtë, por paaftëson shtetin për t’u përgjigjur nevojave të qytetarëve, paralizon iniciativën qytetare të shtetasve për prosperitet, ngulfat kreativitetin e institucioneve për shërbim më të mirë.

Në anën tjetër, është e mirë që ata, të cilët janë përgjegjës për rend dhe ligj, e kryejnë detyrën me përgjegjësi, ndonëse nën presionin e gjendjes së krijuar. Mirëpo, edhe përdorimi i “muskujve të shtetit” para forcës së arsyes, e tejforcon pushtetin dhe e ngurtëson mendjen dhe zemrën e atyre që u është besuar ta përdorin. 

Ecja në këtë drejtim nuk çon askund, vetëm se na shtyn në regres. Këndej, është e domosdoshme të fillojmë të arsyetojmë e të reflektojmë të gjithë, për të bërë një kthim rrënjësor drejt së vërtetës, bashkëndërtimit dhe dialogut qytetërues.

Pa dialog, pa mirëkuptim dhe pa pajtim, nuk ka të ardhme për askënd në këtë vend; pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, pa respektim të parimeve dhe premtimeve të dhëna, Kosova nuk mund të ketë të ardhme; pa ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare dhe pa mbrojtjen e kulturës qytetëruese të të parëve tanë, s’ka të ardhme kombi në përgjithësi.

Vëllezër e motra fort të dashur,

ne, si besimtarë, jemi të bindur se ecja gjurmëve të Krishtit e shpie çdo individ dhe çdo shoqëri drejt paqes, pajtimit, mirëkuptimit, dashurisë, mëshirës, guximit, gëzimit dhe shëlbimit, edhe pse për të gjitha këto duhet të kalojë shpeshherë nëpërmjet përvujtërisë, padrejtësisë, përbuzjes e kryqit.

Lus Foshnjën e Betlehemit që me shenjtërinë e saj të sjellë këndellje dhe zemërgjerësi te të gjithë, që të mund të kemi paqe në vendin tonë, mirëkuptim në familje, dashuri dhe kujdes ndaj të varfërve.

Për shumë mot Kërshëndellat dhe Viti i Ri 2016!

+ Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës

Shpërndaje

Comments are closed.

« »