Të bëhesh njeri – hyjnor!

Dec 25 • Meditimi i ditës

25 dhjetor 2015 – e premte, KRISHTLINDJA, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar me punë sa që të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

 

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, si po e ndiej sot veten?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres ose jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

 

Ç´dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ky pasazh nga Ungjilli është tërheqës në mënyrë mahnitëse. Sot kam për ta lexuar këtë tekst në mënyrë soditëse, medituese. Do të përpiqem ta përjetoj dhe të ndalem në fuqinë bindëse të misterit të dashurisë që i tejkalon të gjitha fjalët tona. Hyji është jetë dhe dritë. Fjala që banoi ndër ne s`ka për t`u larguar kurrë prej nesh.

– Fjala jeton ndër ne. Do të lejoj që kjo e vërtetë të rrënjoset edhe më thellë në mua dhe që gëzimi dhe falënderimi im të jenë përgjigje veprës së besimit të Zotit në mua.

– Nga të gjitha dritat për Krishtlindje do ta pranoj dritën që ma bie lutja. Fitoj siguri që errësira nuk do ta mund dritën. Do të lus që të gjithë ata që festojnë këtë festë të mund ta shijojnë dritën dhe gëzimin.

– Do të lus për familjet: që të gjithë ata që sot festojnë të mund të rriten bashkë në dashuri, kurse ata që nuk janë bashkë të mund të jenë të ngushëlluar me vetëdijen e dashurisë së Zotit ndaj tyre.

 

Bashkëbisedimi



Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »