Zoti vjen të banojë mes njerëzve

Dec 25 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e Krishtlindjes

Leximi i parë Is 52, 7-10

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmin e mirë të paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Zoti yt mbretëron!’ Dëgjo! Rojet tua të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin! Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit

———————————————————–

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

———————————————————–

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet. 

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

———————————————————–

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

———————————————————–

Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

————————————————————

 

Leximi i dytë Heb 1, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është shkëlqimi i lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin! Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjë herë: “Ti je im Bir; unë sot të linda”? Dhe prapë: “Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir”? Dhe prapë, kur përsëri shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!” 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Një ditë e shenjtë, lindi për ne: ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin; sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme.  

Aleluja!

 

Ungjilli Gjn 1,1-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.  Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet.                             

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Hyji, herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, thotë shën Pali apostull në letrën e dytë drejtuar hebrenjve.

Hyji gjithmonë është përkujdesur për ne njerëzit duke intervenuar në nevoja të ndryshme dhe duke e shfaqur lavdinë e tij.

Në kohën e sotme neve na foli në Birin e tij Jezu Krishtin, duke e dërguar në botë për ne dhe shëlbimin tonë.

Ardhja e Krishtit në tokë ka domethënie të madhe. Ai le lumturinë e amshuar për t‘ u veshur me trup si ne. përveç mëkatit. duke iu nënshtruar vullnetit të Atit.

Me ardhjen e Krishtit në tokë ripajtohet qielli dhe toka pas mëkatit të njerëzve të parë, dhe neve, njerëzve, na hapen diapazone të reja shikimi, orientimi dhe tendence për të jetuar një jetë të re plot hire dhe të vërtetë.

Por, fatkeqësisht, të gjithë nuk e pranojnë Jezusin.

Është fjalë e trishtueshme ajo e ungjillit të sotshëm: “Erdhi nder të vetët e ata nuk e pranuan.”

Kush janë të vetët që nuk e pranuan?

Janë ata që ishin në rrethin ku lindi Krishti, ishin ata që e prisnin Mesinë, por një Mesi që do të luftonte, do të bënte kryengritje dhe do t‘ i asgjësonte të gjithë armiqtë e Izraelit.

Mesia erdhi, por jo për të luftuar me shpatë, veç se me drejtësi, me dashuri dhe për

t‘ u flijuar ai për ne.

Dhe, është shumë inkurajuese fjalia tjetër e Ungjillit: “E ata që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Zotit.”

Krishti është Fjala që u mishërua për ne, është fjala e Zotit, është Alfa dhe Omega, është fillimi dhe mbarimi.

Për këtë pra ne të krishterët i gëzohemi lindjes së Tij, sepse nëpërmes Jezusit edhe ne rilindim në jetë të re, në jetë me Zotin.

Bota sot është në udhëkryqin e jetës, sepse jeton pa vlera, ka humb orientimin fetar duke menduar se është mjaftueshme jeta materiale dhe konsumimi i tepruar, luksi dhe teknika moderne e cila po e robëron gjithnjë e më tepër njerëzimin.

Këto të gjitha janë të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë Zotin, dhe nuk mund të jenë një shpresë e madhe për të ardhmen; nuk mund të zëvendësojnë besimin e të parëve tanë. Mu për këtë, bota sot dridhet nga pushtimi i së keqes që rrënjët i ka në mëkate.

Jezusi erdhi të na çliroj nga e keqja, erdhi që të na sjell paqe në botë, erdhi që të na pajtoj me Atin, prandaj si të krishterë të gëzohemi në Zotin, të gëzohemi për ardhjen e tij.

Le të bëhet zemra dhe familja jonë grazhd i Betlehemit ku lind, rritet dhe zhvillohet Krishti, nëpërmes jetës sonë në vlera fetare, morale, njerëzore.

O Jezu eja Ti në zëmrat tona dhe na mbush me gëzim. Eja Ti tek të gjithë ata që janë pa shpresë dhe të dëshpëruar ktheju besimin dhe le të ndiejnë praninë tënde në jetën e tyre.

Eja Ti, dhuroju paqen njerëzve që janë në konflikte, le të përparojmë në vepra dhe jetë të mirë që të përhapim gëzimin që na sjell festa e jote dhe festa jon Krishtlindja.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Fjalës së amshuar të Hyjit, i cili erdhi nder ne, t‘ ia drejtojmë lutjet tona duke thënë:

O Krisht na dëgjo!

– Për Kishën tënde të dërguar në boten mbarë për shpallje të shëlbimit: bëj që të qëndrojë besnike dhe e përkushtuar në misionin e saj, të lutem:

– Për të gjithë të krishterët, që të jenë dëshmitar të vërtetë të jetës së re që na dhurove, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit e botës, që të shndritur prej dritës sate, të ndjejnë dhe përjetojnë afërsinë e Atit Zot, të lutemi:

– Për të gjithë fëmijët e botës, që t‘ i bekosh dhe t‘ i ruash nga të gjitha të këqijat, dhuroju paqen dhe sigurinë, të lutemi:

– Për ne, këtu të pranishëm, që të jemi gjithmonë të gatshëm të kryejmë vullnetin tënd dhe të veprojmë nën hirin tënd, të lutemi:

– Për të gjithë vëllezërit e motrat tona të vdekura, që sipas mëshirës sate të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

Zot Jezu Krishti, Ti je fillimi i çdo gjëje që ekziston në këtë botë. Na e dhuro Shpirtin tënd që në jetën e përditshme të të dëshmojmë Ty me vepra të mira dhe një ditë të gëzojmë në lumturinë ku Ti me Hyjin Atë dhe Shpirtin Shenjtë Zot, jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »