Familja e shenjtë që ia dhurojë botës Jezu Krishtin

Dec 26 • LEXIMET E SË DIELËS

Familja shenjte

Leximiparë 1Sam 1, 20-22.24-28

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Brenda vitit, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit.  Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t’i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit té vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë.”  Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U Iuta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit.”  Dhe adhuruan Zotin. 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 84

Ref. Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që  e druan Zotin.

——————————————————————–

Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh.

——————————————————————-

Gruaja jote: vresht plot fruta

në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri

përreth tryezës sate!

——————————————————————

Ja, se si bekohet njeriu

që e druan Zotin!

Të bekoftë Zoti prej Sionit,

e pafsh lumturinë e Jeruzalemit

në të gjitha ditët e jetës sate.

—————————————————————–

 

Leximi i dytë 1Gjon 3, 1-2. 21-24

Lexim prej Letrës së parë të Gjonit

Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Mekëtë e dimë se Ai mbetetnë ne: meanëtëShpirtitqë na e kadhënë. 

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja.  Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!

Aleluja

 

Ungjilli  Lk 2, 41-52

Leximi i UngjillitshenjtsipasLukës

Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve.  Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës.  Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet.  Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atë here zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur.  Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija.  Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”  Ai u përgjigj: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”  Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë.  Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Hyji Atë kishte paraparë që Biri i Tij Jezu Krishti të lind në një familje. Në Shkrimin e shenjtë shkruan: “nuk është mirë që njeriu të jetoj vetëm”. Hyji në fillim krijoi burrin dhe pastaj gruan, e krijoi gruan sepse ishte e nevojshme, ishte e njëjtë me të dhe e krijoi që të shumohet bota.

Në bashkësinë e jetës, burri dhe gruaja, edhe pse me natyra të ndryshme, e gjejnë veten në dashuri dhe dhurim të plotë. Gëzimi i tyre është dhe duhet të jetë familja, e cila shtohet, rritet përparon dhe angazhohet në jetë.

Kështu Hyji kërkon që familja të jetë besnike edhe ndaj Zotit dhe Zoti kërkon llogari prej tyre.

Për fat të keq, sot familja është e rrezikuar, sepse ka faktor të ndryshëm që ndikojnë negativisht në përparim dhe bashkësi të plotë.

Në rend të parë migrimi dhe lëvizja e njerëzve për nj jetë më të mirë. Pastaj vatrat e luftës dhe rreziqet e shumta që përjetojnë familjet, gjendja e vështirë ekonomike dhe jo stabile, që për fat të keq shpesh herë manipulohet me anëtaret e saj. Tregtia me qenie njerëzore, legalizimi i martesave të gjinive të njëjta, aborti, droga, prostitucioni janë shenja të dukshme që prishin imazhin e familjes çfarë e ka projektuar dhe dëshiron Zoti, Hyji që të jetë.

Papa Gjon Pali II, në dokumentin e tij kryesor mbi familjen, përdor shprehjen:  “Familje, bëhu ajo që je!” Kur një çift martohet, shpeshherë, pasi mbaron festa shumë njerëz thonë: “Tani mbaroi edhe kjo punë”. Në fakt, nuk është kështu! Dita e martesës shënon fillimin e një jete të re. Është një jetë në ecje, sepse siç thotë i njëjti Papë Gjon Pali II: “Familja ka misionin të bëhet çdo ditë e më shumë ajo që është”, domethënë bashkësi jete dhe dashurie.

Enciklika e para pak kohësh e Papa Franceskut, Lumen Fide, po ashtu flet për familjen në lidhjen e saj me besimin që zbulon “se sa të forta mund të jenë lidhjet midis personave kur Hyji është i pranishëm midis tyre” (LF 50). “Rrafshi i parë në të cilin besimi ndriçon qytetin e njerëzve gjendet te familja. “Feja nuk është një strehim për njerëz pa kurajë, por bymimi i jetës. Ajo bën të zbulojmë një thirrje të madhe, thirrjen e dashurisë, dhe na siguron që kjo dashuri është e besueshme, që ia vlen t’i dorëzohesh asaj, sepse themeli i saj gjendet në besnikërinë e Hyjit, më e fortë se çdo lloj brishtësie e jona” (LF 53).

Le të jetë Familja e Shenjte ndërmjetëse e të gjitha familjeve për një jetë në përputhje me vullnetin e Zotit, e duke ju nënshtruar vullnetit të Tij të përparojmë në vlera shpirtërore, të rritemi në fe, shpresë dhe dashuri. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T’ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit të gjithëpushtetshëm, i cili në shembullin e Familjes shenjte na bën ta kemi shembull edhe për jetën tonë të shenjtë. Të lutemi duke thënë:

Na shenjtëro në të vërtetën tënde!

– Bëj, o Zot, që në kishën tënde të gjithë njerëzit e botës të mund të gjejnë dhe të njohin Krishtin Shëlbues, të lutemi:

– Bëj që të gjithë ata që sjellin ligje dhe norma për jetën e njerëzve të jenë në frymën e mësimit tënd, o Zot, duke dhënë fryte të mira për familje të shëndosha, të përshpirtshme dhe në rritje të vlerave njerëzore dhe morale, të lutemi:

– Bëj që në të gjitha familjet tona dhe të botës mbarë, të mbizotërojë bashkimi në dashuri dhe në ndihmesë e bashkëveprim për të mirë të të gjithëve, të lutemi:

– Bëj që ata që janë në vuajtje, që janë të persekutuar apo në kushte të vështira të jetës, t’u dhurosh forcë dhe t’u ndihmosh të kenë një jetë të qetë, stabile dhe të lumtur, të lutemi:

– Bëj që ne këtu të bashkuar të na forcosh të përcaktohemi në dashuri duke e ndjekur Birin tënd, të lutemi:

– Bëj që të gjithë besimtarët tanë të vdekur të gjejnë mëshirë për të jetuar në bashkim me Ty në jetën e pasosur, të lutemi:

Atë i mirë, ti me dashuri të patregueshme vigjilon mbi ne. Po të lutemi na dhuro Shpirtin tënd për të na përcjell me hire në tundimet që kanosen për të na ndarë na Ti. Këtë të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »