Mishërimi i Zotit i dëshmuar me gjak martiri

Dec 26 • Meditimi i ditës

26 dhjetor 2015 – e shtunë, Shën Shtjefni, kryemartir, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mt 10, 17-22

 

17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.

21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

   – Të shkosh pas Jezusit nuk është gjithmonë e lehtë, kjo nganjëherë kërkon edhe sakrificë, braktisje. Vdekja është mizore në po thuajse çdo formë, por në momentin kur mizoria feston, nga Shtjefni vjen klithma që na premton shumë: “po i shoh qiejt e hapur.”

   – O Zot,kur t`imbyll sytë e mi për herë të fundit më jep hirin që të jem i/e pastër nga të gjitha zemërimet e mia dhe t`i falë armiqtë e mi, si dhe ta shoh fytyrën tënde. 

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

 Përfundimi

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »