Post-totalitarizmi, pemëshitësi dhe ne

Dec 26 • Opinion

…të gjithë ata që e mposhtin krimbin post-totalitarist brenda vetës nuk e bëjnë këtë nga akademizmi i tyre, por nga një impuls i brendshëm që takohet çdo ditë me realitetin e rrejshëm dhe shpërthen. Bëhet primadonë e mendimit, sjelljes, qëndrimit. Nuk ka asgjë më të rrezikshme për mendjet post-totalitare se sa tu dëshmohet, së paku edhe një herë të vetme, se është e mundur të jetohet në të vërtetën.

 

Shkruan: Visar K. Berisha

Post-totalitarizmi nuk përbën një totalitarizëm të hedhur në hendek. Përkundrazi, është sofistikim i këtij të fundit, duke e bërë totalitarizmin kartë identitare të secilit. Post-totalitarizmi është vetëdije për ta thënë të pa vërtetën. Një nevojë me të cilën blejmë paqen personale brenda pushtetit të frikës. Post-totalitarizmi, ndoshta, ka një gjenialitet (të mbrapsht) brenda. Është në gjendje të ndërtojë mekanizma perfekt të improvizimit, me të cilët pushteti, tashmë jo “primitiv” në përdorimin e dhunës si mjetin kryesor, ndërton gjendje socio-mentale të tilla që ushqejnë pasigurinë, e cila e rritë vetëdijen për gojëkyçje. Post-totalitarizmi është një kthim i totalitarizmit kah vetvetja.

V. Havel ka një libër të shkruar kah fundi i viteve `70, që në italisht quhet “Il Potere Del Senza Potere” (“Fuqia e Pa Fuqisë”, kështu disi), kur ai ishte hiç më shumë se një punëtor (i detyruar) krahu. Flet veç për atë gjendje të re, nëpër të cilën po kalonte shoqëria çekosllovake e dërmuar në palcë, e që ishte post-totalitarizmi. Ky kishte kapur këtë fazë të re të zhvillimit të diktaturës duke parë se sa ishin perfeksionuar mekanizmat e manipulimit direkt e indirekt të shoqërisë, që paraqitnin, sipas tij, një kualitet radikalisht të ri në fuqinë fizike të pushtetit. Për ta kapur fillin e problemit, ai ka sjellë aty një shembull brilant. Një pemëshitës në xhamin e dyqanit të tij, pranë të cilit Haveli kalonte çdo ditë, kishte të vendosur mbishkrimin “proletarë të gjitha vendeve bashkohuni”! Haveli ishte i sigurt se, si ky, po ashtu dhe nëntëdhjetenëntë pemëshitës tjerë, as që ia kishin idenë e as kishin reflektuar kurrë se ç`përmbante ai slogan apo të tillët si ai. Po, pse e kishte vendosur atëherë? Sepse me të ai blinte paqen e përditshme. Sepse ky slogan përbënte njërën prej atyre mijëra ”vogëlsirave”, të cilat i garantojnë një jetë realitivisht të qetë e në sintoni me shoqërinë. Ja, ky është post-totalitarizmi. Kur ti bën hapin e parë për ta mbështetur improvizimin. Edhe pse nënklithma e këtij slogani është krejt diçka tjetër: Unë kam frikë dhe jam gati të shes dinjitetin tim për pak siguri në krejt këtë pasiguri shoqërore. Pra, në kundërshtim me natyrën që ka jeta për më shumë koloritet, pluralizëm e independencë, pemëshitësi pranon monolitizmin, uniformitetin e disiplinën. Ja, sa japin pushtetet post-totalitare, veç sa mund t`iu shërbesh atyre. Kaq, mjaft! Por, në këtë mes ka një liri (të pshtirë). Njeriu nuk është i obliguar t`i besoj gjithë këto mistifikime, por duhet të sillet sikur i beson ose së paku të jetë i pa fjalë. Të mësohet të jetojë në menzogna (gjendje ku aprovohet ajo në të cilën nuk besohet).

Kujt tjetër po i ndodhë kjo? Secilit prej nesh! Sepse ne e kemi humbur opozicionin brenda vetës. Prandaj, ka kohë qyshkur në shoqërinë tonë, si në atë çekosllovake para katërdhjetë vjetësh, konflikti i identiteteve  është shuar. Tashmë bëhet fjalë për diçka edhe më të rrezikshme: për një krizë të vet identitetit tonë shoqëror. Pse na ka ndodhur kjo? Sepse është e ditur tashmë se post-totalitarizmi lindë aty ky totalitarizmi takohet me veset konsumiste të një shoqërie. E ndoshta edhe për fajin e diçkaje edhe më ekzistenciale. Njeriu, si duket, ka diç në natyrën e tij e cila krijon sisteme të tilla shtrënguese ose, nëse jo, i toleron ato. Në njeriun gjendet një taban, me të cilin i korrespondohet këtij sistemi dhe kështu paralizohet nevoja për tu rebeluar, shkëputur. Pra, jo veç sistemi e tehuajson njeriun, por edhe njeriu i tehuajsuar e mbështetë post-totalitarizmin si një projekt jo të vullnetshëm. Si një pasaportë të vetfalimentimit.

Tashmë, besoj i plotësojmë kushtet të krahasohemi me pemëshitësin e Havelit. Kemi filluar ta mbështesim gënjeshtrën që na ka shpërfytyruar. Dhe për më keq, ajo po ushqehet me mëlçinë tonë. Kjo koekzistencë është demoralizuese, vrastare. I  ngjanë romanit  “1984” të Orwellit apo një balloje maskash ku askush nuk zbulon fytyrën e marrosur. Të gjithë përjetojnë orgjinë dhe askush nuk e merr fajin mbi vete, sepse nuk dëshiron të jetë i eliminuar. E padinjitetshmja ta falë fyerjen, por nuk mund të pranoj margjinalizimin. Për të dergjet e tëra.

Por, çka nëse pemëshitësi një ditë të bukur do ndryshojë mendje dhe deklarohet se “Mbreti është lakuriq”? Nuk do shkojë të votojë, sepse zgjedhjet nuk janë të drejta (e ka ditur tërë kohën). Do fillojë ta thotë mendimin e vet publikisht dhe do të solidarizohet me atë që ndërgjegjja i thotë. E, në fund të fundit, do ta heqë edhe mbishkrimin për proletarët. Hanxharin! Kjo do ishte një përpjekje për ta kaluar Rubikonin. Për të dalë te e vërteta. Normalisht, kusure do paguante. Do humbiste punën e dinjitetshme. Pushime jashtë vendit nuk do ketë më. E fëmijët vështirë do t`i shkolloi. Mbi të gjitha, do marr përçmimin e rrethit për “kokëfortësinë” e tij. Porse, të gjithë ata që e mposhtin krimbin post-totalitarist brenda vetës nuk e bëjnë këtë nga akademizmi i tyre, por nga një impuls i brendshëm që takohet çdo ditë me realitetin e rrejshëm dhe shpërthen. Bëhet primadonë e mendimit, sjelljes, qëndrimit. Nuk ka asgjë më të rrezikshme për mendjet post-totalitare se sa tu dëshmohet, së paku edhe një herë të vetme, se është e mundur të jetohet në të vërtetën. Kjo do ishte çarmatosëse, vrastare për ta. Edhe kur vjen nga një pemëshitës, madje. Sepse, kur përballën gënjeshtra me të vërtetën, nuk ka fare rëndësi sa pak vend zapton kjo e fundit. Për gënjeshtrën, vet ekzistenca e alternativës është një rrënim i madh.

Prandaj, në sistemet post-totalitare jeta në të vërtetën nuk ka veç dimensionin ekzistencial (e kthen njeriun  kah vetvetja), intelektual (e bën të kthjellët realitetin) e moral, por për më shumë ka edhe një dimension politik, përmes të cilit trupëzohet veprimi rebelues kundër gënjeshtrës.

Këtu luhet krejt loja. A jemi lodhur të gjithë ne me mbishkrimin që kemi vendosur në ballë e në të cilin shkruan: mund të bësh ç`të duash me mua, mjafton ta kam bukën time të përditshme? Apo do dalim tek e vërteta, më në fund, ta marr e mira!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »