Krishtlindja në Kosovë: Ftesë për të pranuar Zotin – Dritë dhe Mëshirë

Dec 27 • Kisha në Kosovë

Në praninë e shumë besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë, në të gjitha Kishat Katolike në Kosovë u kremtua festa e Lindjes së Krishtit. Foshnja e Betlehemit i bashkojë të gjithë njerëzit në kisha dhe në familje për të ndjerë praninë e Zotit ndër ne. Atmosfera e ngrohtë, që e kanë krijuar këto ditë festash është dëshmia më e dukshme e gëzimit krishteror që e bartin Krishtlindjet. Porosia e shenjtë që e marrim nga ungjilli dhe nga ndihma baritore e kishës, e nxitin popullin të meditojë dhe të reflektojë për ngjarjen hyjnore që e ka shënjuar historinë e njerëzimit – Zoti, i cili vjen për të banuar në mesin e njerëzve.

 

Vigjilja e Krishtlindjes në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë

Në mesnatën e 24 dhjetorit, kur tradicionalisht katolikët bashkohen për të kremtuar Vigjiljen e Krishtlindjes, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, u kremtuar mesha e shenjtë.

Në homelinë e tij, Ipeshkvi Dodë Gjergji u përqendrua në dy tema kryesore: a) domethënia e Lindjes së Jezusit për njerëzimin dhe b) gjendja aktuale në Kosovë.

Duke e pasuruar homelinë me pjesë të ungjijve, Imzot Doda tha se Zoti është Drita që ka zbritur prej qiellit, për ta shndritur çdo njeri, dhe gjithë ata që besojnë janë të shndritur prej kësaj Drite, në shkëlqimin e kësaj drite ne arrijmë ta njohim fytyrën e dhembshme dhe të mëshirshme të Zotit tonë, kurse Zoti në fytyrën e atyre që i besuan, sado të jetë e shëmtuar nga mëkati, e njeh veprën e duarve të Tija, sepse jemi të krijuar në shëmbëlltyrën e Tij. Kjo e vërtetë, bën që tek çdo njeri të ketë këndellje të shpirtit, theksojë ipeshkvi, dhe shtojë se prej të gjithëve kërkon që t’i bindemi frymëzimit të Shpirtit Shenjt, të  jemi zemërbutë e të përvuajtur si Krishti dhe të durueshëm e të mëshirshëm si Ati. E, atyre që kthehen iu kërkon që ta duan me gjithë zemër, i mëson të jenë të lumtur edhe pse jetojnë në varfëri, të jenë i të gëzueshëm edhe pse duhet të qajnë. Ai, iu garanton lumturinë edhe atëherë kur bota i përbuzë, i urren dhe i salvon,  për shkak emrit të Tij.

“Këtë gjë më së miri e ka kuptuar Gonxhe Bojaxhiu, kjo vajzë e ndershme e popullit tonë, e cila sa ma fortë e përqafonte Krishtin, aq më shumë mbushej zemra e saj me dashuri për të varfëritë, sa më shumë u shërbente të varfërve me dashuri, përkushtim dhe përvujtëri, aq më shumë nxite vëmendjen e njerëzve vullnetmirë dhe rrëmbente zemrat e tyre, deri në atë masë, sa e gjithë bota vendosi ta quante Nënë.  Sipas vendimit të Papa Françeskut,  që nga viti i ardhëm kjo Nënë e të Varfërve, nuk do të jetë  më vetëm e lume, por do të jetë “Nëna e Shenjtë Tereza”. Me shpalljen Shenjte të Nënë Terezës dhe me kanonizimin e Martirëve të Shqipërisë, viti i ardhëm, që është Viti i Mëshirës, do të jetë vit hiri për gjithë botën, por sidomos për ne Shqiptarët, sepse do të kemi ndërmjetësit tanë në Qiell, dhe jo vetëm që ne i lutemi Zotit në gjuhën tonë të dashur shqipe, por me Martirët e Komunizmit dhe shenjtërimin e Nënë Terezës edhe në qiell do të flitet shqip.”

Nga ky reflektim në homelinë e vet, ipeshkvi vazhdoj të një reflektim për gjendjen në vendin tonë, duke thënë se sikur t’i ngjanim më shumë Nënë Terezës, çfarë do të ishte Kosova dhe qytetarët e saj:

T’i lutemi Atit, që gjithë t’i përngjajmë nga pak Nënë Terezës. Sepse në këtë mënyrë, në Kosovën tonë të dashur, do të ketë më shumë përgjegjësi qytetare, më shumë mirëkuptim mes njerëzve, më shumë barazi dhe më shumë respekt për njeri-tjetrin. Jo vetëm kaq, por do të ishte ndryshe shumëçka tjetër në këtë vend:

– Të varfëritë, nuk do të përbuzeshin me një ndihmë sociale, që më shumë i poshtëron se sa i ndihmon.

– Të sëmurit rënd, nuk do të bridhnin skajeve të botës për të siguruar shërimin,

– Djemtë dhe vajzat e reja nuk do ta hapnin zemrën e tyre ndaj urrejtjes dhe s’do të shkonin në luftërat e huaja.

– Donjeta do të jetonte akoma dhe nuk do të linte të trishtuar zemrën e prindërve të saj.

– Çunin e vogël Ylberin, s’do ta varrosnin sot, në tokën e ftohtë, por do të ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët e vet.

– Nuk do të kishim festa të “fundvitit”, por Krishtlindje e Vit të Ri.

– Rreth kësaj Katedrale nuk do të kishte makineri e baltë, ngrehina dhe kazanë mbeturinash, por do të kishte më shumë lulëzim e ndriçim.

– Ndriçimi i qytetit të Prishtinës, s’do të ndalej te Hotel Grandi, po do të vinte deri këtu ku ka Krishtlindje.

– Eh sa do të kishte më pak dhimbje, më pak ngatërresa, më pak hidhërim e më pak padrejtësi në familje tona dhe në këtë vend, po t’i ngjanin Nënë Terezës, dhe po të frymëzonin shpirtin e zemrën në Krishtin, princin e paqes?”

Pas meshës besimtarët u ndalën, thuajse të gjithë, katolik e jo katolik, që ishin të pranishëm në meshë, për të shkëmbyer urimin e festës, duke marr nga një gotë verë të vluar në kriptën e Katedrales, sipas traditës që tashmë bëhet në vigjiljen e Krishtlindjes.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »