Besimi rritet

Dec 30 • Meditimi i ditës

30 dhjetor 2015 – e mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga frika dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala e Zotit

 

Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 2, 36-40

 

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

 

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Merre me mend gëzimin e Anës! Kaq shumë vite me besnikëri kishte jetuar në tempull. Njerëzit e shihnin, ishte “pjesë e inventarit të familjes.” Ajo në mënyrën e vet është grua e shenjtë. Dhe pastaj vjen ky moment nga zëllimi kur e njeh Zotin që është i pranishëm në formë njerëzore. I flet çdo njërit për këtë. Edhe unë duhet të flas për Hyjin të lindur në botën e sotme.

      – Maria duhet të ketë reflektuar pafundësisht në zemrën e vet në lidhje me fëmijën e vet. Është aq i thjeshtë: ha, fle, luan, qesh dhe qan. Mëson shpejtë, është fëmijë i bekuar. Por, a është premtimi i engjëllit i vërtetë: se ai është në të vërtetë Biri i Hyjit? Si është kjo e mundur? E me gjithatë, ka grimca vërtetimi: bekimi i Elizabetës, engjëjt dhe barinjtë, mbretërit nga lindja, dhe tani Simoni dhe fjalët e Anës. Marisë i është dhënë mjaftueshëm që të mund të besojë, kështu edhe ne.

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »