Martesa dhe familja në ndryshimet e mëdha të kohës sonë dhe sfidat për Kishën në Shqipëri

Dec 30 • Familja

 

  1. Hyrje

Shumë të dashur vëllezër e motra!

Së pari falenderoj arqipeshkëvin tuaj Imzot Massafrën, që së bashku me Don Raffaelen më kanë ftuar në këtë ngjarje, në një ditë të veçantë për ne katolikët, sikurse është e Kremtja e Familjes së Shenjtë të Nazaretit. Përshëndes edhe të gjithë meshtarët e motrat e pranishëm dhe secilin prej jush duke ripërtërirë urimet e mia për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2016. Kthehem me shumë kënaqësi në Shkodër, e sidomos në këtë Katedrale që, vazhdoj ta përsëris, është një nga simbolet më të fuqishme të katolicizmit shqiptar në këto dy shekujt e fundit të historisë së Kishës së Krishtit në vendin tonë. E kënaqësia e gëzimi im shtohet për faktin se do të prekim një temë shumë të rëndësishme e do të ndajmë disa mendime, që nuk kanë aspak pretendimin të jenë shteruese, por thjeshtë mendimet e një meshtari, vëllai dhe njeriu që në jetën e tij ka një mision atë të shpalljes së Fjalës së Zotit, arësye për të cilën çdo meshtar është i thirrur. Shpresoj që këto fjalë të nxisin sadopak reflektimin e secilit prej nesh.

  1. Kisha dhe familja

Tema për të cilën jemi mbledhur sot në këtë fundvit, dhe që ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për jetën e Kishës, por do të thoja për jetën e planetit, është ajo e familjes. Një temë kjo që e ka parë të angazhuar Kishën Katolike në këto dy vitet e fundit, falë vullnetit dhe dëshirës së papës Françesku për të reflektuar të gjithë së bashku rreth saj. Në fakt Papa Françesku, në harkun kohor të një viti, ka thirrur dy Sinode rreth temës së familjes. Një Sinod i Jashtëzakonshëm i cili u mbajt në tetor të vitit 2014, që si frut të tijin pati edhe një reformë në disa çështje juridike që kanë të bëjnë me ndihmën që mund t’u jepet atyre familjeve apo çifteve që janë në momente të vështira dhe që duan të dijnë me shpejtësi e pa u vonuar të vërtetën e martesës së tyre, e cila për shumë arësye mund të ketë dështuar. Por mbi të gjitha ai Sinod i Jashtëzakonshëm, si rrallë ndonjëherë mund të themi se, “hapi letrat” dhe shtroi të gjitha çështjet për diskutim, ato çështje që më së shumti sot kanë të bëjnë me familjen. Një sinod, që sikurse na thonë dëshmitarët, një prej të cilëve e kemi edhe këtu, Imzot Massafra, ishte i hapur në diskutime me atë llojsjelljeje që në Ungjill quhet parresia, pra të folurit hapur dhe pa doreza.

Por Papa thirri edhe një Sinod tjetër, për të njëjtën çështje dhe ishte Sinodi i këtij viti, nga data 4 tetor deri me datë 25 tetor në Romë. Edhe ky Sinod u përqendrua rreth temës së familjes në të gjitha dimensionet e saj. Ai Sinod mblodhi të gjitha sygjerimet që kishin ardhur nga e gjithë bota, por gjithashtu etërit pjesmarrës hapën e diskutuan edhe çështje të tjera duke na dhënë edhe një relacion të Sinodit. Tani po punohet që rezultatet e atij Sinodi të përkthehen edhe në gjuhën shqipe e të jenë si një udhërrëfyes për ne meshtarët, e pse jo për të gjithë popullin e Hyjit.

Në traditën e saj Kisha e ka parë gjithmonë familjen si një realitet që ka të bëjë drejtëpërsëdrejti me shëndetin e shoqërisë. Konçili II i Vatikanit i ka kushtuar familjes dhe martesës një vend të rëndësishëm në Kushtetutën Konçiliare Gaudium e spes, rreth Kishës në botën bashkëkohore. Konçili, pasi flet për njeriun, për dinjitetin që ka personi njerëzor dhe se çfarëdetyrash ai ka për të përmbushur mbi tokë, në hyrjen e pjesës së dytë të këtij dokumenti, thotë se: “Ndërmjet çështjeve të shumta që sot ngjallininteresin e përgjithshëm, ata që meritojnë një përmendje të veçantë janë: martesa dhe familja, kultura njerëzore, jeta ekonomiko-shoqërore, jeta politike, solidariteti ndërmjet kombeve dhe paqja.” (GS, 46). Në krye të listës së këtyre problemeve, apo çështjeve sikurse i quan Konçili, është pikërisht martesa dhe familja. E do të thoja që martesa dhe familja jo vetëm janë në krye, por përbëjnë edhe themelin e çështjeve të tjera që vijnë më pas. Në fakt në numrin 52, në po të njëjtin dokument thuhet: “… familja, në të cilën brezat e ndryshëm takohen dhe ndihmohen në mënyrë të ndërsjelltë, që të mbërrijnë një urti njerëzore më të plotë dhe të harmonizojnë të drejtat e personit me kërkesat e tjera të jetës shoqërore, është përnjimend themeli i shoqërisë” (GS, 52). Familja është pra sipas etërve të Konçilit II të Vatikanit “themeli i shoqërisë”.

Po sot, pas 50 vjetësh nga kremtimi i Konçilit, a është familja ende themeli i shoqërisë, ose më mirë të themi a ka pësuar tronditje ky themele, a ka të çara strukturore dhe çfarë mund të bëjmë nëse ka? Nuk do të mjaftonte koha të analizonim hollësisht çdo pyetje e çështje që del në pah. Unë do të ndalem në dy pika. Në atë çka Shkrimi i Shenjtë, e në mënyrë të veçantë Jezusi në Beslidhjen e re, na thonë për familjen, për të kaluar në një pikë të dytë, atë të përgatitjes për martesë, që përbën themelin e një familje të mirë.

  1. Fjala dhe familja

Familja në Shkrimin e Shenjtë është një realitet i rëndësishëm, por që me kalimin e kohës dhe të shekujve ka pësuar mjaft shndërrime e, po ashtu, ka kaluar nëpërmjet shumë problemesh. Pranë hebrenjve, sensi i përkatësisë në familje identifikohej jo aq me familjen e ngushtë, pra atë nukleare që kemi ne përgjithësisht sot, babë nënë dhe fëmijë, por me klanin, apo fisin, sikurse ka qenë edhe te ne deri para pak vitesh. Ishte familja e madhe qëndra e jetës së popullit të Hyjit. Në familje mësoheshin traditat, mësohej edukimi e mbi të gjitha në familje mësohej për Zotin. Ishte gjyshi që i përcillte nipit mrekullitë, punët e mëdha që Zoti kishte bërë në jetën e popullit të tij. Nuk mund të harrojmë se si Shkrimi i Shenjtë ka marrë pikërisht martesën dhe familjen për të përshkruar edhe lidhjen ndërmjet Zotit dhe popullit të tij (Ozea, Isaia, Kënga e këngëve). Gjuha martesore dhe familjare, në shumë raste, bëhet gjuha nëpërmjet të cilës ne orvatemi të kuptojmë edhe marrëdhënien njeri-Zot, sidomos në gjuhën e shkrimeve të mistikëve. Kemi lexuar në këto ditë Krishtlindjesh, në librin e Isaisë ,në meshën e mbrëmjes për datën 24 dhjetor këto fjalë: “E njimend sikurse i riu që martohet me të fejuarën e vet, kështu me ty do të martohet krijuesi yt, sikurse dhëndërri që i gëzohet nuses, kështu do tëgëzohet Hyji për ty” (Is 62,5). Zoti zgjedh të bëhet njeri në një familje dhe nëpërmjet një familjeje, familja e Marisë dhe e Jozefit. Po ashtu shenja e parë, mrekullia e parë e Jezusit, sipas Ungjillit të Gjonit, ndodh në një kontekst martese, pra familjar (Gjn 2,1-12). Ja pra se si këto shembuj dhe plot të tjerë e bëjnë martesën dhe familjen një realitet të privilegjuar dhe themelor për kuptimin e jetës njerëzore e të marrëdhënies së Zotit me njeriun.

Por gjithashtu, ne nuk mund të mos konstatojmë se historia e shëlbimit na tregon edhe një realitet tjetër që fsheh shpesh hije në jetën familjare.

Mund ta nisim pikërisht nga Adami dhe Eva, të cilët në egoizmin e tyre për t’u bërë si Zoti, në fakt, humbën edhe një marrëdhënie të shëndoshë me njëri-tjerin. “Gruaja që ma dhe për shoqe ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra” (Zan 3,12). Nga një shoqëri e mirë me Zotin dhe në harmonime njëri-tjetrin, ata humbin edhe Zotin edhe harmoninë me njëri-tjetrin.

Po ashtu, krimi i parë në historinë e shëlbimit, është ai i vllavrasjes, ndërmjet Kainit dhe Abelit (Zan 4). Shkaku është xhelozia ndaj vëllait, por edhe kulti i papërsosur ndaj Hyjit. Duke mos ditur si të falenderonte Hyjin, ai bëhet xheloz edhe ndaj vëllait të tij, i cili i kushtoi Hyjit fli “prej të parëlindurve të grigjës së vet”, pra më të mirën e mundshme.

Po ashtu, Abrahami, që për ne është modeli i besimtarit, i atij që beson pa kushte e që madje është gati të flijojë edhe djalin e vet, por që më parë mohon se e ka për grua Sarën para faraonit nga frika se mos ai e vret (Zan 12,10-20).

Historia e djemve të Izakut, Jakobi dhe Ezau, i cili e shet trashëgiminë e tij për një pjatë gjellë, e po ashtu mashtrimi me të cilin Jakobi merr bekimin e Izakut të verbër e më pas konflikti për vdekje i dy vëllezërve (Zan 26 – 27).

Nuk është më pak e trishtë historia e Jozefit me vëllezërit e tij, të bijtë e Jakobit. Këta të fundit e shesin vëllanë e tyre Jozefin duke ia plasur zemrën të atit, sepse Jozefin e kishte veçanërisht për zemër (Zan 37,12 – 36). Xhelozia, ashtu sikurse Kainit, ua verbon sytë dhe zemrën edhe këtyre e nuk gjejnë rrugë tjetër përpos ta eleminojnë vëllanë e tyre.

Historia e Ozesë profet, i cili urdhërohet prej Zotit që si shenjë profetike të martohet me një prostitutë duke lindur edhe fëmijë me të.

Historia e Jobit, i cili goditet nga fatkeqësi familjare, pasi i ikën, jo vetëm pasuria, por edhe jeta e fëmijëve të tij. Një grua e cila i thotë të mos ketë më besim në atë Zot që i shkaktoi kaq të këqija.

Bibla është vërtet një minierë e pasur me historinë e familjes e do të thoja është një histori e familjes. Shembujt e mësipërm dhe të tjerë shembuj na tregojnë se si mëkati dhe e keqja gjithmonë e ka sulmuar familjen dhe është munduar të zhbëjë pikërisht këtë shenjë të dashurisë së Hyjit. Por, në të gjitha këto raste, ne mund të shikojmë që Zoti pavarësisht nga e keqja e njeriut, arrin gjithmonë të vendosë vulën e fundit. Edhe nga këto konflikte familjare ka dalë diçka e bukur për Hyjin dhe për njeriun.

Është brenda kësaj tradite biblike edhe Jezusi kur në ligjërimin e tij na flet për marrëdhëniet familjare. Është një ikonë biblike, që më pëlqen të ndaj me ju sonte, ku shohim Jezusin i cili na tregon se çfarë raporti ka ai me familjen e tij dhe me familjen në përgjithësi.

Pjesa biblike është marrë nga Ungjilli i Lukës, që është edhe Ungjilli i këtij viti, në kapitullin 8, 19-21:

Nëna e tij dhe vëllerëzit e tij erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit. E lajmëruan: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë jashtë e dëshirojnë të të shohin. Ai u përgjigj: “nëna ime dhe vëllezërit e mi – janë këta – që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit”.

Nuk mendoj se për ndonjë çast Jezusi ka harruar origjinën e tij familjare, gjakun e tij. Jezusi ishte një hebre i mire, hebre me të gjitha atributet, për të cilin familja, gjaku, klani ishin të rëndësishme. Ai shkon me prindërit e tij në tempull në Jeruzalem në kohën e caktuar për të kremten e Pashkëve (Lk 2,41 – 52).

Jezusi, bashkë me Nanën e tij, shkon në një dasëm në Kanë të Galilesë (Gjn 2,1-12). Po ashtu në momentin më të vështirë të tij, pikërisht mbi kryq, ai nuk harron të kujdeset për Nënën e tij (Gjn 19, 26-27). Besëlidhja e re vlerëson marrëdhëniet familjare ndërmjet Elizabetës dhe Marisë duke na treguar faktin se ata ishin kushërira (Lk 1,36).

Kujdesi i Jezusit për familjen shihet në rastin kur ai kritikon për hipokrizi ata që në vend që të mbajnë urdhërimin e Hyjit për të nderuar nanën e babën thonë: “Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall korban – dmth – dhuratë të shenjtë  – ndihmën që ju takon prej meje, atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babës dhe nënës” (Mk 7, 10-12).

Jezusi po ashtu shëron vjehrrën e Pjetrit, duke vlerësuar kështu këtë marrëdhënie familjare e duke bujtë në atë familje.

Po ashtu ai kupton dhe jeton me dhimbjen familjare të vejushës së Nainit të cilës i vdes i biri (Lk 7,11-17) e të Jairit me të shoqen të cilës i vdes vajza (Mt 9,18-19).

Po atëherë si shpjegohen këto shprehje të Jezusit, që madje në Ungjillin e Markut janë edhe më të forta se sa këtu?

Kjo pjesë, që lexuam, gjendet në një kapitull, në të cilin Jezusi u flet dëgjuesve të tij rreth mbretërisë së Hyjit dhe rreth nevojës së dëgjimit dhe zbatimit të Fjalës së Hyjit (Lk 8, 1- 50). Jezusi ka ardhur të sjellë një risi, një realitet tëri. Ai ka ardhur tëshpallë Mbretërinë e Hyjit. Pikërisht në këtë kontekst ai interpreton realitetin familjar duke i dhënë atij nuanca të reja. Në këtë realitet të ri, lidhja e gjakut nuk është më e mjaftueshme. Mesazhi i Krishtit tashmë është universal dhe i lidh njerëzit, jo në sajë të një populli apo të një klani, por në sajë të Fjalës së tij. Duhet diçka më shumë që të funksionojë, përveç lidhjes së gjakut. Çfarë i nevojitet tanimë familjes së re që Jezusi ka ardhur të shpallë? Përgjigja është dëgjimi dhe zbatimi i Fjalës së Hyjit (Lk 8, 21). Familja e re nuk e zhvlerëson të vjetrën, përkundrazi e integron atë, e përfshin, por në të njëjtën kohë e lartëson duke vendosur në qendër Fjalën e Hyjit.

Ja, të dashur vëllezër e motra, që ne nuk mund të flasim vetëm për një familje natyrore, e cila ka rëndësinë e vet të madhe e që Kisha e vlerëson maksimalisht, por për ne të krishterët kjo familje është shprehje e Mbretërisë së Hyjit, sepse në qendër nuk ka më mishin e gjakun, por fjalën e Hyjit të gjallë, Jezu Krishtin. Kjo familje e re do të thoja është vetë mbretëria e Hyjit. Jezusi nuk ka për qëllim të krijojë një familje të re, por një model ndryshe të familjes. Ai bën të re atë familje që gjen në jetën e njerëzve e ripërtërin atë. Jezsui nuk bën gjëra të reja, por i bën të reja gjërat që janë (Zb 21,5).

Ia vlen të shikohen dy elementë të rëndësishëm të kësaj pjese të Unjgillit të Lukës. Familja e re që Jezusi ka inauguruar është një familje që dëgjon dhe jeton fjalën e Hyjit: dëgjimi dhe zbatimi. Nga dëgjimi i Fjalës vjen feja (Rm 10,17). Dëgjimi është edhe urdhërimi i parë që i jepet Izraelit: shema Izrael (Lp 6,4). Vetëm në sajë të këtij dëgjimi, Izraeli ka mundësi të jetë një popull, një popull i lidhur me Hyjin e tij. Vetëm në sajë të dëgjimit të Fjalës, mund të jetojë e të forcohet një familje. Një familje që ka Fjalën e Hyjit në qendër është shprehje e Mbretërisë së Hyjit. Jezusi këmbëngul mbi dëgjimin e fjalës që është mëi rëndësishëm se sa lidhjet e gjakut, madje i themelon e i përforcon ato. Të njëjtën gjë ai shpreh kur një grua nga turma i thotë: “Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe”. Ai u përgjigj: “Madje të lumët ata që dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë atë”. (Lk 11,28).

Por, le të hyjmë pak më thellë në këtë aspekt të dëgjimit. Ftesa e Jezusit për dëgjim lidhet ngushtë sikurse e thashë me ftesën e Jahveut, Hyjit të Izraelit drejtuar popullit të tij: dëgjo Izrael. Të dëgjosh, do të thotë, më së pari të heshtësh. Vetëm kush është i aftë të heshtë është i aftë edhe të dëgjojë. Ne ia mohojmë shpesh vetes këtë luks duke e mundur heshtjen me anë të fjalëve tona, me anë të “zhurmave” të jetës së përditshme, që shpesh kthehen në pengesë për një dëgjim të vëmendshëm. Në kontekstin e familjes ky dimension i dëgjimit është themelor. Jo vetëm në kuptimin e dëgjimit të Fjalës së Hyjit, por edhe të dëgjimit të ndërsjelltë. Familja dhe çdo komunitet nuk mund të ndërtojë baza të shëndosha nëse individët, që i përbëjnë nuk janë të ushtruar në artin e dëgjimit reciprok. Dëgjimi nuk është vetëm ushtrimi i aftësive të veshëve, nuk është vetëm një perceptim fizik i fjalëve që nxjerr tjetri, por dëgjim në kuptimin më të thellë, që do të thotë pjesëmarrje në atë çka tjetri thotë dhe jeton. Në gjuhën shqipe ka një lidhje të fortë ndërmjet fjalër ndjej dhe ndiej. Është pothuajse e njëjta fjalë. Të ndishë tjetrin do të thotë të ndjesh tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë ne mundemi të dëgjojmë edhe atëherë kur tjetri nuk flet apo flet përçart, apo thotë gjysma fjalësh, apo thjesht hesht.

Në shumë familje ka probleme, sepse pakush nuk është i gatshëm të dëgjojë arsyet e tjetrit, por dëgjon vetëm arsyet e veta.Vetëm në diktaturë nuk dëgjohen arsyet e tjetrit, nevojat dhe mënyrën se si tjetri e sheh realitetin dhe jetën. Jeta o ndërtohet bashkë ose ajo gjithmonë do të jetë mbi themele të brishta dhe do të shkaktojë palumturinë e anëtarëve të familjes. Sipas asaj çka na thotë Fjala e Zotit është “I lumë ai që dëgjon fjalën e Zotit dhe e zbaton atë”. I lumë pra është ai që dëgjon.

Të dëgjosh do të thotë t’i japësh rëndësi tjetrit dhe ai të zërë vend në jetën tënde. Nuk do të thotë vetëm të lash duart se e dëgjove, por edhe të kuptosh arsyet e vërteta se pse po flet e çfarë po thotë. Jam i bindur se sot shumë familje apo bashkësi do të zgjidhnin shumë probleme nëse do të kishin aftësinë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe jo vetëm zërin e vet.

Shoqëria shqiptare post-komuniste nuk është e aftë të dëgjojë. Kjo vjen si refuzim ndaj faktit që për 50 vjet është dëgjuar vetëm një zë e të tjerët kanë heshtur. Vjen si reagim, do të thoja, fakti që njerëzit kanë krijuar një kakofoni, flasin të gjithë e nuk dëgjon askush. Modeli autoritar që ka zotëruar në shumë familje dhe në shoqërinë shqiptare nuk shkon më dhe nuk është më model i pranueshëm në realitetin e sotshëm. Kërkohet një mënyrë e re se si familja të jetojë dhe ky është pjesëmarrja e të gjithëve në jetën e familjes me përgjegjësi, të drejta dhe detyra.

Me keqardhje konstatoj se shumë prindër sot nuk dëgjojnë bijtë e tyre ose i dëgjojnë ata në gjithçka e po ashtu shumë bij nuk arrijnë të dëgjojnë prindërit e tyre. Sot në familje komunikohet shumë pak e kjo për shkak edhe të tekonologjisë që si një virus ka hyrë në shumë shtëpi. Shumë të rinj, burra dhe gra, sot hyjnë nga dera e shtëpisë dhe dalin nga dritarja e internetit vetëm thjesht për të mos ndejtur në shtëpi, për të mos u përballur me familjen dhe me heshtjen që gjejnë aty brenda, për të mos u përballur me një shikim a një fjalë të prindërve, vëllezërve motrave, bashkëshortes apo fëmijës.

Të rikthesh dëgjimin e Fjalës dhe të njëri-tjetrit në qëndër të familjes do të thotë të lësh Tjetrin me T të madhe, Zotin, që të flasë e po ashtu të dëgjosh edhe zërin e të tjerëve që kërkojnë komunikimin me ty.

Fjala e Hyjit është si shiu dhe bora – na thotë Isaia në librin e tij – që “… zbret nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu fjala ime që del prej gojës time s’do të kthehet tek unë pa fryt pa pasë kryer gjithçka që më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atëçka e nisa” (Is 55, 10-11). Fjala që dëgjohet zen vend e ndryshon realitetin. Të zbatosh Fjalën e Hyjit do të thotë pikërisht këtë: ndryshimi i jetës. Këtu na ndihmon përsëri gjuha shqipe: ndigjimi kthehet në ndigjesë. Ajo fjalë kërkon nga unë që t’i bindem, pra ta dëgjoj. Fjala e Zotit i jep formë, e ndryshon jetën tonë dhe e ripërtërin atë. Një familje, që i lëshon vend Fjalës së Hyjit, dëgjimit të saj, është një familje e ripërtërirë, e ndryshuar dhe më e fortë.

Ka edhe një aspekt tjetër, që do të doja të theksoja në këtë bashkëndarje me ju. Duke quajtur familjarë të tij të gjithë ata që dëgjojnë dhe zbatojnë fjalën e Hyjit, Jezusi zgjeron kufijtë e familjes. Gjithnjë e më shumë ne po asistojmë në familje nukleare, gjithnjë e më të vogla. Madje edhe vëtë familja nukleare (babë, nënë një ose dy fëmijë) lehtësisht po ndahet e shpërbëhet e për këtë mjaftojnë pak seanca gjyqi me pretekste shpesh edhe banale. Familja që jeton me Fjalën e Hyjit dhe ka themelin në besimin që vjen nga dëgjimi i kësaj fjale, është një familje e hapur në kuptimin e bashkëndarjes dhe solidaritetit me të gjithë familjet e tjera. Ne nuk mund të jetojmë vetëm e nuk mund të shëlbohemi vetëm. Shumë familje sot janë në krizë, sepse janë vetëm. Shumë çifte sot lihen vetëm, ose kërkojnë të lihen vetëm, e atëherë ndarja është më e thjeshtë. Familja që kërkon Jezusin, është një familje e cila kalon kufijtë dhe hyn në marrëdhënie me familje të tjera, pikërisht për shkak të Fjalës që na bashkon të gjithëve. Në këtë pikë bëhet e domosdoshme edhe hapja ndaj jetës, ndaj jetës që ngjizet dhe ndaj asaj që lind.

  1. Martesa dhe familja

Konçili II i Vatikanit vendos së bashku martesën dhe familjen e në të njëjtën kohë, duke përdorur dy fjalë të ndryshme, edhe i dallon ato. Lidhja ndërmjet martesës dhe familjes është një lidhje organike. Nuk mund të ketë një familje të mirë pa një martesë të mirë. Është rasti ndoshta në këtë moment të ndalemi pak rreth martesës për të parë lidhjen e fortë që ajo ka me familjen. Aktualisht shoqëria shqiptare dhe ajo njerëzore, sidomos në perëndim, po kalon momente të veçanta në lidhjeme këtë institucion kaq të rëndësishëm.

Martesa në jetën e krishterë është një pactum, një foedus, një besëlidhje, e cila na kujton besëlidhjen e dashurisë ndërmjet Zotit dhe popullit të tij. Është pakti ndërmjet një burri e një gruaje për gjithë jetën. Sinodi i fundit i Ipeshkvijve na përforcon bindjen se “Martesa e krishterë nuk mund të reduktohet në një traditë kulturore apo vetëm në një marrëveshje të thjeshtë juridike: është një thirrje e vërtetë e Hyjit që kërkon një shohitje të kujdesshme, lutje të vazhdueshme dhe një pjekuri të duhur” (Relatio Synodi, 57). Gjithnjë e më shpesh sot martesa ngatërrohet me dasmën apo vetëm me momentin e kremtimit të saj në Kishë apo në gjëndje civile. Shumë të rinj sot vijnë dhe thonë: duam të bëjmë martesën në Kishë. Por ajo nuk është martesa, ajo është vetëm kremtimi i martesës. Një pjesë e dasmës edhe pse shumë e rëndësishme dhe themelore, nuk mund të shterrojë atë çka martesa është në vetvete. Bisedat që bëhen për martesat zakonisht janë, data, dita, ora, restoranti, Kisha, dëshmitarët, sa krushq do të shkojnë me marrë nusen e sa do ta shoqërojnë, sa zbukurime do të bëhen etj etj. Janë të gjitha përgjithësisht gjëra materiale.

Por, të dashur vllezër e motra, unë dua sonte të pyes veten edhe juve: Sa prindër sot pyesin veten: a është vajza ime apo djali im i gatshëm për një jetë bashkshortore? Ai dinë ata cilat janë angazhimet e martesës, detyrat njerëzore, civile dhe ato të krishtera? A është i përgatitur i riu apo e reja për një lidhje që zgjat gjithë jetën, në të mirë e në të keq? Frikë kam se shumë prindër nuk ia bëjnë vetes këtë pyetje ose nuk kanë dëshirë ta bëjnë, duke menduar se rritja në moshë është automatikisht tregues edhe i pjekurisë, çka nuk është e vërtetë. E nëse kësaj i shtojmë pyetje të tjera, se a janë të gatshëm të rinjtë sot të përjetojnë martesën si sakrament e çfarë do të thotë kjo gjë, mendoj se janë shumë të paktë ata që bëjnë këto pyetje, madje edhe brenda grupeve rinore të famullive tona.

Mendoj se përveç rrethanave të vështira që janë krijuar sot për martesat dhe për ndërtimin e familjes, mungesa e përgjigjes, apo akoma më shumë, e shtrimit të pyetjeve të mësipërme ka bërë që shumë martesa dhe çifte të reja të dështojnë në përpjekjen e tyre për të krijuar familje. Janë në shtim rastet e divorcit dhe shumë prej tyre janë çifte të reja që kanë pak vite që kanë nisur rrugëtimin e tyre bashkëshortor dhe familjar.

Shkaqet janë nga më të shumtat, por shkaqet e vërteta nuk janë gjithmonë ato që thuhen. Janë më të thella si p.sh. mungesa e kuptimit të asaj çka do të thotë martesë, frika e marrjes së një angazhimi për të gjithë jetën, që tregon frikë nga vendimet përfundimtare në jetë. Prandaj që në shumë raste martesat ose dështojnë ose bëhen të pamundura, edhe kur vazhdojnë, duke u zvarritur. Në vend pastaj, që të shikohet se si mund të ndihmohet një çift që të gjejë veteveten, thellohen edhe më shumë krizat pasi ndërhyjnë atëherë shumë persona duke e bërë gjithnjë e më të vështirë jetesën në familje.

Shumë të rinj edhe pse me trup e me moshë janë të gatshëm për martesë, pjekuria e tyre psiko-afektive dhe shpirtërore është e pamjaftueshme për të përballuar një jetë së bashku.

Kërkimi i përgatitjes për martesë është një gjë themelore në kohët që po kalojmë. Kërkimi i përgatitje për martesë nuk është vetëm një detyrim, apo një pengesë që Kisha ka për të mos kremtuar martesën. Shumë të rinj e familje e shohin kërkesën e Kishës për përgatitje si një gjë të kotë, burokratike, nganjëherë si një pengesëe madje edhe shkandull. Por, po ata njerëz, kur pas pak muajsh apo pak vitesh shohin se të rinjtë nuk po ecin, se djali dhe nusja nuk po shkojnë mirë, se në familje krijohet një gjëndje e pajetueshme, atëhere u bie ndërmend se ndoshta famullitari kishte pasur të drejtë.

Po çfarë do të thotë përgatitje për martesën?

Do të doja tani t’ju parashtorja në mënyrë sintetike disa aspekte mbi përgatitjen për martesë të cilin na e ka dhënë Gjon Pali II në Porosinë apostolike Familiaris Consortio. Në nr 66 dhe 67 na jepen kriteret e përgatitjes së të rinjëve për martesë.

Në këtë dokument shumë të vlefshëm, saqë edhe Relacioni i Sinodit të fundit në numrin 57 e ka cituar dhe e ka riparashtruar si të vlefshëm për kohën e sotshme, Papa Gjon Pali II vë në dukej faktin se në shumë vende  “janë edhe vetë familjet që sipas zakoneve të lashta kujdesen për t’u përçuar të rinjëve vlerat që i përkasin jetës martesore e familjare, nëpërmjet një vepre edukimi apo fillimi të jetës së krishterë të bërë shkallë shkallë” (FC, 57).

Është baza e parë e edukimit për martesë. Në familje edukimi për martesën nuk duhet të nisë kur vajza apo djali të zbulohen se kanë filluar të dashurohen.Vetëm atëherë shumë prindërve i’u bie ndërmend se duhet të flasin me fëmijët. Përgatitja në familje është qysh në hapat e pare, në mënyrë të veçantë me shembullin që bashkëshortët, gjyshërit të gjithë familjarët duhet tëjapin, të një modeli jetese shembullor. Fëmijët ndoshta nuk dëgjojnë se çfarë u thua, por shohin se çfarë bën ti. Sa prind sot janë të papërgjegjeshëm përballë fëmijëve të tyre? Nuk mendojnë se një ditë ata fëmijë do të rriten e do të shohin se si ti e ke trajtuar burrin apo gruan apo nënën apo babën dhe do të bëjnë të njëjtën gjë kur të rriten. Vetë përjetimi i martesës, i shkueshmërisë bashkëshortore është mësimi i parë që u jepet fëmijëve dhe të rinjëve në rritjen e tyre.

Papa pasi ka vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të familjes në edukimin për martesën, vë në dukej faktin që “..ndryshimet e ndodhura në gjirin e gati të gjitha shoqërive moderne kërkojnë që jo vetëm familja, por edhe shoqëria e Kisha të jenë të angazhuara në përpjekjen për t’i përgatitur siç duhet të rinjtë për përgjegjësitë e të nesërmes së tyre” (FC 66 shiko edhe Relatio Synodi 57 e pas.)

Çfarë ndryshmishe kanë ndodhur në fakt në shoqëritë tona e pikërisht në shoqërinë shqiptare? Mund të them se sot ka ndryshuar shumë mënyra se si të rinjtë e shohin jetën familjare. Nuk mund të them se janë gabim apo janë mirë. Nuk dua të jap një gjykim moral, por mund të them se shumë të rinj nuk e duan më modelin tradicional të familjes. Megjithatë, ata i rikthehen atij modeli sa herë që nuk ndjehen të sigurtë të ndërtojnë jetën e tyre. Modeli tradicional jep një lloj sigurie, por nuk mjafton. Të rinjtë duan të jetojnë një jetë familjare më të hapur dhe më në përshtatje me kohën, duke qenë se tashmë kanë parë edhe modele të tjera.

Ajo që ka ndryshuar shumë është edhe hierarkia e vlerave. Çfarë dua të them me këtë? Nëse më parë në familjen e madhe kishte pak rëndësi se kush ishte burri apo gruaja jote, pasi në fakt komandonte një për të gjithë e, rrogat fjala vjen, duhet të dorëzoheshin të gjitha te një person dhe vendimet merreshin prej tij. Sot të rinjtë që martohen kërkojnë më shumë autonomi në administrimin e gjërave e sidomos të edukimit të fëmijëve.

Ka ndryshuar modeli i punës dhe i angazhimeve. Ka ndryshuar koncepti i gruas që për shumë gjëra mund të them se ka pasur arritje pozitive edhe pse jo gjithmonë të kuptuara apo të jetuara pozitivisht.

Por, mbi të gjithë, po përjetojmë një fazë individualizmi të skajshëm, që do të thotë se në qendër të jetës së një njeriu nuk janë marrëdhëniet e tij, por vetja e tij, dëshirat dhe nevojat e individit i shkëputur nga bashkësia familjare apo ajo sociale. Në këtë prizëm gjithçka është e lejueshme, dhe tjetri për mua është vetëm një instrument e aspak një partner në rritjen dhe pjekurinë time. Kësisoj edhe familja apo martesa kthehen në stacione ndalese, që nëse nuk ecën si dua unë i hypi trenit e shkoj në një stacion tjetër.

Për t’i bërë ballë të gjitha sfidave, që bota bashkohore i ka vënë përpara martesës dhe familjes, nevojitet një përgatitje sa më e mirë e të rinjëve për martesë. Por jo vetëm. Në këtë situatë kërkohet një përgatitje gjithnjë e më e madhe edhe e atyre që kujdesen për familjet, sikurse çiftet e specializuara, meshtarët e motrat që kujdesen për baritoren familjare.

Papa Gjon Pali II dallon tre faza përgatitjeje. Faza e parë është përgatitja e largët, e cila fillon qysh prej fëmijërisë në atë pedagogji të urtë familjare për të cilën edhe folëm pak më parë.

Faza e dytë është ajo e përgatitjes së afërt, e cila prej moshës së përshtatshme dhe me katekezën e duhur, sikurse në një ecje katekumenale, përmban një përgatitje specifike për sakramentet. Kjo katekezë e përtërirë e atyre që përgatiten për martesën e krishterë është shumë e nevojshme me qëllim që sakramenti të kremtohet e të jetohet me gatishmëritë e duhura morale e shpirtërore. Në itineraret e katekezës, qysh në moshë adoleshenciale, madje me fillimin e pubertetit, duhet të ketë programe të veçanta, që shoqërojnë këto fëmijë dhe adoleshentë të hyjnë në një botëkuptim të krishterë, në një vizion njerëzor dhe të krishterë njëkohësisht, qoftë të përjetimit të trupit të tyre, të seksualitetit, por edhe të jetës familjare. Bëhet gjithnjë e më urgjente, sipas mendimit tim, shkëputja nga modelet tradicionale të edukimit nëpërmjet një moralizmi ndalues. Të rinjtë kanë nevojë për modele më shumë se sa për një moral.

Fazë e tretë është përgatitja e menjëhershme për kremtimin e sakramentit të martesës. Kjo duhet të bëhet në muajt dhe javët e fundit, që i paraprijnë dasmës, për t’i dhënë domethënie, përmbajtje e formë të re të ashtëquajturit shqyrtim paramartesor që kërkohet sipas ligjeve të Kishës. Mes elementëve që duhen komunikuar në këtë ecje feje, të ngjashme me katekumenatin, pra me përgatitjen për sakramente, duhet të jetë edhe një njohje e thelluar e misterit të Krishtit dhe të Kishës, të domethënies së hirit dhe të përgjegjësisë së martesës së krishterë, si dhe përgatitja për të marrë pjesë në mënyrë vepruese e të përgjegjëshme në ritet e liturgjisë së kurorës së martesës.

Kjo faza e tretë është ajo në të cilën në pjesën më të madhe reduktohet krejt përgatitja për martesë, e cila shpesh reduktohet në vetëm katër apo pesë takime e nganjëhëre asnjë takim. Kjo gjë e bën problematike çështjen e martesës dhe të përgatitjes për të, sidomos për ato familje apo të rinj që janë në emigrim. E këtu, sidoms për zonat e thella apo rurale, shtrohet shpesh problemi i emigracionit. Janë djem të rinj të cilët kanë qëndruar për vite me rradhë jashtë Shqipërisë e që duan të martohen në Shqipëri. Në pjesën më të madhe të rasteve nuk bëhet një shqyrtim i duhur për jetën e këtyre personave. Prindërit dhe vajzat mjaftohet me një takim apo dy takime në kafe për të vendosur. E më pas e dimë se çfarë dramash shkaktohen. Duhet menduar mirë para se të jepet fjala, duhet njohur tjetri dhe historia e tij. Duhet bërë përgatitja e duhur që martesa të mos kthehet në një ferr, por në një jetë të lumtur bashkëshortore, një jetë që qëndron bashkë në të mirë e në të keq, në shëndet të mirë e në sëmundje, derisa vdekja të mos i ndajë.

  1. Falja dhe familja

Jemi në fund të një viti e në fillimin e një viti tjetër jo vetëm civil, por mbi të gjithë të një viti hiri dhe e kam fjalën për Vitin Jubilar të Mëshirës. E këtu vetëm dua ta prek, por nuk mund ta trajtoj më tej, për arësye të kohës, çështjen e konflikteve familjare. Në këtë vit mëshire jemi të thirrur të lypim mëshirën e Hyjit, por edhe të japim faljen për njëri-tjetrin. Në këtë moment po mendoj disa raste që kam njohur e që janë vërtet drama familjare. Se si vëllai me vëllanë, motra me motrën, vëlla e motër, babë e bir, nuk flasin apo janë zënë për një copë tokë, për një gardh, për një truall, për një fjalë goje. Në disa raste janë rrahur e vrarë, e në të tjera raste, kanë vite që nuk hyjnë e dalin. Çfarë trishtimi? Çfarë dhimbje?  Si mund të kremtojmë Krishtlindje, Vit të Ri, Pashkë apo çfarëdo feste nëse gjendemi në këto situata? Përgjigja e Jezusit është kjo: “…lëre ofertën tënde para lterit e shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e më pas eja e kushto ofertën tënde”. Edhe nëse vëllai yt ka diçka kundër teje, pra edhe nëse nuk është faji yt të takon ty të shkosh. Ky të dashur vëllezër e motra është Ungjilli.

Ka vetëm një ilaç për marrëdhëniet familjare të plagosura dhe kjo është falja. Prandaj, unë ju ftoj me gjithë forcën time: kontaktoni famullitarin tuaj, e nëse thotë që nuk ka kohë mos u shkulni nga dera e tij derisa ai të gjejë kohën për ju, sepse nuk i duhet koha për gjë tjetër përveçse për besimtarët e tij, dhe thojini: “dua të pajtohem me Zotin dhe me vëllanë, motrën, babën, nanën, kushrinin, komshiun, burrin, gruan, fëmijën, tim. Më ndihmo!”

Ne kemi për detyrë t’ju ndihmojmë dhe nëse nuk  e bëjmë do të japim llogari të rëndë përpara Zotit. Vetëm falja, të dashur vëllezër e motra, shëron. Falja është forca e Zotit, është gjithpushtetësia e tij. E kjo falje mund të jetë edhe forca e jonë, sikurse edhe populli ynë ka thënë në mençurinë e tij në shekuj: i forti fal!

Për shumë vjet e faleminderit për durimin që patët për të më dëgjuar deri në fund.

(Ligjeratë në Takim me familjet e Arkidioqezës së Shkodrës, Kateralja e Shkodrës, 27 dhjetor 2015)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »