Maria, Nëna e Zotit të paqes

Dec 31 • LEXIMET E SË DIELËS

Shenjta Mari Nëna e Hyjit

Leximi parë (Nr 6,22-27)

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.”                      

Fjala e Zotit

 

Psalmi 67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

————————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

————————————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

————————————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

————————————————————-

 

Leximi dytë (Gal 4,4-7)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar.             

Fjala e Zotit

 

Ungjilli Lk 2,16-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës.

Fjala e Zotit

 

 POROSIA

Leximi parë

Në leximin e parë, shohim se Jahve kërkon nga Moisiu që priftërinjtë të mbledhur në kremtimet dhe të lartësojnë emrin e tij, mbi bijtë e Izraelit dhe Ai do t‘ i bekojë.

Ky bekim, duhej t‘ i vetëdijesonte njerëzit për të vërteten dhe për jetën e tyre, e cila rrjedh prej mirësisë së Zotit. Nëse do të vepronin kështu, Jahve do t‘ i ruajë. Kjo është detyrë dhe obligim i meshtarëve që të bekojnë dhe të përhapin lavdinë e Hyjit tek besimtarët që i shërben me shumë kujdes, dashuri dhe zemërgjerësi.

Kështu e kishte thënë edhe një meshtar: Mendoj dhe shpresoj që thirrja ime dhe puna ime është bekim për njerëzit dhe me shumë gëzim ua ndaj bekimin.

Leximi dytë

Në leximin e dytë shohim se si nëpërmes Marisë vjen shëlbimi që Jezusi të na bëjë të lirë në Zotin. I lirë je vetëm nëse vepron si na mëson Ai, i lirë je vetëm nëse jeton në hirin e Zotit dhe i kushtuar plotësisht Atij në jetën dhe veprimet tua, në angazhimet tua dhe i nënshtruar vullnetit të Atit.

Ungjilli

Në Besojmën apostolike, ndër të tjera themi për Krishtin: u lind, nuk u krijua sikurse gjërat tjera, Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, dhe krejt kjo na bën të kuptojmë që Jezusi është pjesë  e natyrës së përsosur të Hyjit. Pastaj Jezusi në kohën e caktuar u ngjiz për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe u lind prej Virgjërës Mari për ne dhe shëlbimin tonë. Ai mori natyrën tonë njerëzore, u bë i ngjashëm me ne përveç mëkatit. Për këtë dhuratë të Hyjit që i vjen në shërbim njeriut falënderojmë Zojen e bekuar që pranoi t‘ i nënshtrohet vullnetit të hyjit për të mirën tonë.

Zoja e Bekuar është Nëna e Hyjit dhe Nëna jonë. Kisha shenjte këtë festë e vendos të kremtohet menjëherë pas Krishtlindjes si një festë e cila ka domethënie të madhe. Të fillojmë vitin me Nënën e Zotit dhe ndërmjetësinë e saj. Ajo, si Nënë, vigjilon mbi ne, na ndihmon dhe lutet para Birit të saj për nevojat tona. Zoja e Bekuar, është mësuesja se si duhet të jemi në bashkëpunim me Hyjin dhe si duhet t‘ i nënshtrohemi vullnetit të Tij. Me ardhjen e Mesisë, nëpërmes Virgjërës Mari, fillon koha e re, fillon era e re në kalendarin kohorë.

Ne me ditën e sotme fillojmë një vit të ri. Nëpër mbarë boten shkëmbehen urime dhe dëshira më të mira, njerëzit përgatiten që në mënyrën me të mirën të festojnë me miq e dashamirë.

Ka shumë që parashohin dhe profetizojnë çfarë mund të jetë ky vit.

Por ne si të krishterë duhet të reflektojmë ndryshe, të shohim për vitin që shkoi çfarë ka qenë dhe si kemi vepruar, të shohim të mirat de të këqijat që kemi pasur apo kemi përjetuar.

Të falënderojmë Zotin për çdo gjë dhe të ‚ i lutemi për një vit të mbarë, të bekuar e mbi të gjitha duke iu nënshtrua vullnetit të Hyjit dhe duke kërkuar ndihmën e Nënës sonë qiellore që të ndërmjetësojë për ne para Birit të saj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit.

Kështu në shoqëri me Zojen e bekuar-Nënën e Zotit dhe Nënën tonë do të ecim të sigurt në jetë.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër e motra, t‘ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm, të gëzuar për dhuratën e shëlbimit nëpër mes Jezu Krishtit: le të na dhuroj Hyji Atë bekime dhe hire neve dhe të gjithë botës. Të themi së bashku:

Bekoje o Zot, popullin tënd!

 

–     Për Kishën tënde: që të jetë besnike mësimit  të Mësuesit të vet dhe që Lajmin e tij të gëzueshëm t‘ ua shpall të gjithë popujve, të lutemi:

–       Për udhëheqësit e popujve, që të jenë ndërtues të paqes të bazuar në drejtësi, në të vërtetë, dashuri dhe solidaritet, të lutemi:

–       Për shtete dhe popuj që gjenden në luftëra të ndryshme, që të largojnë urrejtjen dhe armiqësinë dhe të përpiqen për një jetë sa më të mirë për të gjithë, të lutemi:

–       Për të gjithë popujt e botës që duke u përkujdes për gjërat tokësore mos t‘ i harrojnë obligimet që sjellin gëzimin dhe jetën me Zotin, të lutemi:

–       Për ne këtu të pranishëm që të mundemi sikurse Zoja e bekuar ta ruaj Fjalën tënde në zemër dhe të jetojmë nën përkujdesën tënd, të lutemi:

–       Për të gjithë të vdekurit tanë, që t‘ i lirosh nga të gjitha prangat për të jetuar të lirë në Mbretërinë tënde, të lutemi:

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, burim i paqes dhe i gëzimit, ktheje shikimin tënd plot hire kah ne dhe na beko. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Dom Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »