Midis së vjetrës dhe së resë

Dec 31 • Meditimi i ditës

31 dhjetor 2011 – E enjte, Shën Silvestri, Nata e Vitit të Ri, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Teksa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,

Ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.

Disa minuta do të qëndroj në heshtje,

dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Do të mundohem që bile pak t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vë në dorën e Hyjit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen tu siguroj hapësirë dhe kohë. 

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Shpesh themi qe është vështirë të lutesh, sepse nuk mund ta paramendojmë apo ta imagjinojmë Hyjin. E pra, Hyji e sheh këtë problem dhe e portretizon veten në mënyrë të përkryer në Jezusin. Tani e dimë se çfarë mendon Zoti për ne dhe sa na do. Marr vendim për Vitin e ri: në vitin që është para meje do të mundohem më shume ta njoh Jezusin.

– Jezusi e sjell Hyjin në mënyrë të plotë në këtë botë. Ai jeton ndër ne, në tokën, qytetin, fqinjësinë tonë. Dashuria dhe drita e tij rrezatojnë gjithkund. Të gjithë ne kjo na ka ndryshuar.

– Tradita jonë e krishtere na mëson që Hyji u bë njeri në mënyrë që njerëzit ta pranojnë hyjnizimin. Do të lus hirin përmbyllës në këtë vit që kjo e vërtetë e mrekullueshme të hyjë sa me thellë ne mua.

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, qëndro pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.
Faleminderit pse më do.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »