Ai na e dha zotësinë të bëhemi bijë dhe bija të Hyjit

Jan 1 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela II pas Krishtlindjes

Leximi i parë   Sir 24, 1-4.12-16

Lexim prej Librit të Siracidit

Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.

Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve.

Fjala e Zotit.

 

Psalmi  147

Ref:  Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne

————————————————————

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,

madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,

i bekoi bijtë e tu në ty!

———————————————————

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,

ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,

lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

——————————————————–

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,

drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:

asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

———————————————————

 

Leximi i dytë  Ef 1, 3-6.15-18

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.

Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; 

lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë. 

Aleluja!

 

+ Ungjilli  Gjn 1, 1-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.

Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet.                         

Fjala e Zotit

 

POROSIA

I dashur besimtar, Kisha, edhe njëherë na thërret të afrohemi pranë Betlehemit dhe të analizojmë ngjarjen dhe mrekullinë më të madhe që ka ndodhur në historinë e njerëzimit.

Ungjilli të cilin sapo e dëgjuam, e që e kemi lexuar edhe ditën e Krishtlindjes, realizohet në shpellën e Betlehemit. Sepse Fjala për të cilën na flet shën Gjoni ungjilltar, e mori natyrën njerëzore dhe nga Zoja Bekuar lindi në Betlehem. Në shpellën e Betlehemit, Zoti dhe Krishti e treguan dashurinë e vet të madhe ndaj nesh, treguan se sa të rëndësishëm jemi ne për ta. Andaj shtrohet pyetja: Çka ne jemi në gjendje të bëjmë për Zotin tonë? A mendojmë se mjafton vetëm një meshë në javë? Ku janë veprat tona me të cilat njerëzit do të na njohin se jemi katolik?

Krishti u bë njeri, lindi në varfëri të skajshme, jetoi ashtu i varfër dhe vdiq në mënyrë tragjike. Përse? Ai erdhi në botë për të na siguruar banesën e amshueshme, Ai erdhi për të na bërë neve të pasur shpirtërisht. Tek e fundit, Ai nuk erdhi si turist, të na vizitonte e të largohej prej nesh. Jo. Ai erdhi të qëndrojë me ne, të rritet dhe të jetojë me ne. Nuk guxojmë kurrë ta harrojmë faktin se ne nuk jemi jetimë, se nuk jemi vetëm, me neve është Zoti, Emanueli. Por, Ai e nderon lirinë dhe vullnetin tonë. Ai asgjë nuk dëshiron me dhunë. Ne mund ta pranojmë, por ne mund ta refuzojmë Atë. Fjalia më e dhimbshme e Biblës është ajo nga ungjilli sotëm: Erdhi ndër të vetët, e ata nuk e pranuan… Hebrenjtë nuk e pranuan Birin më të madh të vetin?! Në fillim të jetës së tij ia afruan shpellën e ftoftë, në përfundim të jetës ia përgatitën kryqin, gozhdët, kurorën me thera.

Kemi thënë se populli ynë me gëzim e pranoi mësimin e Krishtit. Fatmirësisht, popullit tonë nuk i kanë munguar kurrë shën Gjon Pagëzuesa, të atillë që me fjalë dhe me vepra kanë dëshmuar se janë bijtë e dritës, vëllezërit dhe motrat e Krishtit. Po, ata edhe me gjak kanë dëshmuar besnikërinë e vet ndaj Krishtit. E ne? Me jetë dhe me vepra dëshmojmë për Zotin apo dikën tjetër? Dikush që nuk e di se jemi katolik, a e fiton këtë bindje në bazë të jetës sonë?

Dashtë Zoti, që sot secili prej nesh, me shpirt t’i thotë Krishtit: O Jezu, eja në zemrën dhe familjen time edhe pse jam mëkatar. Mos u largo prej meje, sepse pa Ty jam edhe më i dobët dhe më i keq. Rri me neve dhe na ndihmo që të jemi më të ndershëm dhe më të mirë njëri për tjetrin, që një ditë, kur Ti vet e ke caktuar, të vijmë për t’u gëzuar në Mbretërinë Tënde. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, ne jemi ende në atmosferën e festës së Krishtlindjes, dhe nën dritën e kësaj feste ne kemi filluar edhe një vit të ri. Të bashkuar rreth Betlehemit, bashkë me Foshnjën Hyjnore, ia drejtojmë Atit lutjet tona, duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

–  O Zot, bëj që Kisha jote, në Vitin e Mëshirës, e ndihmuar nga forca e Shpirtit Shenjt, të dijë t`i dëshmojë botës mëshirën dhe dashurinë tënde për njerëzimin, të lutemi.

–  O Zot, udhëhiqi ata që qeverisin kombet, pra edhe udhëheqësit e popullit tonë, që të bëhen ndërtuesit e një bote, të themeluar mbi paqen dhe mbi drejtësinë, të lutemi

–  O Zot, na ndihmo edhe neve që këtë vit të filluar, të jemi dëshmitar të pranisë sate në zemrat tona, dhe me ndihmën tënde të jetojmë në paqe dhe dashuri me Ty dhe vëllain njeri, të lutemi.

–  O Zot, besimtaret tanë që gjatë vitit të kaluar i ke thirr tek vetja, dhe ata që do t`i thërrasësh gjatë këtij viti, je i mëshirshëm me ta dhe pranoji në Mbretërinë tënde, të lutemi.

O Atë, faleminderit për mëshirën dhe dashurinë që ke për ne. Faleminderit që na ke shëlbuar nëpërmjet Birit tënd, me përvujtëri, po të lutemi, vazhdo të na ndihmosh me urtinë tënde, që çdo ditë të këtij viti, të ecim në dritën tënde.  Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »