Zoti është me ne – edhe në vitin e ri 2016

Jan 1 • Meditimi i ditës

1 janar 2015 – e premte, Nëna e Hyjit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

 (Nr 6, 22-27; Ps 66; Gal 4, 4-7; Lk 2, 16-21)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësi në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke kaluar kjo ditë? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 2, 16-21

 

16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd.17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. 19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.

20 Barinjtë pastaj u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli.

21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, siç e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Karakteristika kulmore e ungjillit te Lukës është që të gjitha pengesat janë rrënuar. Pikërisht barinjve që nuk kishin pozitë shoqërore Zoti u ka kushtuar vëmendje të veçantë. Ata që s`kishin asgjë i janë hapur porosisë engjëllore. Përgjigjja e tyre është gëzimi dhe lavdërimi për fshehtësinë e dashurisë që iu është zbuluar – fëmija i brishtë dhe dy prindër të papërvojë.

– O Zot, bëj që edhe unë si Maria të mund të gjej një vend për pushim në jetën time të preokupuar dhe të jem i/e qetë në praninë tënde. Zemra e Marisë ka qenë hapësirë e shenjtë, edhe e imja është gjithashtu. Mbushe atë me praninë tënde, o Zot.

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »