“Kush je ti?”

Jan 2 • Meditimi i ditës

2 janar 2016 – E shtunë, Shën Bazili dhe Gregori, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(1Gjn 2,22-28; Ps 97; Gjn 1,19-28)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe i padukshëm.
Ai vjen me dashurinë dhe fuqinë e pamasë.
Më përshkoftë gëzimi pse jam në afërsinë e tij.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Po edhe të isha fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori me mençuri.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në çfarë jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj nga prapa,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 


 

Gjn 1, 19-28

 

19 Dhe, ja, dëshmia e Gjonit!

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” 20 ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

21 “Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

22 Atëherë i thanë:

“Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

23 Ai tha:

“Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

‘rrafshoni udhën e Zotit!’

siç tha Isaia profet.”

24 Disa prej të dërguarve ishin farisenj. 25 Ata e pyetën:

“Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni u përgjigj:

“Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. 27 Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

28 Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

 

Ç´dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit  Shenjt:

 

– “Kush je ti?” – në këtë tekst vihet në dukje pyetja e identitetit. Gjoni e dinte kush është. Ai është i qartë lidhur me thirrjen, identitetin dhe misionin e vet. “Unë jam zëri për ata pa zë, udhërrëfyes që drejton kah Rruga e vërtetë – Jezu Krishti.”

– Në lutjen e sotshme do të eci së bashku me Gjonin në shkretëtirë. Do t`i lejoj të më pyet: “Kush je ti?” A mund ta shpreh raportin tim me Jezusin me bindjen dhe tërësinë e Gjonit? “O Zot, shumë jam i/e përmalluar ta dëgjoj zërin tënd që shëron. Ma dhuro besimin e fortë se gjithmonë më fton që të kem pjesë në misionin tënd.”

 

Bashkëbisedimi

 

Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.

Faleminderit që më do.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »