Viti i Ri nuk sjellë ndryshime magjike

Jan 2 • Kisha në botë

 

Në fillim të vitit është gjë e bukur të shkëmbesh urime. I urojmë, kështu, njëri-tjetrit që Viti i Ri të jetë pakëz më i begatë se ai që shkoi. Urimi, në thelbin e tij, është shenjë shprese, që na gjallëron e na fton të kemi besim në jetën. E dimë, ndërkaq, se me vitin e ri nuk ndryshon gjithçka e se problemet e shumta të së djeshmes, mbeten edhe nesër. Atëherë, dëshiroj t’ju bëj një urim, mbështetur mbi një shpresë të vërtetë, që buron nga liturgjia e sotme. Janë fjalët me të cilat vetë Zoti deshi ta bekonte popullin e  vet: “Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! […] E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e të dhashtë paqe!” (Nr 6, 25-26). Edhe unë po ju uroj këtë: që Zoti ta sjellë shikimin e vet mbi ju dhe t’iu mbush me gëzim, duke ditur se çdo ditë fytyra e Tij e mëshirshme, më e shkëlqyer se dielli, shndrittë mbi ju pa njohur perëndim!

Zbulimi i fytyrës së Zotit e bën jetën të re. Sepse Ai është Atë i dashuruar me njeriun e nuk lodhet kurrë së nisuri nga fillimi me ne, për të na përtërirë. Zoti ka durim me ne! Asnjëherë nuk lodhet të nis nga fillimi, sa herë që ne rrëzohemi. Por ama nuk premton kurrë ndryshime të magjishme, sepse nuk e përdor shkopin magjik. Dëshiron ta ndryshojë realitetin, duke nisur nga shpirti, me durim e dashuri. Kërkon të hyjë në jetën tonë me delikatesë, ashtu si reshet shiu i butë mbi dhe, për të sjellë fryt. Gjithnjë na pret duke na shikuar butësisht. Çdo mëngjes, kur zgjohemi, mund të themi: ‘Shkëlqeftë mbi mua, fytyra jote, o  Zot!’ Lutje e bukur! E është realitet.

Bekimi biblik vazhdon kështu: «[Zoti] të dhëntë paqe» (rr. 26). Sot e kremtojmë Ditën Botërore të Paqes, për të cilën kam zgjedhur temën. “Munde indiferencën dhe fitoje paqen”. Paqen që e dëshiron ta mbjell në botë Ati, duhet të kultivohet nga ne. E jo vetëm, ajo duhet të “fitohet”. Kjo nënkupton një luftë të vërtetë, një betejë shpirtërore që e ka vendin në zemrën tonë. Ja pse armike e paqes nuk është vetëm lufta, por edhe indiferenca, e cila na bën të mendojmë vetëm për vetën tonë dhe krijon barriera, dyshime, frikëra e mbyllje. Këto gjëra janë armike të paqes. Faleminderit Zotit ne kemi shumë informacione sot, por ndonjëherë jemi të mbytur nga lajmet sa që jemi të hutuar nga realiteti, nga vëllai e nga motra që ka nevojë për ndihmën tonë. Të fillojmë këtë vit me hapje të zemrës, ta zgjojmë kujdesin për të afërmin, për atë që e kemi afër. Kjo është rruga që na shpie te fitorja e paqes.

Le të na ndihmojmë Mbretëresha e Paqes, Nëna e Hyjit, festën e së cilës e kremtojmë sot. Ajo «i mbante mend të gjithë këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet» (Lk 2,19). Shpresat dhe shqetësimet, falënderimet dhe problemet: gjithçka që i ngjante në jetë, në zemrën e Marisë, u bënte lutje, bashkëbisedim me Hyjin. Ajo e bën këtë gjë edhe për ne: i mban në mendjen e saj gëzimet tona dhe i zgjidh nyjet e jetës sonë, duke i bartur te Zoti.

T’ia besojmë vitin e ri Nënës, që të mund të rritet paqja dhe mëshira.

(Fjalimi i Papa Françeskut në Lutjen e parë të Engjëllit Tenzot të Vitit të Ri 2016, 1 janar 2016)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »