Dritëhijet e jetës sime

Jan 3 • Meditimi i ditës

3 janar 2016 – e diela 2-të e Krishtlindjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Sir 24,1-4.12-16; Ps 147; Ef 1.3-6.15-18; Gjn 1,1-8)

 

Prania e Hyjit

 

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem nga ndjenja të frikës dhe pritshmëri çfarë do të “nevojitej” apo “duhej” të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet me qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala e Zotit

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjatë kësaj kohe të lutjes lejoj të më zbulohet ajo që është në zemrën eHyjit: jeta dhe drita për të gjithë. E pranoj atë që ndodhet në mes meje dhe pranimit të jetës, ajo që më errëson, gjithçka që ma ngushton horizontin Mirësia dhe zemër gjerësia e Hyjit janë për mua, sepse Zoti dëshiron që nëpërmjet meje të jetë i pranishëm në botë.

– Ekzistojnë aq shumë histori lidhur me errësirën dhe dëshpërimin! Madje ne “argëtohemi” me kërcënimet dhe paralajmërimet lidhur me dënimin/shkatërrimin. Ungjilli flet për dritën që errësira nuk do ta pushtojë. I kushtoj vëmendje faktit se ku ndodhet drita në jetën time dhe lutem që Hyji të më ndihmojë ta mbaj atë dritë para meje.

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »