Vetëvlerësimi: respekti, ndjesia që kemi për veten

Jan 3 • Opinion

 Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

Termi vetëvlerësim është bërë pjesë e fjalorit tonë të përditshëm. Shpeshherë përdoret duke e mos e pasur të qartë se për çfarë flitet ose përdoret si një argument për të cilin njeriu ka frikë të flasë pasi i duket se vetëvlerësimi ka të bëjë thjesht me hyrjen e vetes në qejf. E  kjo nuk është e vërtetë. Sepse të kesh vetëvlerësim nuk do të thotë të hyjë vetja në qejf ose të besosh se je tjetërkush, por do të thotë se e njeh mjaft mirë veten aq sa mund t’i shfrytëzosh të gjitha burimet e tua duke pasur parasysh edhe kufijtë. Gjithashtu, do të thotë të jesh i aftë t’u bësh ballë vështirësive të jetës  duke besuar padyshim tek vetvetja pa të gënjyer mendja dhe pa e ushqyer ndjesinë se duhet të jesh më i/e mirë se e gjithë bota.

Vetëvlerësimi është siguria që vjen së brendshmi, bazuar mbi vlerat që njohim tek vetja e mbi ndërgjegjen se jemi individë unik me pika të forta, por edhe me kufizime. Respekti, ndjesia dhe besimi që kemi për veten, e cila është si një lule e bukur dhe delikate, të cilën duhet përherë ta kultivosh e të kesh kujdes se si rritet. Pra, vetëvlerësimi është një përpjekje për t’i treguar vetes se kush jemi?! Është një reagim afektiv dhe një gjykim për veten.

Në psikologji përgjithësisht vetëvlerësimi i referohet respektit, njohurive, bindjeve, ideve, ndjenjave, qëndrimeve dhe pritshmërive që individi ka për veten, si tipari qendror i identitetit njerëzor e për rrjedhojë edhe e drejtë themelore e patjetërsueshme. Sepse ai na ndihmon të strukturojmë të dhënat për veten që i kemi koleksionuar gjatë viteve. Pra i përngjan skedave që vazhdimisht shtohen në informacionin e ri.

Si krijohet vetëvlerësimi?

Vetëvlerësimi krijohet pak nga pak, ndërsa kalojmë përvoja të ndryshme në jetë; kur individi përjeton suksese, kur merr kundërpërgjigje pozitive ose kur krijon risi. Vetëvlerësimi kështu,  ka një lidhje të ngushtë me perceptimin që secili individ ka për veten e tij kur gjendet në rrethana të ndryshme të jetës.

Ndjenja e vetëvlerësimit brendësohet duke marrë disa përforcime që janë: një Po, një Bravo … dhe që mund të vijë vetëm nga një tjetër qenie njerëzore. Ai krijohet, rritet duke ndryshuar bindjen dhe duke u nxituar që të punojmë fortë kundër vështirësive, e duke i lënë vend më shumë asaj që është pozitive.

Psikologia Lauren Slater, sugjeron që të angazhohemi për vetëvlerësim e të shkojmë drejtë vlerësimit të ndershëm, i cili na çon në kontrollin e vetes. Ai njëri, që njeh dhe vlerëson veten, ai është i aftë edhe ta kontrolloj atë. Ndjenja e vlerësimit të vetës është thelbësore për shëndetin mendor dhe përbën shtyllën e vetëdisiplinës. Vlerësimi i vetës është shtylla e disiplinës, sepse kur ndjehesh i vlefshëm, kujdesesh për vetën ne çdo mënyrë.  Gjithashtu, duke pasur parasysh se si  e pranon njeriu gjininë e vet, një rol kryesor në vetëvlerësim  ka edhe identiteti seksual.  Si mundet njeriu ta respektojë, ta pranojë veten nëse nuk është i kënaqur apo i lumtur me identitetin e vet  seksual si mashkull apo femër?! Kjo është një pikë e rëndësishme në vetëvlerësim, prej nga kërkohet që njeriu të pranojë e të respektojë gjininë e vet  në mënyrë që ai të ketë mundësi ta pranojë edhe tjetrin.

Pavarësisht nga rëndësia që kanë faktorët socialë në vetëvlerësim ai fillon të formohet duke shikuar brenda mendimeve, qëndrimeve edhe shtysave të brendshme. Pra, ndërtimi i vetëvlerësimit apo respektit për veten, është një proces që formohet duke filluar nga brenda e që nuk arrihet brenda natës. Ai, gjithashtu ka ngritjet e uljet e veta, përfshin vlerësimin pozitiv  e negativ të vetes që jo gjithmonë është e lehtë ta menaxhosh. Kështu që kur flasim për vetëvlerësim kemi parasysh që flasim për një vlerësim real të vetes e jo për një mbivlerësim që mund të shkaktojë dëme.

Personat që kanë vlerësim pozitiv janë të lumtur, të shëndetshëm, të suksesshëm dhe që përshtaten shumë shpejtë me çdo gjë të re, janë të ndërgjegjshëm për aftësitë dhe gabimet. Ndërsa, personat që kanë vetëvlerësim të ulët ose negativ e shikojnë veten me pamje negative. Në përgjithësi janë ankthioz, sëmuren shumë shpesh, vazhdimisht janë me gjendje gripale, të depresuar, pesimist për të ardhmen dhe të drejtuar drejt humbjes dhe dështimit. Kanë mungesë vullneti, dëshire dhe besimi të theksuar.  E që njeriu mos të mbetët në ketë gjendje pesimizmi psikologët i japin shumë rëndësi vetëvlerësimit dhe flasin shumë mbi këtë. Vetëvlerësimi është një nevojë natyrore dhe qendrore, pa vetëvlerësim bëhet e vështirë  jetesa në mënyrë të shëndoshë e ndoshta edhe e pamundur, duke qenë se është shumë i rëndësishëm për të realizuar qëllimet që kemi.

Vetëvlerësimi bën që  të lindë një siguri dhe besim në vete që janë dy ndjesi themelore në përballjen me sfidat e jetës dhe në raport me tjetrin. Johan Wolfagang Goethe ka thënë: Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një njeriu është të mendojë keq për veten. Pra, vetëvlerësimi është mënyra se si ne mendojmë dhe ndihemi me veten.

Sipas psikologëve, një shtyllë e rëndësishme për vetëvlerësimin është njoha e vetes. Gjithashtu është  edhe njohja  e unit real dhe e unit ideal.

Çfarë është uni, uni real, uni ideal?

 Uni, është një koncept psikologjik që ka të bëjë me perceptimin që personi ka për veten, për formën reale e ideale të tij. Ai zhvillohet gradualisht dhe është i lidhur me eksperiencën personale të vetes. E kështu prej të gjitha eksperiencave të veta njeriu arrin të ndërtojë një strukturë të veten e cili është uni i tij. Prandaj, uni i çdokujt është krejt i ndryshëm nga uni i çdo njeriu në këtë botë. Uni i çdo njeriu është i papërsëritshëm.

Në ndërtimin e unit të çdo njeriu marrin pjesë edhe njerëzit e tjerë, dhe në këtë kuptim mund të thuhet se, uni i çdo njeriu zhvillohet përmes bashkëveprimeve të personit me botën ku ai jeton.

Uni real është kapaciteti, aftësia e vlerësimit të vetes për atë që jam e jo për atë që kam. Me fjalë të tjera, të bëhemi real me veten, ta shprehim veten  për atë çfarë ndjejmë, mendojmë dhe provojmë. Uni real, është ai që lidh botën e brendshme me atë të jashtme në mënyrë autentike. Është ai, që e ndihmon personin të dallojë; atë çka është thelbësore nga ajo që nuk është thelbësore, atë çka është e drejtë nga ajo që nuk është e drejtë, atë çka është e bukur nga ajo çka është e shëmtuar,  për të shijuar atë më të mirën brenda e jashtë vetes. Uni real, e ndihmon personin të jetë i qetë, spontan dhe i hapur. Ai përbën bazën zhvillimore të ndjesisë së realitetit.  Paraqet një person të pjekur e të matur përballë çdo situate. Përmbajtja e unit real ndryshon vazhdimisht, çka do të thotë se, njeriu akumulon dhe i ristrukturon perceptimet e veta për vetveten, pasi njeriu vazhdimisht kërkohet, të angazhohet në formimin dhe edukimin e vetes. Pra, për një formim dhe edukim të vazhdueshëm.

Uni ideal është ai ose ajo që njeriu dëshiron të bëhet. Dimensioni i këtij është e ardhmja. Ai bazohet në “duhet” është ajo pjesë e njeriut që ngelet vetëm në atë çfarë duhet por nuk merr iniciativën të veprojë fare. Kur njeriu i jep më shumë rëndësi unit ideal, që nuk është në sintoni me të vërtetën e tij, është një gjendje që e bën të vuajë e kështu nuk arrin të ketë një vetëvlerësim real për veten. Ndaj, është i prirur ta nënvlerësoj veten ose ta mbivlerësojë, gjë që e bën personin të mos ndjehet mire me veten e aq më pak me të tjerët.

Pra, vetëvlerësimi real është një pikë e rëndësishme për të arritur qëllimet në jetë, pasi të jep një ndjenjë kontrolli mbi veten dhe sidomos në marrëdhënien me tjetrin, të jep siguri, forcë në vetëdije mbi veprimet dhe sjelljet. Njeriu, nëse nuk e sheh veten nën  një dritë reale ai mund të ketë vështirësi e probleme me vetveten e gjithashtu edhe me tjetrin. Vetëvlerësimi, është ai që bën të lindë tek personi siguria, shpresa në vetvete, të cilat janë vendimtare në sipërmarrjen e angazhimeve në jetë dhe për të krijuar raporte të mira me të tjerët.

Vetëvlerësimi i drejtë është harmonia me veten, ndaj vlerësoje veten për atë që je e jo për atë që ke e që dëshiron të kesh.

REFERENCA

Cencini A., Maneti A., Psicologia e Formazione, Bologna 1997.

Tamo A., Këshillimi dhe psikoterapia, Tiranë 2007.

Dragoti E., Psikologjia sociale, Tiranë 1999.

Woolfolk A., Psikologji edukimi. CDE Tiranë 2011.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »