10 vjetori i shugurimit ipeshkvor i Imzot Dodë Gjergjit

Jan 4 • Kisha në Kosovë

Më 5 janar 2016, Imzot Dodë Gjergji e kremton 10 vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvor. Për të shënuar këtë ditë të shenjtë, Ipeshkvi do të kremtojë meshën në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, të martën më 5 janar 2015, në ora 18:00, për ta falënderuar Zotin për këtë dhuratë të shenjtë në jetën e tij.

Jetëshkrim i shkurtër i Imzot Dodë Gjergjit

Imzot Dodë Gjergji ka lindur në Stubëll të Epërme (Komuna e Vitisë), më 16.01.1963 nga prindërit Pashk dhe Ana Gjergji. Në vendlindje i ka kryer dy vitet të shkollës fillore, ndërsa të tjerat në Bibaj të Ferizajit, pasi familja e tij shpërngulet atje.

Gjimnazin Klasik e kryen në Suboticë (Vojvodinë), si seminarist i Ipeshkvisë Shkup-Prizren. Studimet teologjike i kryen në Fakultetin Teologjik të Argjipeshkvisë së Zagrebit (Kaptol). Shugurohet meshtarë në Zym nga Imzot Nikë Prela, më 15. 08. 1989.

Jeta dhe veprimtaria e tij meshtarake fillon në Ferizaj, si përgjegjës për botimet liturgjike, në kuadër të SH. B. “Drita”. Në vitin 1991 emërohet përgjegjës për besimtarët katolik shqiptar në Kroaci. Falë angazhimit të tij në vitin 1992 themelohet Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci.

Pas hapjes së Shqipërisë, në zemrën e tij lindë dëshira për të shkuar në këtë tokë martire e për të predikuar Ungjillin. Imzot Frano Illia, argjipeshkëv i Shkodrës, e emëron famullitar në Kallmet, afër Lezhës (1994).

Në janar të vitit 2000, Ati Shenjtë Papa Gjon Pali II e emëron Administrator Apostolik të Dioqezës së Sapës. Më 5 janar 2006 shugurohet ipeshkëv i kësaj dioqeze. Në Shqipëri, Imzot Dodë Gjergji e ushtroi edhe detyrën e Presidentit të Caritasit të Shqipërisë, Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, ka udhëhequr Misionin për Ekumenizëm dhe Dialog Ndërfetarë dhe të Atit Shpirtërore të Familjes Kolping.

Më 12 dhjetor 2006 emërohet Administrator i Administraturës Apostolike të Prizrenit (Ipeshkëv i Kosovës) nga Papa Benedikti XVI, detyrë të cilën e kryen edhe sot.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »