“Çka kërkon?”

Jan 4 • Meditimi i ditës

4 janar 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1Gjn 3,7-10; Ps 97; Gjn 1,35-42)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton me praninë e Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj më parë,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit avash, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 1, 35-42

 

35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, 36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha:

“Ja, Qengji i Hyjit!”

37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën pas Jezusit. 38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti:

“Çka kërkoni?”

Ata iu përgjigjën:

“Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?”

39 “Ejani e shihni!” ‑ iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë.

40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nisën pas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. 41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha:

“E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!”

42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha:

“Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër‑Shkëmb].

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjon Pagëzuesi ishte i gatshëm t`i linte dishepujt e tij të shkonin. Ai e dinte se identiteti i tij nuk qëndronte në faktin se sa nxënës/pasues kishte.

Pa marrë parasysh se sa shumë ngushëllim mund të kem nga miqtë personalë, do të lutem të kem lirinë që kishte Gjon Pagëzuesi: të kem parasysh qëllimin e jetës.

– Do t`i lejoj Jezusit të më pyet: “Kë po e kërkoj?”, “Çka po dua?” Do t`i flas me ndershmëri duke ia shpalosur atë që kam në zemër. Dhe ndërsa zbulohen ëndrrat e mia, i lejoj të më bekojë dhe të më ftojë t`i afrohem më shumë.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »