Në përqafim të mëshirshëm të Atit

Jan 4 • Këndvështrime

 

Nga Don Rrok Gjonlleshaj

Në të kremten e “Të zënit pa mëkat të Shën Marisë Virgjër”, Papa Françesku, në Vatikan, hapi Portën e Shenjtë, dhe kështu solemnisht, e hapi Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, që të jetojmë në Dritën e Fjalës së Zotit: “Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikur se Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk 6, 36). Edhe ne, tani jemi këtu, në këtë Shenjtërore, në ripërtëritje shpirtërore, që të hapim Portën dhe të fillojmë këtë Vit të Mëshirës, gjithmonë duke e pasur ndërmend, se, Hyji na do si fëmijë të tij dhe për këtë na falë gjithmonë. “Hyji nuk lodhët duke na falur, sepse është Atë, i cili na do dhe na fal gjithmonë”- thotë Papa Françesku.

Gjestin që pritej nga mbarë bota, Papa e bëri në Vatikan, kur e hapi Portën e Shenjtë të Bazilikës dhe kapërceu pragun, duke shqiptuar fjalët: “Nëpër mëshirën tënde të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde, o Zot.”

Papa kujtoi mbarë njerëzimin: “Porta është hapur”  dhe “do të jetë një vit, në të cilin do ndjehet fuqishëm forca e dashurisë, që falë!” Qëllimi i këtij Jubileu të jashtëzakonshëm të Mëshirës së Zotit, është që të përjetojmë kthimin e tërësishëm, metanoia, të cilën Krishti e vë si parakusht për të hyrë në Mbretërinë e tij.

Mëshira e Hyjit na fton në kthim

Në cilën mënyrë të arrijmë këtë metanoia në jetën tonë? Si do të dukej kjo konkretisht?

Përgjigjja është krejtësisht e thjeshtë: që të gjithë rreth vetit, me tepër t’i vështrojmë me sytë e fesë dhe t’i përjetojmë me zemër dashurie. Edhe ne jemi bijë të tokës. Të robëruar me materie, të preokupuar me kujdese të mëdha e të vogla dhe gati harrojmë në atë që e vetmja është e nevojshme. Shikimi ynë rëndomtë ndalet në gjërat sipërfaqësore. Ngjarjet dhe ndodhitë e botës, nuk i vështrojmë në vizionin e planeve dhe qëllimeve të Zotit. Çdo gjë duam të vejmë brenda kufijve të kohës. Jemi edhe pa duresë. Assesi të lirohemi nga sprovat e interesit dhe të mirave të botës. Harrojmë të vështrojmë botën  dhe njerëzit nën prizmin e amshimit.

Nuk e shikojmë botën me sytë e fesë!  Nëse e vështroj jetën time me sytë e fesë, atëherë kjo e ka kuptimin. Hapja e portës – hapja e zemrës, do te jetë takim me Zotin… A e vështroj jetën me sytë e fesë, në raport me të tjerët?

Kjo është jeta dhe detyra e meshtarit: të përgatisë zemrën e vetë dhe zemrat e besimtarëve që i na janë besuar dhe më të cilët e kalojmë jetën tonë, në mënyrë që në to të hyjë dhe të banojë Krishti.

Ndoshta, shpeshherë na duket se të gjitha përpjekjet tona, të gjitha predikimet dhe këshillat po treten pa kthim! E jona nuk është të korrim, por të mbjellim. Zoti do të bëjë që fara e mirë të bie në tokën e mirë dhe të përgatitur, që të mbin dhe të jep fryte në tokën e vet.

Detyrë e jona është që me besim në Zotin, ta përgatisim rrugën, arën që njerëzit-besimtarë për shkak tonin dhe nëpër neve me lehtë të besojnë në Zotin që  nuk e shohin, e i cili vepron nëpër ne.

Ndoshta, nuk e përjetojmë rrethin tonë më zemrën e dashurisë. A mund të thuhet për famullinë time-tonë se është e ngjashme me atë të Shën Palit në Filipe?

Ai me ta ishte krenar dhe falënderonte Zotin për ta, sepse me dashuri e kanë pranuar Ungjillin dhe shumë aktiv me shembullin e jetës e kanë dëshmuar, dhe me fjalë e kanë predikuar.

Mbretëria e Hyjit nuk është vetëm çështje hiri nga lartë, por edhe çështje e bashkëpunimit tonë, e angazhimit tonë, e përpjekjeve tona, e pjesëmarrjes sonë. Këtu, është e nevojshme dashuria e madhe për shpirtrat që t’ia hapin portën-zemrën Zotit.

Këtu vlen apeli i Shën Palit: Dashuria e juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë (khs. Fil 1,9).

Lypet, pra, ta vështrojmë jetën rreth vetit më sytë e dashurisë, ta përjetojmë me zemër të sinqertë e përplot mëshirë. Atëherë edhe Mëshira e Zotit, lehtë do ta gjejë portën e hapur.

Njeriu bashkëkohor- besimtari i sotëm- nëse e vëren se dikush i flet me dashuri e dashamirësi, do të besojë dhe do të bëjë atë që i është thënë. Sa shumë punë kemi, nëse duam që ne dhe besimtarët të kuptojmë dhe të përjetojmë Mëshirën e Zotit!  Si mund të duket përgatitja jonë për ardhjen e Krishtit? Përgjigjën gjithmonë e gjejmë në Shkrimin e Shenjt.

Shën Luka në Ungjill na udhëzon:

1) Drejtohuni dhe çojeni kryet lartë dhe dijeni se është afër çlirimi i juaj! Kini kujdes vetën. Friken duhet të zëvendësojë shpresa! Ne duhet të pritmi si ata të cilët nuk e kanë humbur shpresën por tërë jetën, me besnikëri presim që Zoti t’i plotësojë premtimet e veta dhe të na bëjë pjesëtarë të lavdisë së vet. Përlotë shpresë, pra e çojmë kryet lartë, drejt amshimit. Ky edhe është synimi ynë. Atëherë vlen qortimi: Ruajuni! “Ja vlen të jetojmë vetëm për atë, për çfarë ia vlen të vdesim. Ja vlen të vdesim vetëm për atë që është e pavdekshme dhe e amshuar”! (S. Kierkegard)

2) Udhëzimi i dytë nga Shën Luka është: “Rrini zgjuar”! Jozef Cascales pati shkruar: “Është mirë të flesh. Por, të flesh në rrezik është rrezik i vërtetë. Kurse, të flesh para rrezikut është kapitullim i vërtetë.”  Mos t’i lexojmë shenjat e kohës, ky është gjumi në rrezik! Mos të reagojmë në shenjat e qarta të kohës, ky është veç kapitullim.  Shenjat e kohës janë para nesh. Qartë na i ka shënuar Jezu Krishti në predikimin  e vet për të ardhmen e pashmangshme.

A jemi shpirtërisht të zgjuar, apo ende jemi fjetur me gjumin tonë të vdekshëm?! Sa kujt kurrë nuk iu janë çelë sytë, ose ju janë çelë me vonesë. Kjo, a nuk është fatale?

Ungjilltari shumë qartë na fletë: “Kini kujdes veten, që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës, që ajo Ditë të mos ju vij papritmas!”

Jeta e vërtet rritet pa zhurmë, e veçmas, para së gjithash, ajo jeta e brendshme e shpirtit dhe e hirit. Këtu ndodhë takimi i mrekullueshëm i Zotit dhe i njeriut. Këtu krijohet qielli i ri për banim të amshuar të Zotit.

Jeta është aty ku është e vërteta, dashuria, bashkësia dhe miqësia, kurse vdekja është aty ku tiranizon gënjeshtra, urrejtja, neglizhenca, xhelozia, smirëzia, vetmia…

Sa hir i madh është të jemi të zgjuar për atë jetë të amshuar, që është e vetmja jetë e vërtetë!

Të jetojmë, e të mos jetojmë për Zotin, domethënë: të bëjmë qejfin tonë, të kënaqemi për veten tonë, të mos shërbejmë me dashuri e flijim. Gjumi më i rrezikshëm është me sy qelë (me sy hapur). Të flemë kur duhet të jemi të zgjuar, është papërgjegjësi. Është e shkruar në Shkrimin e Shenjtë. “Unë po flejë, por zemra ime është zgjuar”.

Të shumë kush është anasjelltas: rrinë zgjuar për shumë çka e për punë të ndryshme, por zemra iu flenë apo edhe më tepër, është e vdekur për dashuri e gëzim! ( Jozef Cascales)

3) Udhëzimi i tretë është: “Lutuni”.

Asgjë njeriun nuk do ta ndryshojë sa lutja e sinqertë, e thellë dhe e qëndrueshme. Nëpërmjet lutjes ndryshon, jo vetëm pamja dhe qëndrimi i atij që lutë ndaj botës, por edhe qëndrimi i botës ndaj tij. Shën Augustini pati thënë: “Si lutesh, ashtu edhe jeton”.

Mëshira e Zotit është shfaqur në raste dhe rrethana të ndryshme. Njeriut të parë dhe pas mëkatit të tyre, shfaqet Mëshira. Hyji e premton atë i cili do t’ia  shtyp kryet gjarprit. Edhe të vëlla-vrasja e parë shfaqë mëshirë. Ndalon që dikush të vras Kainin.

Ka mëshirë për Noehun dhe familjen e tij. Mëshirën dhe dashurinë e shfaqë me Abrahamin, kur nuk lejon që të mirat e tij t’i trashëgoi i huaji. Ka mëshirë për vëllezërit të cilët e shitën Jozefin në Egjipt. Kurse për Jozefin shfaq kujdes, mbrojtje e dashuri. Ka mëshirë për Moisiun: e zgjedh, në mënyrë të mrekullueshme ia shpëton jetën, e rrit dhe e dërgon. “E kam dëgjuar mjerimin e tyre, vendosa ta liroi dhe vendosa ta nxjerrë nga robëria” e lexojmë të ketë thënë Zoti.  Ka mëshirë për popullin në robëri.  Atëherë kur populli nuk është treguar besnik, Zoti e ka shfaqur mëshirën: iu jep bukën prej qielli, ujin nga shkëmbi. Ka mëshirë për Davidin, i cili mëkatoi rëndë, Popullit iu dërgoi profetët, që nëpërmjet tyre t’iu flas, t’iu shfaq premtimet e veta e t’i ngushëlloi.

Mëshira dhe dashuria e Zotit, në mënyrë të veçantë e të dukshme shfaqët në Jezu Krishtin. Ai e përshkoi tokën duke bërë mirë, duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë.  Ai, kishte mëshirë për të gjithë, për të gjithë ata që vuanin. Ndaj mëkatarëve shfaqë mëshirë. Dënon mëkatin, por është i mëshirshëm dhe e falë mëkatarin. Prej apostujve, si dhe nga populli, kërkon të jenë të mëshirshëm sikurse Ati në qiell.

Shëmbëlltyrat e mëshirës

Si dhe sa Ati është i mëshirshëm, këtë e shfaqë nëpërmjet shëmbëlltyrave të mrekullueshme.  

I gjithë kapitulli 15 i Shën Lukës ungjilltar, është i kushtuar mëshirës dhe mirësisë së Zotit.

Së pari flet për delen e humbur ( 15,4-7) pastaj për drahmen e humbur (15, 8-10) dhe në fund për djalin e humbur (15, 11-32). Ky kapitull, është më i bukuri dhe më burimori në terë Ungjillin e Shën Lukës. Disa, kapitullin e pesëmbëdhjetë e quajnë “Ungjilli mbi dashurinë e Atit” apo “ Thirrje në gëzimin  e Zotit nëpër Krishtin.”

Në fillim (1-3) shënohet vendi apo gjendja në të cilën ndodhë ngjarja. Jezusin e rrethonin tagrambledhësit, mëkatarët, farisenjtë dhe dijetarët (skribët). Farizenjëve të “drejtë” dhe skribëve nuk iu vjen mirë pse Jezusi i pranon mëkatarët dhe hanë me ta. Jezusi, me qëndrimin e vetë, qëllimisht i provokon që të mundën ta kuptojnë planin e Zotit- atë të shpëtimit e të shëlbimit. Ky është qëllimi i Zotit që të gjendët e të shpëtohet ajo që ishte e humbur.

Të humbur ishin tagrambledhësit dhe mëkatarët, të gjithë ata që erdhën të Jezusi. Në kthim janë të thirrur të gjithë, edhe ata të cilët kanë jetuar jetë të pandershme (kurorëthyesit, vrastarët etj. etj) Askush nuk është i përjashtuar nga Zemra e Zotit, e cila. pa masë gëzohet për kthimin e mëkatarëve. Falje e mëshirë. nuk ka vetëm për ata që nuk e dëshirojmë.

Shëmbëlltyrat mbi delen dhe drahmen e humbur, shfaqin dashurinë e pamasë të Zotit, e cila veçantë gëzohet kur e gjen të humburën. Këto janë si hyrje në shëmbëlltyrën e mrekullueshme, mbi djalin e humbur, e cila na zbulon pasurinë e pashqyrtueshme të Zemrës së Zotit tonë ”strategjinë e mëshirës”.

Zotëria i përmend dy bijtë dhe atin e tyre. (Në mesin e këtyre dy bijve të mundohemi ta njohim veten dhe gjendjen tonë). Djali i madh, në shikim të parë, është pa të meta dhe i ndershëm. Me babain e lidh, jo aq dashuria bijsore sa llogaria-interesi. Babai e ka për detyrë ta shpërblej për besnikërinë e tij. Ndaj vëllai të vogël nuk kishte zemër as konsideratë. Nga ana e vetë, asgjë nuk ka ndërmarr që ta ndal në shtëpi. As kur ai është larguar, nuk ka shkuar ta kërkonte. Në egoizmin dhe në zemërngurtësinë e vetë, gëzohet qe e ka hekur qafe. A mos vallë ndoshta kjo është gjendja e shpeshtë e jona në raport me vëllezërit e motrat, me besimtarët, të cilët na janë besuar që të kujdesemi për ta?!

 Djali i vogël- i etshëm për liri- e le shtëpinë e babait. I ka paguar shtrenjtë gëzimet dhe kënaqësitë në të cilat ka shpresuar të gjejë lumturin e vetë. Është dëshpëruar dhe pikërisht në gjendjen e dëshpërimit, derisa ishte duke e analizuar vetvete, i erdhën mëndët, thotë shëmbëlltyra .

Në shpirt ka ndje dhembje dhe pikëllim, zemërim dhe pendim. Nuk ishte i qetë, gjerë sa përsëri nuk është gjetur në përqafimin dhe zemrën e cila të gjitha ia fali, të gjitha i harroi dhe përsëri e pranoi  në shtëpinë e vetë.

Duart e shenjta të atit janë të hapura në përqafim. E kjo është hapësirë e  mëshirës dhe e faljes me dashuri.  

Delja e humbur, drahma e humbur, e simbolizojnë njerëzimin e gjithë botës. Kush nga ne nuk është tretë, kush nuk ka qenë i humbur? Të themi për vete se nuk kemi mëkate, është hipokrizi më e madhe se sa vetë mëkati. Më këtë më shumë do ta fyenim Zotin se sa më vetë mëkatin. Për njerëzit mëkatar, Zoti është mëshirë e shpëtim. Zoti, për ta gjetur përsëri, ta shpëtuar e për ta shëlbuar mëkatarin, Ai i la jo vetëm 99 dele, por gjithë qiellin dhe engjëjt e u bë njeri, që të mund të jetë vëlla dhe shpëtimtarë për ne. (Claudel)

Zoti ynë nuk është ai i cili pret njeriun që t’i kthehet, por Ai e kërkon të humburën dhe nuk është i qetë gjer sa nuk e gjen. Këtë e bën, sepse e do njeriun, ashtu si e shpreh edhe Shën Pali, kur thotë se Jezu Krishti ardhur në botë për t’i shpëtuar mëkatarët, prej të cilëve unë jam i pari.

Edhe neve Zotëria na bart mbi supe. Jezu Krishti është ai i cili na vjen në takim, na kërkon diçka: Zakeut i kërkoi të zbret më të shpejt, sepse donte të ishte mysafir në shtëpinë e tij; Samaritanës i kërkon ujë; të paralizuarit, që ta merr shtrojën e vet dhe të shkon në shtëpinë e vetë; Samaritanit të mëshirshëm ”shko edhe ti e bën ashtu”; djaloshit pasanik që të shet gjithçka dhe t’ua ndan skamnorëve; nga nxënësit që të jenë dëshmitarë; e nga të gjithë që të jenë të mëshirshëm siç është Ati i mëshirshëm.

Në këtë moment, çfarë lyp Krishti prej meje, prej teje, prej neve?

Në këtë ripërtëritje shpirtërore, në këtë vit të mëshirës, cili është kuptimi i vërtetë i këtij takimi? Të gjithë ne, jemi mëkatarë, të cilët, kemi ardhur në këtë shenjtërore, në këtë vit të mëshirës, te Jezu Krishti. Kemi ardhur të dëgjojmë fjalën e tij, lajmin e gëzueshëm të faljes së mëkateve dhe atëherë, të pastruar në shpirt, të ushqehemi në gostinë, të cilën Ai e përgatit për të gjithë.

A do të vërehet në ne, në këtë kohë Adventi, në festa të Krishtlindjes, në këtë vit mëshire, si dhe gjatë gjithë jetës tonë gëzimi i shpirtit, pse na janë falur mëkatet, pse e kemi mëshirën dhe dashurinë e Zotit? A do të dimë, në Meshën shenjte ta zbulojmë Qengjin, që i merr mbi vete mëkatet e botës dhe mëkatet tona, që në këtë mënyrë të jemi pjesëmarrës të denjë të gëzimit dhe të lumturisë, të cilën Zotëria e ka përgatitur për ata që e duan dhe kthehen të penduar në Zemrën e cila na do dhe të gjitha na i falë?

Për reflektim personal

Pasi që kryesisht jemi meshtarë, rregulltarë/e, dua për këtë vit të Mëshirës, të bëj, për veti dhe për ju, disa pyetje.

Farisenjtë dhe Skribët, mësimin e Zotit ia kanë përshtatur shijeve dhe dëshirave të veta. Vetën e vetë e kanë shpallur qendrën dhe masën e gjithçkaje. Sot, jemi të ulur në “katedrën e Moisiut” të gjithë ne që kryejmë detyrat kishtare. Kush e di, a mos vallë, edhe neve na ka rrëmbyer shpirti i farizenjëve dhe saducenjëve?

A jemi qendra e mësimeve tona ne, apo Jezusi? A e shpallim urtinë tonë njerëzore, apo urtinë e Krishtit të kryqëzuar? A duamë vetëm të na respektojnë, të arrijmë famë, shkëlqim, pozitë? A jemi të prirë që të lëvdohemi, të krenohemi më sukseset tona, më të kaluarën tonë, më mirënjohjet që kemi marrë? Cilin libër e konsiderojmë më të vlefshëm: kodin e të drejtës kishtare, konstitucionet, apo Ungjilli i Krishtit? A e kërkojmë në Ungjill shkronjën apo shpirtin? Meshët, a na janë vetëm përmbushje e obligimit, apo takim familjar me Jezusin? Famullitë tona a janë OJQ  – juridikisht të themeluara, apo janë bashkësi e besimtarëve, të cilët i lidhë dashuria e Krishtit? Vendimet në famulli, a janë fryt i lutjes, i bisedës, i këshillimeve, apo një njeri i di të gjitha dhe për gjithçka vendos vetë? A e mbajmë vetën mësues dhe udhëheqës, apo çdo ditë ecim në shkollën e një Mësuesi dhe Udhëheqësi? A i pranoi këshillat qëllim-mirë? A fiksohem nga kritikat qëllimmira? A do të shqetësohemi dhe a do të reagojmë kur dikush do të na thotë: bëhu i mirë, e jo ashtu i vrazhdët?

 Më pak shit mend, e më tepër vepro me sinqeritet.  Më pak kërko, e më tepër ndajë. Je më pak i shekullit, e më shumë shpirtërorë. Mos u mbyll, po je më shumë njerëzve në dispozicion. Mundohu më tepër të jesh i butë, e jo i ashpër. Mos urdhëro, por bisedo. Mos kërcëno më dënim, por tërheq më vlerë. Mos u kacafyt më rivalin, por me bukuri rrëmbeje të vërtetën. Në vend të luftës kundër të keqes, angazhohu për të mirën. Më pak fol, e më shumë puno. Mos u anko për kohën e keqe e të vështirë, por më atmosferën tënde sjell më shumë gëzim, paqe e shpresë.

Në meditimin personal që do të pasojë pas këtij meditimi, të shtojmë pyetje për veten tonë. Kështu do të gjejmë guximin, për t’u ngritur mbi mëkatin tonë dhe për të zbritur nga krenaria jonë. Kështu, ky vit do të na mundësojë që të përjetojmë Mëshirën e Zotit.

(Teksti i ripërtëritjes shpirtërore për meshtarë dhe murgesha në Kosovë, Letnicë, 12. 12. 2015. Titulli dhe nëntitujt janë të redaksisë.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »