Zoti të njeh

Jan 5 • Meditimi i ditës

5 janar 2015 – e marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1Gjn 3,11-21; Ps 99; Gjn 1,43-51)

 

Prania e Hyjit

 

Disa minuta do të ndalem e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? Jo i/e brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar
E pranoj atë çfarë njëmend ndiej.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 1, 43-51

 

43 Të nesërmen Jezusi vendosi të shkojë në Galile. Takoi Filipin dhe i tha:

“Eja pas meje!”

44 Filipi ishte nga Betsaida, prej qytetit të Andreut e të Pjetrit.

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha:

“E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.

“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Nazareti ka qenë një vend i panjohur në sytë e Natanaelit. Filipi nuk bisedon për këtë, ai thjesht thotë: “Eja e shih!” A është duke më ndihmuar “Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme” që të vij dhe ta shoh Jezusin? Nuk mund t`i thërras të tjerët derisa vetë mos “të vij dhe ta shoh” Jezusin.

– “Nga më njeh?” Natanaeli është i befasuar, sepse Jezusi e kishte parë nën fik, por edhe më shumë sepse Jezusi i lexon thellësitë e zemrës. Ndërsa rri ulur me Jezusin reflektoj dhe e pyes veten: “Si po dal në sytë e tu? Si po i lexon thellësitë e zemrës sime?”

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri për ty.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »