Ylli yt

Jan 6 • Meditimi i ditës

6 janar 2016 – e mërkure, DËFTIMI I ZOTIT, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 60,1-6; Ps 71; Ef 3,2-3a.5-6; Mt 2,1-12)

 

Prania e Hyjit

 

Ajo që është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.

Mendohem për praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,

në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.

Ndalem dhe lus që Zoti

të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me ndjenjat e frikës dhe pritshmëritë çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet me qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 2, 1-12

 

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,

ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi

ndër qytetet princërore të Judës,

sepse prej teje do të dalë prijësi,

që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Dijetarët, tre shtegtarë-astrologë nga Lindja, e ndjekin yllin në kërkim të hyjnores. Hyji zgjedh që t`u zbulohet autsajderëve, të huajve, pjesëtarëve të popujve të tjerë. Kjo është mësim për mua që në Mbretërinë e Hyjit nuk ka të huaj, nuk ka diskriminim. Kur e kanë gjetur Jezusin janë mbushur me një gëzim të papërshkrueshëm.

– Dijetarët e kanë parë yllin dhe me qëndresë e kanë ndjekur. Njerëzit në Jerusalem nuk e kanë bërë këtë. Çfarë ylli jam i ftuar ta ndjek këtë vit? Çfarë pasurie do t`i dhuroj Jezusit në shërbim të misionit të tij? O Zot, më dërgo çdo ditë që të jem mbartës i dashurisë për të gjithë ata që do t`i takoj.

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »