Fjalimi inaugurues i Jezusit
7 janar 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Gjn 3,22-4,6; Ps 2; Mt 4,12-17.23-25)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,
se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…
Liria
Trungu i trashë dhe i shtrembëruar i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e tij depërton për të parë dhe nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?
Fjala
Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`u përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Mt 4,12-17.23-25
12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,
në drejtim të detit, përtej Jordanit,
Galileja pagane,
16 populli që gjendej në errësirë,
pa një dritë të madhe;
atyre që banonin në krahinën e hijes
së vdekjes u lindi drita.”
17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.
24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte. 25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Fjalimi inaugurues i udhëheqësit të popullit është një moment kyç. Me tendosje e dëgjojmë çka do të thotë. Shumë i dëshirojmë fjalët autentike të vizionit dhe shpresës që do ta lartësojnë shpirtin e këputur.
– Fjalimi inaugurues i Jezusit me porosinë e Ungjillit, d.m.th. Lajmit të gëzueshëm i mban në tendosje dëgjuesit. Në të janë të bashkuar porosia dhe lajmëruesi i porosisë. Ai ofron të vërtetën, shërimin, shpresën, butësinë dhe paqen të gjithë atyre që e kanë humbur shpresën.
– Zot, më fton që ta ndryshoj jetën dhe të besoj në këtë Lajm të gëzueshëm. Ma thello besimin. Bëj që të pranoj ty dhe fjalën tënde dhe të besoj në Zotin e dashurisë të cilin ke ardhur ta zbulosh.
Bashkëbisedimi
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« PËRKUJTIM: Meshë në Katedralen “Nënë Tereza” në 10 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit dhe Dr. Ibrahim Rugovës Arti i rrëfimit faustian »