Gosti për (zh)dehje?

Jan 8 • Meditimi i ditës

8 janar 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 4,7-10; Ps 71; Mk 6,34-44)

 

 Prania e Hyjit

 

Sa më shumë i drejtohemi me përgjërime Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mk 6,34-44

 

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

35 Pasi kaloi shumë kohë e po bëhej vonë, iu afruan nxënësit e tij dhe i thanë:

“U bë vonë e ky vend është i shkretë, 36 thuaju të shkojnë në fshatra e katunde të rrethinës e të blejnë diçka për të ngrënë.”

37 “Jepuni ju të hanë” ‑ u përgjigj.

Ata i thanë:

“Të shkojmë e të blejmë dyqind denarë bukë e t’u japim të hanë?”

38 Ai vazhdoi:

“Sa bukë keni? Shkoni e shihni!”

Pasi shikuan, iu përgjigjën: “Pesë bukë e dy peshq”.

39 Atëherë u urdhëroi t’i ulin të gjithë në bar të njomë. 40 Të gjithë u ulën grupe‑grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë vetë.

41 Jezusi, si i mori pesë bukët e dy peshqit, i lartësoi sytë kah qielli, e bekoi Hyjin, i ndau bukët dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para njerëzve. Po ashtu edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42 Të gjithë hëngrën e u nginë.

43 Çuan dymbëdhjetë shporta plot me copa edhe sa teproi prej peshqve. 44 Ata që hëngrën ishin pesë mijë burra.

 

 Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

–  Tregimi i Markut ka disa nivele. Ekziston një dallim i theksuar në mes të tregimit të mëparshëm nga kapitulli i gjashtë mbi argëtimin për ditëlindje që e kishte përgatitur Herodi për ekipin e vet, ku Gjon Pagëzuesi e humbi jetën, dhe gostisë së Jezusit për njerëzit e thjeshtë. Në njërin nivel shumëzimi i bukëve paraqet dhembshurinë e Jezusit kur hyjninë e vet e vendos në shërbim të masës së uritur. Në nivelin tjetër kjo ngrënie është lajmërim i asaj çfarë do të ndodhë në Darkën e fundit kur Jezusi “i çoi sytë kah qielli, e bekoi dhe e ndau bukën dhe ua dha nxënësve të vet”.

– Cilin vend dhe rol e ka eukaristia në jetën time?

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »