Persiatje për librin me poezi “Nëpër kohë” të Faton Krasniqit

Jan 8 • Kulturë, Letërsi

(Faton Krasniqi, “Nëpër kohë”, poezi, botim i autorit, Prishtinë, 2014, fq. 89) 

 

Nga Xhavit Beqiri 

Libri me poezi “Nëpër kohë” i autorit Faton Krasniqi është ndarë në këto njësi/cikle poetike: LiburnëUlpianëRapsodi dhe Plis. Që nga titujt e këtyre njësive, lexuesi sikur udhëzohet ku dhe si t’i kërkojë shenjat e veçanta të tekstit. Ato janë gërshetuar ndërmjet lavdisë së kohës së shkuar, qoftë kjo imagjinare, qoftë historike (Liburnë, Ulpianë), dhe paradokseve të kohës sonë, të shprishjes së idealitetit të ëndrrave tona si etni dhe të përplasjeve me huqet tona e me hilet e fqinjve (Rapsodi, Plis).

Titujt e cikleve poetike, kështu, shndërrohen në sinjale të një bote shumëngjyrëshe e shumëformëshe poetike, e cila, më tej, bëhet shenjë e poezisë autoriale të Krasniqit, me legjendat e së shkuarës, ëndrrat, zhgënjimet dhe protestën e përhershme të tij, që në këtë botim shpërthen me anë të një ligjërimi të ashpër ironie, që jo një herë kthehet në grotesk therës, sidomos te poezitë “Bisht çiftelie”, fq. 43, “Në ç’derexhe”, fq. 50, “THANK YOU USA”, fq. 45, “Te berberi”, fq. 54, “Këtu mos rri”, fq. 57 etj.      

Stilema të goditura/konotacion i pasur

Poezia e Faton Krasniqit veçori esenciale të saj ka stilemat e goditura. Autori ka sensibilitet (ndjeshmëri) të veçantë për krijimin e tyre (…netët ogurzezatinguj notash funebre, simfoni e trishtëpasqyrë mëkateshzemra të shtrydhura anemike…, të gjitha në një poezi të vetme, “Epilog”, fq. 25; dëshirat e përflakura, poezia “Preludë”, fq. 30; epokë lakuriqësie, poezia “Koha ecën para kohe”, fq. 31; dihama e mreshme, … erë mërzie, poezia “Letargji”, fq. 32; … mjegullat mjegulluan, poezia “Autostrada çirilike”, fq. 34; THANK YOU USA/Ne jemi PUSA, poezia “THANK YOU USA”, fq. 45 ; … rite xheloze, …dashuri shterpë, poezia “Diademë”, fq. 46; …farëngrënës metropolitan, poezia “Në sheshin Skënderbe”, fq. 49; … prarimet diellore, poezia “Fillikat”, fq. 75). 

Me anë stilemash origjinale, poeti arrin t’i japë tekstit të tij poetik forcë shprehësie, një gjakim ky i përhershëm i poetëve, veçmas i atyre që duan (dhe dinë) ta përdorin gjuhën në aspektin dytësor.  Shkurt, në çastet e saj më të arrira, kjo poezi shquhet për konotacion të pasur. Thënë më shkoqur, kjo poezi bëhet më e shumëkuptimëshe (polisemantike), atëherë kur ia arrin të largohet nga ligjërimi i zakonshëm (thjeshtligjërimi). Këtij tehu, besoj unë, poeti duhet t’i bjerë edhe më me këmbëngulje në krijimet e tij të ardhshme! 

Rreziku i angazhimit

Ndonjëherë, vlera estetike e poezive sikur mbytet nga intenca për ligjërim të angazhuar. Synimi për të “trajtuar” çështje të domenit politik e shoqëror, apo edhe të historisë së nacionit, qoftë duke u mbështetur në dokumentaritet (në gjëra tashmë të argumentuar shkencërisht), qoftë duke marrë për bazë hipoteza, e bëjnë poezinë e Fatonit poezi të angazhuar. Kjo, si gjithmonë, është thikë me dy teha! Poezia vërtet bëhet më aktuale, më atraktive për lexuesin, porse ajo rrezikon të largohet nga magjia e botës së saj, që buron e mbahet gjallë nga sharmi dhe misteret e metafizikës.

Mesazhi i poezisë do të dilte edhe më i fuqishëm, po qe se vargu do të ishte më eliptik dhe do të lirohej nga gjakimi (i poetit) për të sqaruar hollësisht botën e mendimeve (të tij). E pathëna i jep shumë kuptime gjuhës së poezisë, ligjërimit poetik! Shtjellimi i problemit/ngjarjes më shumë i takon prozës, madje publicistikës!  

(Disa) luhatje drejshkrimi?!

Meqenëse teksti është shkruar sipas standardit të vitit 1972, në disa raste ka lëshime që bien ndesh me këtë standard, të cilat autori mund t’i shmangte! Shpeshherë zanorja e “errësohet” në ë: (…vallës, për …valles; …të ardhmën, për …të ardhmen, fq. 26; Ditët që po tretën, për: Ditët që po treten, fq. 29; … sokaqet e lagjës, për …sokaqet e lagjes;  fqVetës I bëj, për Vetes i bëj, fq. 35).

Por, edhe e-ja përdoret në vend të ë-së (këshillen, për këshillën, fq. 17; U shafqen bjeshkët, për.. U shfaqën bjeshkët, fq. 35; …asnjëren, për asnjërën, fq. 43; …cilen, për cilën, fq. 44).

Në një rast, përemri vetvetor vetë është shkruar pa ë (fq. 19). Madje, emri çati është shkruar me q mesgjuhore – qatitë (duhej çatitë)! (fq. 20). Ndërsa, në një rast tjetër, shumësi i emrit natë –a, ka dalë dy herë gabimisht: netë (me ë), në vend të net (pa ë)!  

Edhe emri borxhlinj, në fq. 45, del gabimisht me ë, borxhlinjë!

Pjesëza mohuese s’, del pa apostrof: Si se morëm vesh… fq. 84! Duhej: Si s’e morëm vesh..!

Folja them, në kohën e kryer të thjeshtë (veta e parë e njëjësit), ka dalë gabimisht: thash, pa ë! Duhej: Thashë! (fq. 74).

Trajtat e ndajfoljeve dora doraskëmba këmbës, duhet të shkruhen me vizën lidhëse në mes: dora-dorëskëmba-këmbës! Fq. 28.

Titulli i poezisë “Princesë” (fq. 29), duhej të shkruhej “Princeshë”, pra me sh, jo me s! Po në këtë poezi, e ardhmja e foljes marr, veta e tretë e njëjësit, është vënë gabimisht me r, në vend të rr-së. (Se do të marësh fronin…, për: Se do të marrësh fronin…)

Titulli i poezisë “Preludë” (fq. 30), duhej të shkruhej Prelud, pra, pa ë!

Përfundim

Libri me poezi “Nëpër kohë”nuk paraqet as zenitin, as limitin poetik të Faton Krasniqit. Mundësitë e tij krijuese shkojnë përtej… më larg! Besoj se koha do të më japë të drejtë!

Poeti ka dhuntinë të krijojë poezi! Ai krijon stilema të zgjedhura, të cilat janë tërësisht të tijat! Janë gjetje/krijime origjinale! Një (para)kusht i domosdoshëm për të qenë emër i veçantë, i mëvetësishëm, në oqeanin e madh të krijimtarisë letrare artistike, Mirëpo, atij i  duhet të tërhiqet nga poezia e angazhuar, e cila, është interesante në çastin e krijimit, por e ka të vështirë t’u flasë me të njëjtin intensitet emocional, me të njëjtin afeksion lexuesve të së ardhmes.

Luhatjet drejtshkrimore, që paraqiten në këtë tekst, janë lehtësisht të tejkalueshme, kur dihet profili krijues dhe formimi gjuhësor i Faton Krasniqit, i cili është studiues me potencial i gjuhës shqipe, i historisë dhe modernitetit të saj.

Që ta përmbyll: Arti letrar, arti i gjuhës sublime e supreme, synon të jetojë përtej kohës së tashme, sado madhështore që të jetë ajo! Poeti asnjëherë nuk duhet ta harrojë këtë maksimë, këtë urtësi!…

Shpërndaje

Comments are closed.

« »