Të ndjehesh i dashur prej Zotit

Jan 9 • LEXIMET E SË DIELËS

Pagëzimi i Jezu Krishtit

 

Leximi i parë (Is 42, 1-4.6-7)


Lexim prej Librit të Isaisë profet


Kështu thotë Zoti: “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve. Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri i tij s’do të dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues, dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën. S’do të lodhet as nuk do të ndalet derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij. Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt: që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.” 

Fjala e Zotit

 

Psalmi (29)


Ref: Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

_______________________________

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,
jepni Zotit lavdinë e fuqinë!
Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,
adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!
________________________________

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,
Hyji i madhërishëm gjëmon,
Zoti bubullon mbi ujëra të mëdha!
Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,
Zoti gjëmon me madhëri!
_______________________________

Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi!”
Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,
Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!
_____________________________________

 

Leximi i dytë (Vap 10, 34-38)

Lexim prej Veprave të Apostujve


Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi fjalën e vet Izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të.” 

Fjala e Zotit

Aleluja!
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni;

Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.
Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 3, 15-16.21-22)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukes


Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”  

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Ne të  krishterët e dimë se ekzistojnë shtatë sakramente. Sakramentet e percjellin jetën njerëzore prej lindjes deri në vdekje. Këto sakramente janë me rendësi, sepse nëpërmes tyre vendosim lidhjen më intime me Zotin dhe Zoti me ne. Me pagëzim lindim për jetën me Zotin. Sikurse nga prindërit lindim për jetën tokësore, me pagëzim fillon në ne jeta e amshuar, jeta me Zotin. Sikurse kemi dëshirë të jetojmë jetën  tokësore, aq më shumë duhet të jetojmë për jetën e amshuar. Nga gjithë kjo del se, pagëzimi me Eukaristinë – Kungimin shenjtë është sakramenti kryesor, të cilëve duhet t’ iu bashkëngjiten dhe sakramentet tjera.

Kur meshtari pagëzon, ndër të tjera, përdorë fjalët: “Unë po të pagëzoj në emër të Atit  e të Birit e të Shpirtit Shenjtë!  Atëherë ndodh ngjarja më e rëndësishme në jetën e njeriut: hapet qielli dhe nga qielli zbret Trinia Shenjte, e cila pas pagëzimit banon në shpirtin e posa të pagëzuarit.

Njeriu bëhet tempulli i shpirtit të Zotit, vëllai i Jezu Krishtit. Fëmija prej momentit të pagëzimit i takon Zotit. Në të fillon jeta e re hyjnore. Për këtë arsye pagëzimin e quajmë rilindje shpirtërore ose ringjallje e sërishme. Vetë Krishti ka thënë: “Kush nuk lind nga uji dhe Shpirti Shenjt, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë qiellore” (Gjn 3, 5).

Rilindja e sërishme e njeriut është e ngjashme me veshjen e re dhe krijimin e njeriut të ri. Shën Pali, në lidhje me këtë, ju shkruan efesianëve: “Ju them dhe ju përbej që ta leni njeriun e vjetër, i cili i takon jetës së kaluar dhe të visheni me njeriun e ri, i cili është i krijuar me përngjasim të fytyrës së Zotit të vërtetë, të pafajshëm dhe të shenjtë”.

Bota edhe me tutje ka mbetur e njëjtë, por për ne të krishterët ka ndryshuar pamjen. Ne, pas pagëzimit, botën e shohim nga një prizëm tjetër nga të tjerët. Njeriu e krishterë më nuk është i vetëm, nuk është i lënë pas dore, sepse e ka Atin në qiell, i cili me kujdesin e tij atëror e mban në dorën e vet. Zoti, mbi të gjatë tërë jetës dhe përherë e udhëheq me dorën e tij. Kjo e tregon se me pagëzim krijohet marrëdhënia intime, e ngushtë me Krishtin. Ne të krishterët e kemi Krishtin si vëllain tonë të madhe, sepse Ai pandërprerë ndërmjetëson për ne para Atit të vet dhe Atit tone.

 

LUTJA E BESIMTARËVE

T’i lutemi Krishtit Zotit tonë, të cilin Ati me pagëzim në Jordan e shpalli për Birin e vet dhe e lajmëroi për Shëlbues tonin, duke thënë:

Na dëgjo o Zot.

–      Që ne të gjithë të dimë të vlerësojmë pagëzimin e shenjtë, që të jetojmë në atë dritë dhe t’iu përmbahemi premtimeve që i kemi bërë, të lutemi.

–       Që me sukses ta luftojmë mëkatin, të keqen, që na ndan prej hirit tënd, të lutemi.

–       O Jezu, në lumin Jordan Ati dëshmoj për Ty që je Biri i Tejetlartit Zot dhe na urdhëroi që të jemi të dëgjueshëm ndaj teje, bëj që ty të dëgjojmë dhe fjalët tua t’i zbatojmë, të lutemi.

–       O Jezu, me pagëzimin tënd Ti i ke shenjtëruar ujërat për pagëzimin tonë, na ndihmo që besnikërisht të jetojmë të pastër me trup e me shpirt, të lutemi.

Prano lutjet tona, o Zot, që t’i drejtuam për shëlbimin tonë e të mbarë botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Përgatiti: Dom Tomë Karrica

Shpërndaje

Comments are closed.

« »