“Unë jam” – Hyji

Jan 9 • Meditimi i ditës

9 janar 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1Gjn 4,11-18; Ps 71; Mk 6,45-52)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment i vetëdijshëm se Hyji është këtu.
Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri që e marr, i tërë trupi im,

bredhon me praninë e Zotit.

 

Liria

 

Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur më shtypin të gjitha sende,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në hapësirën në të cilën gjendem,

edhe atëherë, në heshtjen e vdekur, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri shpirti të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe për fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mk 6,45-52

 

45 Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin. 46 Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur.

47 Kur u bë natë, barka ishte në mes të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë. 48 Kur i pa se si hiqnin keq duke rremuar ‑ sepse era fryente nga ana e kundërt ‑ diku rreth rojës së katërt, Jezusi erdhi tek ata duke ecur përmbi det. Deshi t’i kalojë, 49 por ata, posa e panë duke ecur përmbi det, menduan se është fantazmë e bërtitën: 50 sepse e panë të gjithë e u trembën. Por Jezusi menjëherë filloi të flasë me ta e u tha:

“Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!”

51 Dhe hipi tek ata në barkë e era pushoi. E mbetën krejtësisht të habitur, 52 sepse ende nuk e kishin kuptuar vështrimin e mrekullisë së bukëve: mendja e tyre ishte e paaftë të kuptonte.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Fjalët e Jezusit: “Unë jam” sjellin ndër mend fjalët me të cilët Hyji është zbuluar dhe quajtur kur Moisiu e pat pyetur, siç lexojmë lidhur me këtë në Librin e Daljes (3,14). Këtu Marku përkujton prejardhjen hyjnore të Jezusit.

– Barkën mund ta marrim si simbol të Kishës së Vogël të Markut, ndërsa stuhinë si simbol i përndjekjeve të bashkësisë së krishterë. Fjalët e Jezusit: “Mos kini frikë” arrijnë te të gjithë të krishterët edhe sot të cilët shpesh herë jetojnë në një botë që mban qëndrim indiferent dhe armiqësor ndaj tyre.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësitë e zemrës time.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po dorëzohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »