A i përgjigjem thirrjes së Zotit përditë?

Jan 11 • Meditimi i ditës

11 janar 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës – Java 1-rë gjatë vitit “C”: 1 Sam 1,1-8; Ps 115; Mk 1,14-20)

 

Prania e Hyjit

 

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo o Zot që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 1, 14-20

 

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ardhja e Jezusit në Galile na shpie në një periudhë të re. Personi dhe shërbesa e Jezusit janë fillim i Mbretërisë së Hyjit. Mbretëria është një realitet aktiv dhe dinamik. Fjalët dhe veprat e Jezusit gjithmonë janë në shërbim të kësaj Mbretërie.

– O Zot, i ke thirrur nxënësit që të të ndjekin dhe të kenë pjesë në misionin tënd. Përgjigjja e tyre është radikale dhe e momentit. Mos më pengoftë asgjë kur t`i përgjigjem zemërgjerë thirrjes sate të përditshme për të ndjekur ty.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë kohës sa ishe në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem besim, mbështetje fëmijërore në ty.

Që të jetoj me vetëdije se ti kurrë nuk do të largohesh prej meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »