Akademi  përkujtimore në 10 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit

Jan 11 • Kisha në Kosovë

Më 9 janar 2016, në Pallatin e Kulturës “JEHONA E DUKAGJINIT” në Klinë, nën pjesëmarrjen e mbi 500 mysafirëve të rangut të lartë akademik, intelektual e kulturor u mbajt akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit.

 

 Nga Lekë Mrijaj

Akademia në fjalë u mbajt në shenjë respekti dhe dashurie në përjetësim të figurës së pakrahasueshme të tij, që ishte simbol i vlerave më të mira të civilizimit dhe primat kryesor i frymës tolerante dhe kulturës së unitetit tonë vëllazëror – mbarëkombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme fetare. Angazhimi i fuqishëm i tij për çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, u dëshmua gjithherë në mbështetje të faktorit politik shqiptar gjithëpërfshirës, duke filluar që nga kohët e para  viteve ’90 dhe më pas, pikërisht me pajtimin e gjaqeve dhe në mbështetje të luftës çlirimtare.

Imzot Sopi, si pasardhës i Martirëve të Karadakut, gjithmonë i qëndroi besnik idealëve të tyre për Fe e Atdhe, pikërisht njëzëshëm, pa asnjë hezitim, në çdo kohë, në mënyra të ndryshme i thërriste miqtë e tij ndërkombëtar në mbështetje të lirisë e shtetbërjes së Republikës së Kosovës. Kjo u dëshmua gjatë një takimi në Kongresin Amerikan kur i ndjeri Imzot Mark Sopi bënte thirrje në mbështetje të Kosovës duke thënë se Evropa është e pafuqishme në ndryshim të gjendjes sonë, ndaj jeni ju Amerikë, vetëm ju mund ta zgjidhni dhe të na e mbështetni të drejtën tonë legjitime dhe tolerancën tonë ndërfetare tek ne, asaj myslimane dhe katolike. Pikërisht ai fjalim zgjoi kureshtje të jashtëzakonshme  tek kongresistet  dhe media amerikane.

Akademisë i parapriu mesha kushtuar për shpirtin e të ndjerin Imzot Mark Sopi, të cilën e celebrojë Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës Dr. Don Lush Gjergji, bashkëvëllezër meshtarë, në kishën e “Shën Gjon Pagëzuesit ” në Zllakuqan, aty ku Don Mark Sopi, sa ishte meshtarë e kaloi një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë së tij. Para fillimit të akademisë qendrore, përmes video projektorit u transmetuan sekuenca të shkëputura nga jeta misionare dhe angazhimet të përgjithshme kombëtare e ndërkombëtare të Imzotit, pikërisht një ndër fjalimet të përzgjedhura, më të mira gjatë veprimtarisë jetësore së tij zhvilluar nëpër  selitë  e huaja ndërkombëtare: në Kongresin Amerikan, BE dhe mediave  tjera si, Zëri i Amerikës etj.

Me nga një fjalë rasti kanë përshëndetur ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu e nënkryetari i Klinës z. Enver Berisha, të cilët e përshkruan dhe çmuan lart vlerat dhe kontributin madhor  të të ndjerit Imzot Mark Sopit si pasardhës i martirëve të Karadakut e bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit legjendar Dr. Ibrahim Rugovës e Prof. Anton Çetës i lidhur shpirtërisht me popullin tonë liridashës në kohë të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim të tyre, pa dallim besimi dhënë kauzës sonë shqiptare në përgjithësi si dhe afirmimit të saj në instancat më të larta euroatlantike.

Për jetën, veprën dhe vdekjen e Imzot Mark Sopit referuan Dr. Martin Berishaj, Dr. Don Shan Zefi, Prof. Prend Buzhala, Prof. Pal Canaj dhe në mungesë të Don Gjergj Metës referencën e tij e lexoj Aleksander Ndoja analist, publicist e gazetar nga Tirana të cilët e vlerësuan lartë figurën tij gjithëpërfshirëse misionare, kombëtare e kulturore.

U deklamuan vargje poetike nga ana e poetes Jehona Gashi, vargje dedikuar për të ndjerin Imzoz Mark Sopit, të krijuara nga krijuesi Lekë Mrijaj, gjë që e bëri më të larmishëm dhe emocionues këtë akademi përkujtimore.

Pak para përmbylljes së akademisë foli edhe Dekani i Dekanatit të Pejës, njëherit edhe famullitar i Klinës, Don Lenc Sopi, për të pranuar pikturën e Imzot Mark Sopit, të punuar nga ana e mjeshtrit Prof. Ylber Haxhiut nga Drenasi. Ddorëzimi i saj u bë nga ana e të dy drejtorëve komunal për kulturë, rini e sport të Pejës z. Engelberg Zefaj e asaj të Klinës znjsh. Kristina Lazrit.  Don Lenci me atë rast shprehu falënderimet e përzemërta për dhuratën e çmuar si dhe për të gjithë pjesëmarrësit, referuesit dhe për të gjithë ata që dhanë ndihmesën e tyre të pakursyer në mënyra të ndryshme në realizimin e kësaj akademie përkujtimore, duke përfshirë edhe drejtoratin për kulturë, rini e sport  të Klinës.

Akademia përkujtimore është mbajtur nën patronatin e këshillit organizativ të një grupi intelektualësh të Lugut të Drinit, në përbërje prej Bardhec Prenaj, Prend Buzhala, Mikel Gojani, Pal Canaj, Dodë Ndrecaj, Lekë Mrijaj, Vilson Culaj, nën mbështetjën e Dekanit të Dekanatit të Pejës e famullitar i Klinës Don Lenc Sopit, famullitarit të Zllakuqanit Don Isak Dodës e Marjan Sebaj-Sopit që ishte edhe ideator kryesor për mbajtjen e saj.

Në fund u bë hapja e ekspozitës me fotografi  të Imzot Mark Sopit, të realizuara nga z. Sali Cacaj ish këshilltar i Presidentit Rugova.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »