A lejoj të ndikohem nga shpirti (jo) i mirë?

Jan 12 • Meditimi i ditës

12 janar 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 1, 9-20; Ps: 1 Sam 2, 1.4-8; Mk 1,21b-28)

 

 Prania e Hyjit

 

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësia në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë ndaj asaj çfarë jam.

Si kaloi kjo ditë? Si po e ndjej veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 1,21-28

 

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

25 Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 –   Kur dikush flet për Jezusin që i dëbon djajtë, duhet pasur para sysh që Jezusi ka qenë njeri i kohës së vet, si ne, përveç mëkatit. Ashtu si edhe bashkëkohësit e tij ka mundur mirë ta kuptojë sëmundjen mendore apo psikosomatike si formë e pushtimit djallëzor.

– Çfarë “shpirtra të ndytë” mbart unë rreth vetes? A mund të jem i/e sinqertë me vetveten dhe t`i sjell ata para Zotit?

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

 Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »