Katedralja “Nënë Tereza” vepër jetësore e Ibrahim Rugovës dhe Imzot Mark Sopit

Jan 12 • Kisha në Kosovë

Në 10 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit dhe ish presidentit  Ibrahim Rugova, në katedralën “Nënë Tereza”, është mbajtur mesha kushtuar këtyre dy figurave madhore, njëri i Kishës e tjetri i shtetit – e të dy së bashku të kombit shqiptar. Gjatë kremtimit  të kësaj meshe, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka kujtuar kontributin e tyre në ndërtimin e Katedralës, duke thënë se ishin pikërisht këta dy burra që arritën ta kurorzojnë veprën e tyre mbi tokë, duke vendosur gurthemelin e kësaj Katedrale, që është nyja e cila lidhë fillimin e së kaluarës dhe të ardhmes së kombit tonë.

 

Shkruan:  Ardian Nikolla

Imzot Dodë Gjergjit, ka thënë se Katedralja paraqet historinë e rilindjes së popullit të Kosovës. “Disa muaj para se të kalonin në shtëpinë e Atit tonë qiellor, që të jetonin në amshim, e kurorëzuan veprën e tyre mbi tokë, duke bekuar gurin e këndit të kësaj Katedrale. Sepse ishin të bindur që Historia dhe rilindja e popullit të Kosovës, nuk duhet të filloj ditën pas çlirimit, por atje ku i është këputë shpirti.  Këndej edhe insistonin që katedralja e re të ketë stilin klasik, në mënyrë që,  kjo Katedrale të jetë nyja që lidhë fillin e së kaluarës dhe të ardhmes tonë. Në atë kohë, si ipeshkëv i Sapës, në Shqipëri, për arsye subjektive,  më shumë se një herë është dashtë të vija për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Por, e rëndësishme është ajo e 26 gushtit,  kur përfundimisht u arrit që të bëhej bekimi i Gurthemelit të Shenjtënores së Nënë Terezës dhe të Katedrales së qytetit të Prishtinës”, ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Ai ka kujtuar sesi ish presidenti Ibrahim Rugova, kishte kërkuar që ta bekojë themelin e Katedralës “Nënë Tereza”.

“Më kujtohet mirë, kur Presidenti Rugova ashtu i sëmurë, kishte ardhur për të realizuar dëshirën e tij të fundit, po edhe për të kurorëzuar veprën e tij ndër ne. Pasi kardinali dhe ne ipeshkvijtë e bekuam gurin,  Rugova, duke qenë që më kishte pranë, me një gjysmë zëri më tha: A banë që  edhe unë ta bekoj? Po i thash, pse jo! Aq më tepër, do të ndërtohet më shpejt.  Me një buzëqeshje tipike, që karakterizonte natyrën e tij, shprehte gëzimin duke hedhë ujë të bekuar mbi Gurin e themelit….  Imzot Marku i cili ishte shëndet dhe me shpresë, që do të ndërtonte këtë Katedrale, më një pëshpëritje të tij të zakontë, kur donte të thoshte diçka të rëndësishme, më tha: Duhet të lutemi për shëndetin e Presidentit, se kamë frikë, po vdes” ka deklaruar ipeshkvi Gjergji.

Në fund, Imzot Dodë Gjergji, ka thënë se ndërtimi i Katedralës ishte dëshirë e liderëve të vendit, dhe është zotuar në ndërtimin e sajë .“Ne duhet ta qojmë në vend amanetin e tyre të fundit, le të bashkohemi të gjithë individ e institucione, që në vitin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, të përfundojmë ndërtimin e kësaj  Katedrale,  në mënyrë që ajo të mund të shkëlqejë me krejt rrezatimin e bukurisë së vet. Kjo është e nevojshme, sepse kryefjala e këtij projekti është  “ Liderët tanë e kanë dëshiruar e ne do ta ndërtojmë!” Jo me para të huaja, por me djersen tonë, sepse vetëm ashtu mund të jetë e jona dhe e askujt tjetër. Këndej edhe kemi të drejtë të ia kushtojmë, Shenjtës tonë Terezë, e nënës së mbarë botës. Në fund, lutem bashkë me ju që këtyre dy shpirtërave të përvuajtur, Zoti i dhimbeshim dhe i Mëshirshëm t’iu dhuroj jetën e pasosur, që të pushojnë në paqe! E jam i bindur që nga dritarja e qiellit në përqafim me Nënë Terezën na shikojnë e luten për ne”, ka potencuar Imzot Dodë Gjergji.

Në kremtimin e meshës ishte prezent edhe Kryemnistri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare.

Fotografitë: Antogona Pjetraj dhe Adnan Ruhani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »