A bëj kërkesa të papjekura në lutje?

Jan 13 • Meditimi i ditës

13 janar 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 3,1-10.19-20; Ps 39; Mk 1,29-39)

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht para teje,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë me realitetin si jam.

Si ishte dita e kaluar? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

 

Mk 1, 29-39

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.

30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.

Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë:

“Të gjithë po të kërkojnë.”

38 Ai u tha:

“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Lutja e përditshme herët në mëngjes ishte pjesë e përshpirtërisë hebraike. Jezusi çohet herët dhe shkon në një vend të pabanuar për të lutur, për të biseduar me Atin e tij. Natyrisht nuk mundi të qëndronte vetëm sepse Simon Pjetri dhe nxënësit tjerë shkuan për ta kërkuar. I thanë: “Të gjithë po të kërkojnë”. Kërkimi i tyre i Jezusit me siguri kishte rrjedhur nga bindja që Jezusi ishte duke e lëshuar një rast të madh për të bërë ende mrekulli në Kafarnaum.

– E pyes veten: a jam duke kaluar shumë kohë në pritje që Jezusi të bëjë ndonjë mrekulli edhe për mua?

 

 Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

Se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »