Dy figura që na nderojnë: Imzot Mark Sopi dhe Dr. Ibrahim Rugova

Jan 13 • Kisha në Kosovë

Nga Imzot Dodë GJERGJI

 

Fort të dashur vëllezër e motra,

Të nderuara autoritete civile dhe diplomatike,

Të dashur miq!

Që në krye të fjalës sime, më lejoni të falënderoj Familjen e Presidentit Rugova dhe të Ipeshkvit Sopi, që kanë dashur të kremtojmë së bashku këtë meshë për këto dy figura të mëdha, si për Kishën ashtu edhe për Kombin, në 10 vjetorin e kalimit të tyre në amshim.

Fort të dashur vëllezër e motra,

Ne besojmë se Hyji, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, nëpërmjet Birit të tij, Zotit tonë Jezu Krishtit, e ka mundur vdekjen, dhe me ngjalljen e Tij, të gjithëve na ka dhuruar jetën e pasosur për të gëzuar amshimin në praninë e Hyjit Atë. 

Në leximin e parë kemi dëgjuar se si Shën Pali apostull iu shpjegonte këtë besim Selanikasve: “Hyji nuk na ka caktuar për të qenë të ndëshkuar me drejtësinë e hakmarrëse të tijën, por që të fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne  – që ne,  të gjallë apo të vdekur – të jetojmë bashkë me të”.

Ungjilli na paraqet Jezusin, mik, dashamir dhe shok të Lazrit nga Betania dhe si Ai, në natyrën e tij njerëzore, merrte pjesë në dhimbjen e miqve, duke gufuar në vaj, e në natyrën hyjnore, nuk ngutej, por ngushëllonte nxënësit me shpresë, duke iu thënë se  Lazri s’ka vdekur, por ai po flenë. Jezusi, autori dhe dhënësi i jetës, e fton Lazrin të del nga vdekja. Kjo ftesë është paraprirëse e asaj dite kur vetë Hyji do  të jep urdhër në zë të kryeengjëllit, në zë të burisë së Hyjit, kur Zoti do të zbres nga qielli, për të na nxjerr nga vdekja secilin prej nesh.

Jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste tjera, Krishti ka merr pjesë në dhimbjen që shkakton vdekja. Në britmën e fundit në Kryq, kur klith: “Në duart tua, o Atë, po e lëshoj Shpirtin tim!” është kulmi i pjesëmarrjes dhe rrumbullakësimi i bashkëndarjes së Tij me dhimbjen e njeriut.

Edhe Kisha, me lutjen e vetë për të vdekurit, merr pjesë në këtë dhimbje dhe nxitë shpresën e të ngjallurit te bijtë dhe bijat e veta, nëpër Zotin tonë Jezu Krishtit.

Lutja për ata që kanë kaluar në amshim, është vepër e mëshirshme për shpirtrat e tyre, kurse për të gjallët ngushëllim, sepse besojmë që të gjallët vdesin, kurse të vdekurit jetojnë. Këndej, s’duhet pushuar kurrë duke u lutur për ata që i kemi dashur, deri sa ishin gjallë mbi tokë.

Kjo lutje është edhe përkujtim, e përkujtimi është virtyt i të urtëve, sepse krijon vazhdimësi historike. Historia na mëson se popujt që kanë përkujtuar prijësit e vetë, kanë pas trashëgimi dhe se s’kanë humbur në labirintin e kohës, sepse nëpërmjet kujtesës, gjithmonë kanë gjet shtegun e rrugëdaljes për të ardhmen e ndritur. Kjo do të thotë që popujt që kanë mbamendje kolektive për të shkuarën e vetë, për historinë e tyre, që është  duhet të jetë themeli dhe siguria për të ardhmen e përbashkët. E pse mos të jetë edhe ky moment lutjeje një mirënjohje për ata, që në të kaluarën, kanë kontribuar për të mirën tonë.  E ne, në të vërtetë, kemi për çka t’i falënderojmë këto dy personalitete , jo vetëm si Kishë po edhe si shtet e si komb.

Motra dhe vëllezër të dashur,

që nga vdekja e Bogdanit dhe Piccolominit në vitin 1689, janari i vitit 2006,  ishte muaji më i ftohtë në Kosovë, si në kontekstin meteorologjik, ashtu edhe në atë njerëzor.  Në një hark kohor prej dhjetë ditësh, Kosova humbi dy njerëz të rëndësishëm: Kisha humb Bariun, ipeshkvin dhe prijësin e saj e Kosova të parin e Kishës Katolike, kurse Shteti humb Presidentin, Kosova Kryetarin dhe populli i Kosovës liderin më të dashur të historisë së re.

Disa muaj para se të kalonin në shtëpinë e Atit tonë qiellor, që të jetonin në amshim, e kurorëzuan veprën e tyre mbi tokë: bekuan gurin e këndit të kësaj Katedrale. Sepse ishin të bindur që historia dhe rilindja e popullit të Kosovës, nuk duhet të fillojë ditën pas çlirimit, por atje ku i është këputur shpirti.  Këndej edhe insistonin që katedralja e re të ketë një stilin klasik, në mënyrë që kjo Katedrale të jetë nyja që lidhë fillin e së kaluarës dhe të ardhmes tonë.

Në atë kohë, si ipeshkëv i Sapës në Shqipëri, për arsye subjektive,  më shumë se një herë është dashur të vija për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Por, e rëndësishme është ajo e 26 gushtit 2005,  kur përfundimisht u arrit që të bëhej bekimi i Gurthemelit të Shenjtënores së Nënë Terezës dhe të Katedrales së qytetit të Prishtinës.

Më kujtohet mirë, kur Presidenti Rugova ashtu i sëmurë, kishte ardhur për të realizuar dëshirën e Tij të fundit, po edhe për të kurorëzuar veprën e tij ndër ne. Pasi kardinali dhe ne ipeshkvijtë e bekuam gurin, Rugova, duke qenë që më kishte pranë, me një gjysmë zëri më tha: “A banë që  edhe unë ta bekoj?” Po i thash, pse jo! Aq më tepër, do të ndërtohet më shpejt. Me një buzëqeshje tipike, që karakterizonte natyrën e tij, shprehte gëzimin duke hedhë ujë të bekuar mbi Gurin e themelit… Imzot Marku, i cili ishte me shëndet të mirë dhe me shpresë, që do të ndërtonte këtë Katedrale, më një pëshpëritje të tij të zakontë, kur donte të thoshte diçka të rëndësishme, më tha: “Duhet të lutemi për shëndetin e Presidentit, se kamë frikë, po vdes!”

Ndodhi që Imzot Marku, të vdiste para tij. A nuk e dëshmon këtë fakt Shën Pali kur ju drejtohej Selanikasve: “Dhe sa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj, se dita e Zotit vjen, shih si vjen vjedhësi natën.” Këndej vetëm mund të themi: Sa të pa shqyrtueshme, o Zot, janë udhët e tua.

Ky fakt mua më ka ndihmuar shumë gjatë ndërtimit të kësaj Katedrale. Shpeshherë kam medituar dhe jam lutë për ta, sepse, më prinë vetëdija se, s’jemi duke bërë gjë tjetër  përveçse duke e realizuar projektin dhe ëndrrën e këtyre dy burrave të mëdhenj, njëri i Kishës e tjetri i shtetit, e të dy së bashku, të kombit.

Duke u nisur nga kjo, dëshiroj t’i ftoj të gjithë njerëzit vullnetmirë, të kishës, të shtetit dhe të  kombit që të gjejmë bashkërisht forcën e guximit e të shpresës, për të pasur virtytin e durimit për të përballë të keqen brenda nesh, me të njëjtën duresë dhe urti, që e karakterizoi  Imzot Sopin.

Sipas shembullit të Presidentit Rugova, i cili ishte vizionar stoik, veprues konsekuentë dhe burrështetas e lider, që e do populli, të punojmë për arritjen e synimeve të përbashkëta, me metodologjinë e paqes, pajtimit dhe duresës. Të vihemi në krah të së vërtetës historike dhe të miqve, pa hezitim, në mënyrë që  të guxojmë të ëndërrojmë të ardhmen tonë më të bukur,  një jetë më të sigurt për pasardhësit tanë dhe të ardhme më të dinjitetshme të gjeneratave të që do ta gëzojnë këtë vend.

Për ta çuar në vend amanetin e tyre të fundit, le të bashkohemi të gjithë, individ e institucione, që, në vitin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, të përfundojmë ndërtimin e kësaj  Katedrale,  në mënyrë që ajo të mund të shkëlqejë me krejt rrezatimin e bukurisë së vet. Kjo është e nevojshme, sepse kryefjala e këtij projekti është “Liderët tanë e kanë dëshiruar e ne do ta ndërtojmë!” Jo me para të huaja,  por me djersen tonë, sepse vetëm ashtu mund ta ndjejmë se na përket e ta kemi tonën. Kjo na bënë që të kemi të drejtë të ia kushtojmë Shenjtës tonë Terezë, e Nënës së mbarë botës.

Në fund, lutem bashkë me ju që këtyre dy shpirtrave të përvuajtur, Zoti i dhimbeshim dhe i Mëshirshëm, t’iu dhurojë jetën e pasosur, që të pushojnë në paqe! Jam i bindur që sot nga dritarja e qiellit, në përqafim me Nënë Terezën, na shikojnë e luten për ne.

 

(Predikimi i Imzot Dodë Gjergjit, në meshën përkujtimore në 10 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Katedralja “Nënë Tereza” Prishtinë, më 12 janar 2016. Titulli është i Rev. Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »