A i lejoj Jezusit të m`i “pastrojë” pikëpamjet e mia?

Jan 14 • Meditimi i ditës

14 janar 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 4,1b-11; Ps 43; Mk 1,40-45)

 

Prania e Hyjit

 

Ia përkujtoj vetes se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 1, 40-45

 

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:

44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gërbula në Besëlidhjen e Re, përveç gërbulës së vërtetë, ka mundur të ketë kuptimin edhe të sëmundjeve të ndryshme të lëkurës. Duke shëruar individë, Jezusi u thotë “që mos t`i tregojnë askujt”. Ai nuk dëshiron që njerëzit të mendojnë që ka ardhur për të sjellë ndryshim politik. Jezusi nuk është revolucionar në këtë kuptim.

– Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme të jetës sime që duhet “t`i pastroj”. Të gjitha këto ia sjell para Jezusit për t`i shëruar.

 

 Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »