Bëni gjithçka t’ju thotë!

Jan 15 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela II gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë (Is 62, 1-5)

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë në nderi në dorën e Zotit, ke zë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt.  

Fjala e Zotit

 

Psalmi 96

 Ref: Ti, o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja.

——————————————

Këndoni Zotit një këngë të re!

Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.

————————————————

Shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij,

kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,

ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

——————————————–

Jepni Zotit, familjet e popujve,

jepni Zotit nder e fuqi,

jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

———————————————–

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!

Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;

i gjykon popujt me drejtësi.

————————————————

 

 Leximi i dytë  (1 Kor 12, 4-11)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

 Vëllezër, dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Në dasmën në KanëJezusi e shndërroi ujin në verë:

Ai e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.

Aleluja!

 

+ Ungjilli (Gjn 2, 1-12)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

 Në atë kohë,  po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”

Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”

Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.     

Fjala e Zotit.

 

——————————

 

POROSIA

Besimtarë të dashur, kaluan festat e Kërshëndellave dhe tani vazhdojmë me të dielat gjatë vitit. Derisa gjatë Kërshëndellave kemi qenë të ftuar të shikojmë Foshnjën Hyjnore, tani jemi të ftuar të shkojmë me Krishtin në rrugën e shëlbimit. Jo rastësisht, Krishti e bën mrekullinë e parë në një dasmë, gazmend familjar, ku e ndan gëzimin jetësor me këtë çift martesor. Krishti, edhe njëherë dëshmon se sa e rëndësishme është martesa, familja. Ai, ka lindur dhe është rritur në familje, me dëshirën që të shenjtëron familjet tona.

Ka lindur Krishti në familjen time? E lejoi Krishtin të rritet dhe të veprojë në familjen time?

Sot, Krishti vazhdon të bëjë mrekullinë e shndërrimit: fillimisht marrëveshjen mes burrit dhe gruas e shndërron në sakrament të pandashëm. Pastaj, në Darkën e Mbrame dhe sot nëpër altarët tanë, bukën dhe verën i shndërron në Korpin dhe Gjakun e vet. Mbi të gjitha, Krishti e shndërroi edhe jetën e njerëzve nga mëkatarë në të shenjtë: Shën Pjetrin, Shën Palin, Marinë Magdalenë, Shën Augustinin, e sa e sa të tjerë deri në ditët tona. Po neve a na shndërron Krishti në njerëz më të mirë?

Çka t`i themi sot Nënës sonë  – Virgjërës Mari – për  t`i thënë Birit të vet? Po, mund t`i themi se disa familje tona nuk kanë bukë e nuk kanë veshmbathje. Por, para se gjithash, le t`i themi: Nënë, thuaj Birit tënd, se familjet tona nuk kanë paqe, bekim, dashuri, mirësi, durim…

Por, mos të harrojmë se Nëna jonë qiellore, për të fituar atë çka kërkojmë prej Birit të saj, edhe neve na thotë si shërbyesve: Bëni gjithë çka t`iu thotë! E çka na thotë neve Krishti: Doni njëri-tjetrin! Dashtë Zoti ta zbatojmë në jetën tonë. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

 Vëllezër dhe motra, të bashkuar në emër të Krishtit, si bijtë dhe bijat e Zotit, ia drejtojmë lutjet tona të përvujta Atit tonë qiellor, duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

– O Atë, Kishën tënde, çdo ditë e bashkon rreth sofrës eukaristike, që të ushqehet me korpin dhe gjakun tënd, ndihmoje Kishën tënde, të kujdeset për shëlbimin e të gjithëve, të lutemi.

-Për besimtarët tanë që janë martuar vitin e kaluar, dhe ata që mendojnë të lidhin kurorën shenjte këtë vit, forcoje dashurinë e tyre e ndihmoju tu mbetën besnik premtimeve të kurorës, të lutemi.

– Me ndërmjetësinë e Nënës sonë qiellore, o Atë, po të lutemi për familjet tona, bëj që kurrë në to të mos mungojnë, jo vetëm të mirat materiale, por mbi të gjitha ato shpirtërore, të lutemi.

– Të dashurit tanë, o Atë, që sa ishin gjallë kanë marr pjesë në meshën shenjte, tani kur i ke thirr tek vetja, bashkojë në gostinë qiellore, të lutemi.

Jezu, me mrekullinë tënde të parë në Kanë të Galilesë, e ke dëshmuar hyjninë tënde; na ndihmo edhe neve të besojmë në mësimin tënd dhe të ecim rrugës sate, duke ndërtuar një botë më të mirë e më paqësore për të gjithë, ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »