Falja më liron

Jan 15 • Meditimi i ditës

15 janar 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Sa më shumë t`i drejtohemi me përgjërim Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë shumë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

 

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

 

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them “faleminderit”.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 2, 1-12

 

1 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin. 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari. 5 Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit:

“Biro, të janë falur mëkatet!”

6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” 8 Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha:

9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë: 11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!”

12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin:

“Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”

 

 Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Skribët me të drejtë e kanë vërejtur që vetëm Hyji mund të falë mëkate. Nuk është çudi që e kanë ndier që Jezusi po blasfemonte, sepse e kishin lëshuar rastin ta njihnin në Jezusin Birin e Hyjit dhe kështu qartë dhe me padyshim të deklaronin që kishte pushtet të falte mëkate – duke përfshirë edhe të miat!

– Ku mund të gjej falje për mëkatet e mia?

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

 Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »