(Para)gjykime në tryezë
16 janar 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Sam 9, 1-4.10. 17-19.26a; 10,1a; Ps 20; Mk 2,13-17)
Prania e Hyjit
Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe i padukshëm.
Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.
Më përshkoftë gëzimi pse jam në afërsinë e tij.
Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.
Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.
Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.
Mk 2, 13-17
13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:
“Eja pas meje!”
Ai u çua dhe shkoi pas tij.
15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:
“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”
17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Jezusi depërton nëpër nënkuptimet prej fariseu të konstruktuara me kujdes. Çfarë shokimi është dashur të jetë ky! Levi, njeriu që s`e donin njerëzit, i refuzuar nga “të drejtët”, është marrës i hirit dhe faljes zemërgjerë të Zotit. Jezusi e shikon potencialin e tij të fshehur dhe e thërret në miqësi.
– O Zot, dyfytyrësia, paturpësia dhe shpërfillja s`kanë vend pranë tryezës sate të miqësisë. Shëroje zemrën time të paturp, që di t`i refuzojë dhe t`i gjykojë të tjerët, në mënyrë që të mund të ulem me ty në tryezë.
Bashkëbisedimi
A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më ngjallë neveri?
Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,
me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.
Përfundimi
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Bëni gjithçka t’ju thotë! Dëftimet e Zotit na shndërrojnë »