Dëftimet e Zotit na shndërrojnë

Jan 17 • Meditimi i ditës

17 janar 2015 – E diela 2-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Is 62,1-5; Ps 95; 1 Kor 12,4-11; Gjn 2,1-12)

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

 

Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Gjn 2, 1-12

 

 Në atë kohë,  po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”

Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”

Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

   – Ekzistojnë ngjarje në formë narracioni me shkrim lidhur me Jezusin, ku fakti se kush ishte vërtet ai, është sinjalizuar me gjeste të pagabueshme për një audiencë të madhe – këto informacione i janë transmetuar bashkësisë së gjerë. Dëftimet/manifestimet qiellore te pagëzimi në Jordan janë ngjarje të tilla. Kështu ishte edhe te njohja e të qenit të tij Zot në lindjen e tij nga ana e dijetarëve që përfaqësonin Lindjen. Kurse një tjetër dëftim –nga Jezusi vetë– ishte rimbushja e verës për turmën në dasmë, në këtë pasazh të Shkrimit të Shenjtë nga Ungjilli i Gjonit.

   – Gostia – dhe rrjedha e lirë e verës – ishte gjithmonë, për popullin e Hyjit, një figurë/shenjë e përmbushjes dhe gëzimit të plotë, që shënonin ardhjen e ardhshme finale të Zotit. Bujaria e tij e pakursyer është gjithmonë në dispozicion për ne. A jam i/e vetëdijshëm/e për këtë?

 

 Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.

Më mëso që ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »