Mbërthyer me shprehi të vjetra

Jan 18 • Meditimi i ditës

18 janar 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 15,16-23; Ps 49; Mk 2, 18-22)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësinë në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

 

Hyji sillej me mua ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mk 2, 18-22

 

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:

“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

19 Jezusi u përgjigj:

“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.

22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Tradita fetare urdhëronte të agjërohej vetëm atëherë kur diçka mungonte. Jezusi këtu paralajmëron se ka ardhur ai që e kishin pritur. T`i përgjigjesh këtij rasti do të duhej të ishte gëzim, e jo agjërim. Do të vijë koha edhe për agjërim: dëgjuesit mbetën të çuditur dhe pyesnin veten kur do të ndodhë kjo.

– Edhe vet e dimë se jeta është një ritëm vdekjeje dhe lindjeje të re me kohërat e saja të pikëllimit dhe gëzimit. Dhëndri ka ardhur – Jezusi, Biri i Hyjit. Ai është siguria jonë në kohërat e vështira.

– “Vera e re në rrëshiqa të rinj”. O Zot, po ma bën me dije që mos ta mbyll mendjen time. Më sfidon që të mos qëndroj në shprehitë e vjetra dhe të jem i/e hapur për gjëra të reja. Ma jep çiltërsinë e zemrës dhe mendjes. Bëj që të besoj në thellësitë e Shpirtit tënd kreativ që i bën të gjitha gjërat të reja.

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka që ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hap zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »