T’i shpallim veprat e mrekullueshme të Zotit

Jan 18 • Këndvështrime

Nga Veneranda Qerimi

 

Fjala e muajt për meditim: “Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij” (khs. 1Pj 2,9)

Kur Zoti vepron, bën punë të mrekullueshme. Pasi krijoi gjithësinë, pa se ishte “gjë e mirë” (Zan 1,25), ndërsa pasi krijoi burrin dhe gruan, duke ua besuar atyre të gjithë krijimin, pa se ishte “gjë shumë e mirë” (Zan 1,31). Por vepra e tij e cila i tejkalon të gjitha të tjerat është ajo e kryer prej Jezusit: me vdekjen dhe ngjalljen e tij krijoi një botë të re dhe një popull të ri. Një popull të cilit Jezusi i dhuroi jetën qiellore, një vëllazëri e vërtetë, në pranimin e ndërsjellët, në bashkëndarjen, në dhurimin e vetes. Letra e Pjetrit i bën të vetëdijshëm të krishterët e parë se dashuria e Hyjit i ka bërë “fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull i Hyjit » (lexo plotësisht rreshtat 9-10 tek 1Pj 2).

Nëse edhe ne, sikurse të krishterët e parë, do të ndërgjegjësoheshim vërtetë për atë çka jemi, se sa shumë mëshira e Hyjit ka vepruar në ne, mes nesh dhe rreth nesh, do të mbeteshim të habitur, nuk do të ishim në gjendje ta përmbanim gëzimin dhe do të ndienim nevojën për ta ndarë atë bashkë me të tjerët, për të “shpallur veprat e mrekullueshme të Zotit.”

Mirëpo është e vështirë- thuajse e pamundur- ta dëshmosh në mënyrë të efektshme bukurinë e bashkëjetesës së re në shoqëri, së cilës Jezusi i dha jetë, duke qëndruar të izoluar njëri nga tjetri. Pra, është normale që grishja e Pjetrit t’i drejtohet mbarë popullit. Nuk mund të tregohemi shamatarë dhe rebelë, apo vetëm indiferentë ndaj njëri-tjetrit, e pastaj të shpallim: “Zoti ka krijuar një popull të ri, na ka çliruar prej egoizmit, prej urrejtjes dhe mërive, na ka dhënë si ligj dashurinë e ndërsjellë që na bën ne një zemër dhe një shpirt të vetëm…”. Në popullin tonë të krishterë vërtet ka ndryshime në mënyrat e të menduarit, në traditat dhe kulturat, por këto dallime duhen pranuar me respekt, duke e pranuar bukurinë e kësaj larmie të madhe, të vetëdijshëm se uniteti nuk është njëtrajtshmëri.

Kjo është ecja që do të bëjmë gjatë Javës së Lutjes për Bashkimin e të krishterëve – që në hemisferën e Veriut kremtohet prej datës 18 deri më 25 janar – dhe gjatë gjithë vitit. Fjala për ta jetuar, na fton që të njihemi më mirë me të krishterët e Kishave dhe bashkësive të ndryshme, t’ia kallëzojmë njëri-tjetrit veprat e mrekullueshme të Zotit. Atëherë, do të mund t’i “shpallim” në mënyrë të besueshme këto vepra, duke dëshmuar se jemi të bashkuar mes nesh pikërisht në këtë ndryshueshmëri dhe se e mbështesim njëri-tjetrin në mënyrë konkrete.

Kjara Lubik e ka mbështetur me forcë këtë ecje: “Dashuria është forca më e fuqishme e botës: rreth atij që jeton dashurinë, ndizet revolucioni paqësor i krishterë, aq sa t’i përsërisë të krishterëve të sotëm atë që, shumë shekuj më parë, thoshin të krishterët e parë: “Lindëm dje, por tashmë jemi të përhapur në të gjithë botën […]” (Tertuliano, Apologjetiku 37.7).

 (Dashuria! Sa nevojë ka për dashurinë nëpër botë! E ndër ne, të krishterët! Të gjithë ne së bashku prej Kishave të ndryshme jemi më shumë se një miliard. Pra, shumë dhe duhet të jemi mjaft të dukshëm. Por jemi aq të ndarë, sa shumë vetë nuk na shikojnë, e as e shohin Jezusin nëpërmjet nesh. Ai ka thënë se bota do të na kishte njohur si të tijtë dhe, përmes nesh, do ta kishte njohur Atë, prej dashurisë së ndërsjellët, prej bashkimit: “Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13,35). […] Koha sot i kërkon secilit prej nesh dashuri, i kërkon bashkim, solidaritet. Dhe i fton edhe Kishat ta ndreqin përsëri bashkimin e prishur prej shekujsh”. (Prej Kjara Lubik: Dialogu është jetë, Romë 2007, fq.42-43). Nga Fabio Ciardi

Luigino Bruni, në një artikull të tijin për gazetën italiane “Avvenire” shkruan për paqen: E besueshme apo jo, në veprën e paqes takohet Ati.”  “Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. Sepse edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit.” (Rom 8, 18. 21)

Të shumta janë luftërat  që zhvillohen në planetin tonë, në qytetet tona, në lagjet tona. Armët janë të shumta dhe të ndryshme, por të gjitha prodhojnë vdekje, të plagosur, shkatërrim. Kalojnë mijëvjeçarët, por vëllai vazhdon t’i përsërisë vëllait “shkojmë në fushë”.

Dhe sa herë që rivendosim paqen pas konflikteve, rijeton Abeli, Adami shëtit përsëri me Elohimin në kopshtin e tokës, arrijmë të shihemi në sy njëri me tjetrin dhe me falënderim absolut. Sa herë që ndërtojmë e rindërtojmë paqen, veprimi ynë shtrihet edhe në krijim, në natyrë, në tokë. Kur reshtim së qeni rojtarë dhe e mohojmë paqen edhe toka, kafshët, bimët, lëndohen, vriten, turpërohen, përfshihen të pafajshëm në dhunën tonë. E shohim gjithnjë e më qartë çdo ditë.

Paqja, shalomi, është një fjalë e madhe biblike. Është ndër më të fundit, të fortat, kërkueset. Besëlidhja e parë e Elohimit me njerëzit, vjen për të rivendosur një paqe-lumturi fillestare që u mohua, për të rigjeneruar shalomin e parë të tradhtuar nga mëkati i Kainit dhe nga ato të bijve të tij të pamëshirshëm. U desh një ndërtues i parë paqeje që të dilte sërish ylberi mbi tokë, për të bërë të mundur një rikrijim të botës dhe të njerëzve. ndërtuesit  e paqes janë edhe ndërtues varkash për të shpëtuar njerëzimin e thyer. Janë të drejtët që dëgjojnë një thirrje që të lënë tokën e tyre për të shpëtuar tokën e të gjithëve. Nëse bota akoma jeton pavarësisht të gjithave të këqijave që bëjmë, është sepse Noehu nuk ka reshtur asnjëherë së ndërtuari varka. Profetët dhe të bekuarit e shumtë të historisë e kanë mbajtur të gjallë ylberin në qiell dhe nuk reshtin së ndërtuari paqen në një tokë që gjithmonë laget nga gjaku i vëllezërve. Dora e Noehut dhe e ndërtuesve të varkave të paqes deri tani ka qenë më e fortë dhe krijuese se dora e Kainit dhe atyre që ndërtojnë varka lufte.

Ndërtuesve të paqes nuk iu është premtuar toka, as plani hyjnor i Zotit, as mëshira. Atyre iu premtua vetëm një emër: “Do të quhen bijë të Hyjit”. Një emër i lartë, më i madhi ndër të gjithë që përdoret vetëm për to. Ndërtuesit e paqes janë paqeruajtës, ata që rindërtojnë marrëdhënie të thyera, që kalojnë jetën për të zgjidhur konfliktet e krijuara nga të tjerët. E lënë mënjanë jetën e tyre të qetë për të bërë më të paqta jetët e të tjerëve. Ndërtues paqeje, prodhues të këtij shalomi biblik, bëhesh vetëm nëse ke thirrjen. Nuk është vetëm bujari dhe altruizëm. Mund të lësh mënjanë jetën tënd për shalomin e të tjerëve dhe të gjithëve vetëm nëse dëgjon thirrjen e një zëri të fortë dhe të thellë brenda vetes. Ndërtimi i paqes nuk ka qenë asnjëherë vetëm një profesion edhe nëse ndërtimi dhe rindërtimi i paqes është pjesë e profesionit tonë. Këtyre zërave të brendshme nuk arrin dot t’i rezistosh: janë efikas. Dhe nuk i rezistohet as kur nuk e dimë nga kush e nga vijnë zërat që na thërrasin: për të qenë ndërtues paqeje është e mjaftueshme ta dëgjojmë dhe të përgjigjemi.

Koha jonë njeh shumë forma lufte dhe shumë ndërtime paqeje. Por, nëse nuk vjen më përmbytja universale dhe jeta vazhdon, është sepse brenda luftërave dikush vazhdon të ndërtojë paqen, të vendosë në trup qeliza jetësore që e rigjenerojnë – ose të paktën nuk e lejojnë të vdesë.

Teksa luftëtarët luftojnë kundër të varfërve të shkretë, dikush përpiqet të sabotojë në tokë ndonjë luftë të tyren duke ndërtuar spitale në fushëbeteja, për të shëruar të plagosurit, të takojë gjeneralët e tyre për t’u lutur për një paqen që nuk vjen kurrë. Janë ndërtues të paqes, edhe ata që vuajnë, sepse nuk arrijnë të ndërtojnë paqen, por nuk dorëzohen kurrë. Edhe një ndërtues paqeje i pafuqishëm, që ka dështuar, ngelet gjithmonë një ndërtues paqeje. Nuk e dimë nëse në mbretërinë e ndërtuesve të paqes janë më të shumtë ata që  e shohin paqen të vijë pas veprave të tyre, apo ata që e kalojnë gjithë jetën duke ndërtuar paqe dhe nuk e shohin kurrë të vijë. Ndërsa shumëfishohen ndërtimet e vdekjes, ndërsa qeveritë i qojnë investimet në armë, ndërsa fëmijët tanë vazhdojnë të vriten përgjatë rrugëve të Brazilit dhe shumë vendeve të tjera, Noehu i bindet zërit që e thërret dhe ndërton edhe sot varkën  e vet.

Por, Ungjilli na premton se për ndërtuesit e paqes arrin dita e bekimit, dita në të cilin ndjehen të thirren “BIJ të Hyjit.” Bekimi i ndërtuesve të paqes qëndron në një emër të thirrur, në të “quajturit ndryshe”.  Lumturia e tyre është në takimin e zërit që i jep një emër të ri. Të gjitha bekimet qëndrojnë në të dëgjuarit në të thirrurit i bekuar; por, për ndërtuesit e paqes të dëgjuarit të thirrur për emër është përbërës i bekimit të tyre.  Quhen të bekuar ndërsa quhen me emër tjetër.

Në botën biblike “Bir i Hyjit” ishte emri më i lartë, më i bukur  e më i madh që një qenie njerëzore mund të kishte. Por, sot, ka ndërtues të vërtetë paqeje dhe shalomi që nuk do të ndjenin asnjë lumturi nëse dikush do i thërriste “Bij të Hyjit”, sepse kanë humbur çdo lidhje me njeriun biblik, ose nuk e kanë takuar asnjëherë. E pra bekimi-falënderimi, është edhe për to, sepse kjo vlen për të gjithë ndërtuesit e paqes. Bekimet janë të vërteta për të gjithë, për të gjitha ata që gjenden në këtë gjendje. Qëndron në gjithanshmërinë e tyre profecia dhe forca revolucionare. Ato i tejkalojnë të gjithë kufijtë e feve dhe të ideologjive. Në mbretërinë e të bekuarve, ka shumë më shumë banorë se ato që ndjekin kishat, sinagogat, xhamitë apo tempujt. Të gjithë të pastërtitë në zemër duhet të shohin një Zot që nuk shihet, të gjithë të uriturit për drejtësi duhet të ngopen, toka e premtuar është toka e të gjithë të miteve. Të gjithë ndërtuesit e paqes duhet të ndjehen të thirren “bij të Hyjit” dhe të ndjejnë falënderimin e lumturinë, edhe ata që nuk  dinë më se çfarë do të thonë këto fjalë.

Lumturitë jetojnë në mishin e njerëzve. Për njëmijë arsye mund të mos duam të quhemi “bijtë Hyjit” (ndoshta sepse Hyji që kemi njohur nuk ishte shumë interesant dhe nuk kemi dëshirë të jemi bij të dikujt për të cilin nuk e çmojmë); por, nëse lumturitë janë të vërteta dhe besojmë në njerëzimin e tyre, atëherë të gjithë ndërtuesit e paqes duhet të ndjejnë një lumturi të veçantë kur thirren me atë emër dhe duhet ta kuptojnë këtë. 

Nëse besojmë në premtimin, duhet të jemi të sigurt që ndërtuesit e paqes një ditë do të dëgjojnë emrin e tyre dhe do të ndjejnë një birësi të re dhe ndryshe nga ajo që kanë njohur deri më tani. Në mes të luftës për të ndërtuar paqen e në mes të paqevënies, në përpjekjen për të rindërtuar familjet, shëruar plagët, ndjehen bijë të atij zëri që i thirri në atë detyrë, zbulojnë që duke iu përgjigjur thirrjes që i thirri për të ndërtuar paqen, në ta lulëzoi një emër tjetër pranë atij që iu dhurua nga prindërit. E ndjejnë që janë rigjeneruar nga ai që i thirri dhe se ai zë i brendshëm që i thërret, është një nënë tjetër, një baba tjetër. Nuk ndjehen më jetimë në vetminë e tyre. Nëse nuk jemi të bindur që ekziston kjo bijësi tjetër, mjafton të pyesim ndërtuesit e paqes. Dhe siç e mësuam emrin e parë ndërsa e dëgjonim të thirrej nga kush na donte (si fëmijë e mësojmë emrin tonë sepse na thërrasin me atë emër), edhe emrin e ri të paqes e mësojmë duke e ndjerë se dikush po na thërret.

Ndërtuesit e paqes, hyjnë në një dimension të thellë jete, marrin një emër të dytë. Nga përpjekjet e tyre të paqes e për paqen, dalin të plagosur, por me një emër të ri. Të plagosur dhe të bekuar. Si Jakobi, bekimi është dhurata e një emri tjetër. E kështu, bëjnë ndoshta përvojën më të madhe që mund të bëhet në këtë botë: të zbulosh që shpirti yt banohet nga një shpirt më i thellë, një shpirt që flet, që të thërret. Që në ne jeton një frymë që nuk e kemi prodhuar, që ishte aty, gjithmonë, e na priste. Që emri ynë i parë mbante dhe një të dytë, më të thellë, të dhuruar. Nëse të paktën një herë në jetë nuk ndjehet kjo frymë, nëse nuk e mësojmë asnjëherë emrin tonë të dytë, nuk arrijmë të vërtetën më të thellë në ne, nuk fillon jeta shpirtërore, vazhdojmë gjatë gjithë jetës të flasim me unin tonë edhe kur e quajmë Zot. Ndërtimi i paqes rreth nesh bëhet themelore sepse është një rrugë kryesore për të marrë këtë emër të ri, për tu ri-njohur.

Ka së fundmi një marrëdhënie të thellë mes vëllazërisë dhe ndërtimit të paqes. Në vëllazëri e ndjejmë se jemi bijë. Një ditë, Jakobi e dërgoi djalin e tij Jozefin tek vëllezërit e tij për të parë si ishin, si shkonte shalomi i tyre (37,14) Gjatë rrugës një burrë e pyeti: “Çfarë kërkon?”. Iu përgjigj: “Kërkoj vëllezërit e mi”. I gjeti vëllezërit, por as shalomin dhe as vëllazërinë. Bijtë e Jakobit e dimë e mohuan shalomin dhe vëllazërinë. Nuk ka vëllazëri pa shalom.

Pra, ekziston një vëllazëri shpirtërore mes të gjithë ndërtuesve të paqes: janë bijë të së njëjtës thirrje drejt shalomit, dhe vëllezër e motra mes tyre. Është ky rrjet universal vëllazërie që rigjeneron çdo ditë tokën e njollosur nga gjaku i vëllavrasësve, paraprin një tokë të re që duhet të vijë plot me thesare në pritje të shfaqjes së ndërtuesve të paqes. “Të lumët ndërtuesit e paqes sepse do të quhen bij të Hyjit”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »