Gjyshërit në familje (II)

Jan 19 • Familja

Nga Papa Françesku

 

Do të vazhdojmë me katekezën kushtuar gjyshërve, duke pasur parasysh vlerën dhe rëndësinë e rolit të tyre në familje. E bëj këtë, duke u identifikuar në këta persona, sepse edhe unë bëj pjesë në këtë grupmoshë.

Kur isha në Filipine, populli filipian më përshëndeti kështu: “Lolo Kiko” – gjysh Françesku! Është me rëndësi që të theksohet: vërtetë shoqëria tenton që të heq dorë nga të moshuarit, por Zoti sigurisht që nuk e bënë këtë. Zoti, nuk heq dorë kurrë. Ai, na thërret që ta ndjekim në çdo moshë të jetës, edhe pleqëria përmban një hir dhe një mision, pra, është një thirrje e vërtetë e Zotit. Pleqëria është një thirrje, e nuk është ende momenti që të “tërhiqen lopatat në varkë”. Kjo periudhë e jetës është ndryshe nga e mëparshmja, nuk ka dyshime; duhet paksa edhe të “shpikim”, sepse shoqëritë tona nuk janë të gatshme, shpirtërisht e moralisht, të iu japin pleqve, në këtë moment të jetës, vlerën e plotë që e meritojnë. Në fakt, një herë, nuk ishte kështu normale që të kesh kohë në dispozicion; por, sot mund të kesh edhe më shumë. Gjithashtu, edhe përshpirtëria e krishterë është gjetur e befasuar kur bëhet fjalë për të ravijëzuar një përshpirtëri të pleqve. Por, faleminderit Zotit, nuk mungojnë dëshmitë e shenjtërve e shenjtëreshave në këtë moshë të pleqërisë!

Më ka prekur shumë “Dita e pleqve” që e kemi kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, vitin e kaluar. Sheshi ishte plotë. Kam dëgjuar histori të pleqve që shuhen për të tjerët dhe histori të çifteve të martuar që thoshin: “Ta festojmë 50 vjetorin e martesës, ta festojmë 60 vjetorin e martesës”. Është shumë me rëndësi që tu tregohet të rinjve, të cilët lodhen shumë shpejtë; e pra dëshmia e pleqve në besnikëri është më rëndësi. Atë ditë, në këtë shesh ishin shumë. Është një reflektim që duhet të vazhdojë, si në rrethin kishtar ashtu edhe në atë civil. Ungjilli na vjen në takim me një figurë shumë të bukur, prekëse dhe inkurajuese. Është figura e Simonit dhe Anës, për të cilët flet ungjilli i fëmijërisë së Jezusit nga Shën Luka. Ishin të moshuar, Simon “plaku” dhe Ana  “profetësh”, që i kishin 84 vjet. Kjo grua nuk i fshihte vitet. Ungjilli thotë se e prisnin ardhjen e Hyjit çdo ditë, me një besnikëri të madhe prej vitesh. Dëshironin të shihnin atë ditë, shenjat e saj, fillimin e saj. Ndoshta ishin edhe pak të lodhur e të dorëzuar tashmë, të pajtuar të vdesin para se të vinte ajo ditë. Ajo pritje e gjatë vazhdonte ta shqetësonte gjithë jetën e tyre, nuk kishin angazhim më të rëndësishëm se këtë: pra të prisnin Zotin dhe të lutnin. Mirëpo, kur Jozefi dhe Maria arritën në tempull për të përmbushur detyrimet e Ligjit,  Simoni dhe Ana, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, kërcyen me plotë vrull (khs. Lk 2, 27).  Pesha e moshës dhe e pritjes së gjatë, u zhduk për një çast. Ata e njohën Fëmijën, e zbuluan një forcë të re, për një detyrë të re: që të falënderojnë dhe të dëshmojnë për këtë Shenjë të Hyjit. Simoni e thurë një himn të bukur të jubileut (khs. Lk 2,29-32) – ishte një poet në ato momente – e Ana u bë predikuesja e parë e Jezusit: « u fliste për fëmijën gjithë atyre që e prisnin mbretërimin e Jerusalemit» (Lk 2,38).

Të dashur gjyshër, të dashur pleq, të ndjekim shembullin e këtyre pleqve të jashtëzakonshëm! Të bëhemi edhe ne poetë të lutjes: të gjejmë shijen e fjalëve tona, duke qenë të hapur ndaj asaj që na mëson Fjala e Zotit. Lutja e gjyshërve dhe e të moshuarve është një dhuratë e madhe për Kishën! Ajo është një pasuri! Një injeksion i madh i urtësisë edhe për tërë shoqërinë njerëzore, posaçërisht për ato shoqëri me shumë ngarkesa, të rrëmbyera e të hutuara. Dikush duhet të këndojë për ta, t’iu këndojë shenjat e Hyjit, t’iu shpall shenjat e Hyjit, të lutet për ta! Ta shikojmë Benediktin XVI, i cili, ka zgjedhur që pjesën e fundit të jetës së vet ta kalojë në lutje e në dëgjim të Hyjit! Kjo gjë është shumë e bukur! Një besimtar i madh i shekullit të kaluar, i traditës ortodokse, Olivier Clément, thoshte: “Një shoqëri ku nuk lutet më, është një shoqëri ku pleqëria nuk ka më kuptim. Kjo gjë është tmerruese, ne kemi nevojë mbi të gjitha për të moshuarit që lutën, sepse pleqëria na u është dhënë për këtë”. Kemi nevojë për pleq që lutën, sepse pleqëria na u është dhënë pikërisht për këtë. Është një gjë shumë e bukur lutja e pleqve.

Ne, mund ta falënderojmë Zotin për të mirat që i kemi marrë, për ta rimbushur boshllëkun e mosmirënjohjes që na rrethon. Mund të ndërmjetësojmë për pritjet e gjeneratave të reja dhe të  japim dinjitet përkujtimit dhe sakrificave të të kaluarës. Ne, mund t’ iu kujtojmë të rinjve ambicioz, se një jetë pa dashuri është jetë e thatë. Mund t‘iu themi të rinjve frikacakë, se ankthi ndaj të ardhmes mund të fitohet. Mund t’ua mësojmë të rinjve, që janë shumë të dashuruar në vetvete, se ka ma shumë gëzim atëherë kur japim se sa atëherë kur marrin. Gjyshërit e gjyshet formojnë “korale” të përhershme të një shenjtërore të madhe shpirtërore, ku urata e përgjërimit dhe kënga e lavdit, mbështesin bashkësinë që punon dhe lufton në fushën e jetës.

Së fundi, lutja pastron pa ndërprerë zemrën. Lavdi dhe përgjërimi Hyjit, e parandalojnë ngurtësimin e zëmrës për të mos ngelur në fyerje dhe në egoizëm. Sa i keq është cinizmi i një plaku që ka humbur ndjenjën e dëshmisë së vet, i përbuz të rinjtë dhe nuk komunikon urti të jetës! Ndërsa, sa i bukur është inkurajimi që plaku mund ta bartë tek i riu që është në kërkim të fesë dhe të jetës! Ky është, vërtet, një mision i gjyshërve, një thirrje e pleqve. Fjalët e gjyshërve kanë diçka të veçantë për të rinjtë. Ata e dinë. Fjalët që gjyshja ime mi kishte dhënë të shkruara në ditën e shugurimit tim meshtarak, i mbaj ende me vete në librin e liturgjisë së orëve. I lexoj shpesh dhe më bëjnë shumë mirë.

Sa e dëshiroj një Kishë, që e sfidon kulturën e hedhjes, me gëzim e begatë në një ri-përqafim ndërmjet të rinjve dhe pleqve! Këtë gjë ja kërkoj sot Zotit: këtë përqafim të ri!

(Testi i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 11 mars 2015. Përktheu nga italishtja: M. Amanda Shkoza)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »