Mbajtja e rregullave nuk është gjithçka

Jan 19 • Meditimi i ditës

19 janar 2016 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 16,1-13a; Ps 88; Mk 2, 23-28)

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa ndodhem këtu ulur, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 2, 23-28

 

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj.

24 Farisenjtë atëherë po i thonë:

“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

25 Jezusi u përgjigj:

“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”

27 Atëherë u thoshte edhe këtë:

“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

– Farisenjtë kundërshtonin, që nxënësit e Jezusit po punonin të shtunën. Jezusi iu përgjigjet me një thënie shumë radikale: “E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës.” Deklarimi i Jezusit nuk është kundër mësimit hebraik, por përkujtues i qëllimit burimor të Hyjit që i njeh nevojat e njeriut, që nganjëherë kërkojnë vënien anash të rregullave të së shtunës.

– Duke pohuar se është “Zotëruesi i të shtunës”, Jezusi e vërteton pushtetin e tij hyjnor.

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hap zemrën.

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »