Mëshira është emri i Zotit

Jan 19 • Kisha në botë

Nga Papa Françesku

 

Sot, do të nisim ciklin e katekezës mbi mëshirën sipas pikëshikimit biblik, që të mund të mësojmë mëshirën duke dëgjuar atë që Hyji na mëson me Fjalën e vet. Të fillojmë me Besëlidhjen e Vjetër, e cila na përgatit dhe na prinë tek zbulimi i plotë i Jezu Krishtit, në të cilin na zbulohet plotësisht mëshira e Atit.

Hyji na zbulohet në Shkrimin Shenjt si “Hyji i mëshirshëm”. Ky është emri i tij, përmes së cilit Ai e zbulon, siç thuhet, fytyrën e vet. Ai vetë, sipas tregimit të Librit të Daljes, duke iu zbuluar Moisiut, vetëquhet kështu: “Zoti, Hyji i mëshirshëm dhe i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezi” (34, 6). Edhe në tekste tjera e gjejmë këtë formulë, me pak variante, por gjithnjë theksi bie te mëshira dhe dashuria e Zotit, i cili nuk lodhet asnjëherë duke falur (khs. Zan 4, 2; Jl 2, 13; Ps 86, 14; 103, 8; 145, 8; Neh 9, 17). Ti shohim së bashku, një nga një, këto fjalë të Shkrimit Shenjt që na flasin për Zotin.

Zoti është “i mëshirshëm”: kjo fjalë kujton një qëndrim butësie, të një nëne për fëmijën e vet. Në fakt, fjala hebraike e përdorur në Bibël kujton dashurinë e përbrendshme apo edhe kraharorin amënorë. Për këtë arsye, figura që Bibla na e sjell, është ajo e një Zoti që preket, përmallohet për ne, si nëna kur e merr foshnjën e vet në krahë, me të vetmen dëshirë për ta dashur, për ta mbrojtur, për ta ndihmuar, gati të japë për të gjithçka, edhe vetveten. Këtë figurë na kujton termi ‘i mëshirshëm’. Na kujton një dashuri, që depërton deri në palcë, e cila mund të definohet në kuptimin e mirë “e përbrendshme”.

Mandej është e shkruar se Zoti është “i dhimbshëm”, në kuptimin i hirshëm, plot dhembshuri dhe, në madhështinë e Tij, përkulet mbi të ligshtin e të varfërinë, gjithnjë i gatshëm për ta pranuar, për ta kuptuar, për ta falur. Është si ati i shëmbëlltyrës që e takojmë në Ungjillin e Lukës (khs. Lk 15, 11-32): një atë, i cili nuk grihet nga mllefi e mëria, pas braktisjes së djalit të vogël, por përkundrazi, vijon ta presë – sepse është gjak nga gjaku i tij – e pastaj, sa e sheh, ngarend ta marrë në krahë, nuk e lë as ta mbarojë rrëfimin, aq i madh është gëzimi, kur shikon se iu kthye përsëri, se e gjeti prapë djalin e humbur. E thërret djalin e madh, që ishte hidhëruar e nuk donte të festonte; një bir që qëndroi përherë në shtëpi, por duke jetuar më tepër si një shërbëtor se sa një bir. Edhe para këtij i ai përkulet, e fton të hyj brenda, kërkon t’ia hap zemrën e dashurisë, që askush të mos mbetet jashtë festës së mëshirës. Mëshira është një festë!

Për këtë Zot të mëshirshëm thuhet se ai është “i ngadalshëm në zemërim”, fjalë për fjalë “me një frymëmarrje të gjatë”, sepse Ai është frymëmarrja e pafundme e shpirtmadhësisë dhe e aftësisë për të mbartur, për të duruar. Zoti di të pret, kohërat e tija nuk janë të padurueshme si të njeriut. Ai është sikur mbjellësi i urtë që di të pres dhe i jap kohë farës së mirë të rritet, përkundër egjrës (khs. Mt 13, 24-30).   

Në fund, Zoti shpallet “i madh në dashuri dhe në besnikëri”. Sa i bukur është ky përkufizim i Zotit! Se Zoti është i madh dhe i fuqishëm, këtë e shohim tek shpaloset në dashurinë ndaj nesh, ndaj nesh kështu të vegjël e të paaftë. Fjala ‘dashuri’ e përdorur këtu, tregon dhembshurinë, hirin, mirësinë. Nuk është dashuri telenovele… Është dashuri, që bën hapin e parë, që nuk varet nga meritat njerëzore, por nga aftësia për të dhuruar pa fund e pa asnjë shpërblim. Është përkujdesje hyjnore, të cilën s’ka gjë që e ndal, as vetë mëkati, sepse di të shkojë përtej mëkatit, të ngadhënjejë mbi të keqen dhe ta falë.

Një “besnikëri” e pakufishme, është fjala e fundit e zbulimit të Zotit dhënë Moisiut. Besnikëria e Zotit nuk mungon kurrë, sepse Zoti është Rojtar, ashtu si na thotë psalmi. Ai është gjithnjë vigjilentë mbi ne për të na dhuruar jetën:

«S’do të lejojë të të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Ja, s’do të kotet as s’do të flejë,

ai që e ruan Izraelin.
[…]
Zoti do të ruaj nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruaj jetën tënde.

Zoti do të ruaj vajtjet dhe ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetë.» (121,3-4.7-8).

Ky Zot i mëshirshëm është besnik në mëshirën e vetë. Shën Pali na e sjell një thënie të bukur: edhe ti kur nuk je besnik ndaj Tij, Ai mbetet besnik, sepse nuk mund ta mohojë vetveten. Besnikëria në mëshirë është pikërisht qenia e Zotit. Prej këndej, Zoti është plotësisht i besueshëm. Është prani e fuqishme dhe e përhershme. E kjo është siguria e fesë sonë. Atëherë, në këtë Jubile të Mëshirës,  t’ia besojmë plotësisht veten Atij, për të provuar gëzimin se duhemi nga ky “Zoti, Hyji i mëshirshëm dhe i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezi”.

(Teksti i plotë i katekezës nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 13 janar 2016. Përkthimi: Rev. Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »