Religjioni dhe letërsia

Jan 19 • Letërsi

Nga Thomas Stearns Eliot

 

Kjo që kam për të thënë këtu është kryesisht në mbështetje të pohimeve që vijojnë; parë nga një pikëvështrim përfundimtar etik dhe teologjik, kritika letrare duhet të mbështet edhe më mirë nga kritika. Për deri sa në çdo epokë ekziston një marrëveshje e tillë e përbashkët mbi çështjet etike dhe teologjike, kritika letrare duhet të jetë substanciale. Në kohëra si tonat në të cilat nuk gjendet asnjë shije e tillë e zakonshme, lind nevoja që lexuesit kristianë t’i shqyrtojnë leximet e tyre, veçanërisht ato të krijimtarisë artistike, sipas standarteve të përcaktuara etike dhe teologjike. “Madhësia” e letërsisë nuk mund të përkufizohet vetëm nga standardet letrare; edhe pse duhet të kujtojmë se janë këto të fundit ato që e përcaktojnë letërsinë ose joletërsinë.

Për disa shekuj kemi pranuar përmendësh se nuk ekziston ndonjë lidhje midis teologjisë dhe letërsisë. Kjo, jo për të mohuar që letërsia – e kam fjalën përsëri tek krijimtaria artistike – ka qenë, është dhe ka gjasë gjithmonë të gjykohet nga disa standarde morale; por se gjykimet morale të veprave letrare janë bërë vetëm në lidhje me kodin moral të pranuar nga secili brez, pavarësisht nëse ky jeton apo jo në lidhje me atë kod. Në një epokë e cila pranon një teologji saktësisht kristiane, kodi i përbashkët mund të jetë vetëm ortodoks: megjithëse edhe në periudha të tilla, ky kod mund të lartësojë koncepte si “nder“, “lavdi” ose “shpagim” nga një pozicion plotësisht i patolerueshëm i krishterimit. Etika dramatike e Epokës Elizabetiane na ofron një studim interesant. Por kur kodi i përbashkët është larguar nga sfondi i tij teologjik dhe në mënyrë këmbëngulëse paraqitet më tepër vetëm një çështje zakoni, ai ekspozohet ndaj të dyjave: paragjykimit dhe ndryshimit. Në të tilla kohëra morali është i hapur ndaj letërsisë për ndryshim; kështu që në praktikë ne shohim se ajo që është “e kundërshtueshme” në letërsi, është vetëm ajo, me të cilën nuk është mësuar brezi i sotëm. Dihet tashmë, se ajo që trondit një brez, pranohet krejt paqësisht nga brezi tjetër. Kjo përshtatje me qëllim ndryshimin e standarteve morale përshëndetet nganjëherë si një provë e përsosmërisë njerëzore, ndërsa në të vërtetë s’është gjë tjetër veçse provë se çfarë baze të paqëndrueshme ka gjykimi moral i njerëzve.

Unë nuk e kam fjalën këtu për letërsinë fetare, por për zbatimin e fesë tonë në kritikën e letërsisë. Sidoqoftë, kjo do të shërbejë po ashtu edhe për të dalluar së pari ato që unë i konsideroj si tre kuptimet në të cilat mund të flasim për “letërsinë fetare”. E para është ajo për të cilën ne themi që është “letërsi” fetare, në të njëjtën mënyrë si kur flasim për “letërsi historike” apo “letërsi shkencore”. Me këtë nënkuptoj se mund t’i trajtoj përkthimin e Autorizuar të Biblës ose veprat e Jeremy Taylor-it, si letërsi, në të njëjtën mënyrë siç i trajtojmë shkrimin historik të Clarendon-it ose atë të Gibbon-it – dy historianëve tanë të mëdhenj – si letërsi; ose Logjikën e Bradley-it apo Historinë Natyrore të Buffon-it.

Të gjithë këto shkrimtarë ishin njerëz që në mënyrë aksidentale, për qëllimet e tyre fetare apo historike e filozofike, patën si dhuratë gjuhën, e cila i bëri mahnitës dhe të lexueshëm nga të gjithë ata që mund ta shijonin një gjuhë të shkruar mirë edhe nëse nuk ishin të interesuar për lëndët që kish si objekt shkruesi i tyre. Unë do të shtoja këtu se, megjithëse një vepër shkencore, historike, teologjike apo filozofike që është edhe “letërsi”, në gjithçka mund të vjetrohet, përveç se si e tillë. Nga ana tjetër, po kjo nuk mund të jetë letërsi, nëse nuk do të ketë një vlerë shkencore ose diçka tjetër për kohën e saj.

Ndërsa ia njoh legjitimitetin kësaj kënaqësie, jam thellësisht i vetëdijshëm për abuzimin ndaj saj. Personat që gjejnë kënaqësi në këto shkrime vetëm për arsye të meritave të tyre letrare, janë thjeshtë parazitë; dhe ne e dimë se parazitët, kur bëhen të shumtë, janë murtaja. Unë fare thjesht mund të bubullijë këtu për nja një orë kundër njerëzve të letrave, të cilët kanë shkuar në ekstazë për “Biblën si letërsi“, Biblën si “monumenti më fisnik i prozës angleze“. Ata që flasin për Biblën si një “monument i prozës angleze” po e admirojnë thjesht si një monument mbi varrin e Krishterimit. Më duhet të përpiqem t’i shmangem këtij shtegu anësor në diskutimin tim: po mjaftohem të sugjeroj se pikërisht vepra e Clarendon-it ose e Gibbon-it, ajo e Buffon-it ose e Bradley-it do të ishte e një vlere letrare inferiore, nëse do të ishte respektivisht, e parëndësishme, në histori, shkencë dhe filozofi. Prandaj Bibla ka patur një ndikim letrar mbi letërsinë angleze, jo sepse është trajtuar si letërsi, por sepse ka qenë trajtuar si referim i Fjalës së Zotit. Fakti që njerëzit e letrave tani e diskutojnë si “letërsi” është tregues i fundit të ndikimit të saj “letrar“.

Lloji i dytë i lidhjes së fesë me letërsinë ka të bëjë me atë që quhet poezi “fetare” ose “e përkushtuar“. Tani, cila është sjellja e zakonshme e amatorit të poezisë dhe unë këtu e kam fjalën për njeriun, i cili është një amator i vërtetë dhe vlerësues i dorës së parë të poezisë, jo një person që ndjek admiruesit e të tjerëve gjatë këtij departamenti të poezisë? Mendoj, gjithë çfarë mund të nënkuptohet në të quajturit e tij një departament. Ai beson, jo gjithmonë në mënyrë eksplicite se kur e cilësoni poezinë si “fetare“, ju e veçoni atë me kufij shumë të prerë. Për pjesën më të madhe të njerëzve që e dashurojnë poezinë, “poezia fetare” është një lloj i poezisë së vogël: poeti fetar nuk është një poet që po e trajton gjithë çështjen subjekt të poezisë në një frymë fetare, por një poet që ka të bëjë me një pjesë të kufizuar të kësaj çështjeje subjekt; që lë jashtë ato që njerëzit i konsiderojnë pasionet e tyre më të mëdha, duke rrëfyer kështu padijen e tij për to. Mendoj se kjo është sjellja e vërtetë e pjesës më të madhe të pasionantëve të poezisë ndaj Vaughan-it ose Southwell-it, Crashaw-së, George Herbert-it ose Gerard Hopkins-it.

Por çfarë është më e rëndësishmja, unë jam gati të shtoj se deri në këtë pikë këta kritikë kanë të drejtë. Sepse ekziston një lloj poezie, si pjesa më e madhe e autorëve që përmenda, e cila është produkt i një ndërgjegjeje fetare të veçantë, e cila mund të qëndrojë pa vetëdijen e përgjithshme që presim prej poetit të madh. Në disa poetë ose në disa nga veprat e tyre kjo vetëdije e përgjithshme mund të ketë ekzistuar; por hapat paraprakë që e përfaqësonin, do të jenë shtypur dhe tani na shfaqet vetëm produkt i mbramë. Midis këtyre të fundit dhe atyre në të cilët gjeniu fetar a i devotshëm përfaqëson ndjeshmërinë e veçantë dhe të kufizuar, mund të jetë shumë vështirë të bëhet një dallim. Nuk po mëtoj të sjell Vaughan-in apo Southwell-in, George Herbert-in, apo Hopkins-in si poetë të mëdhenj: jam të paktën i sigurtë që tre të parët janë poetë të kësaj vetëdijeje të tillë të kufizuar. Ata nuk janë poetë fetarë të mëdhenj në kuptimin e Dante-s, Corneille-it, Racin-it, të cilët edhe kur në dramat e tyre nuk prekin tema fetare janë poetë të mëdhenj fetarë kristianë. Apo edhe në kuptimin që Villon-i dhe Baudelaire-i, me gjithë përsosmërinë dhe mëkatarësinë e tyre, janë poetë kristianë. Në Angli, qysh nga koha e Chaucer-it, poezia kristiane (sipas kësaj që po mëtoj të them) është kufizuar pothuajse përfundimisht në poezinë e vogël.

E përsëris, ndërsa diskutoj për Fenë dhe Letërsinë unë po flas kështu për gjëra të tilla, vetëm që të bëj të qartë se nuk e kam ndër mend këtu Letërsinë fetare, por atë që do të quhej lidhja e Fesë me Letërsinë. Prandaj, tipi i tretë i “letërsisë fetare” mund të kalohet shpejt. Unë nënkuptoj veprat letrare të atyre që dëshirojnë sinqerisht përparimin e fesë dhe mund të vihen në drejtimin e Propagandës fetare. Po mendoj, pra, për një letërsi të tillë të mrekullueshme si tek “Njeriu që ishte i Ejti” ose “At Brawni” të Chesterton-it. Askush nuk i adhuron dhe nuk kënaqet me këto gjëra sa unë; do të shtoja se kur i njëjti ndikim synohet nga persona të zellshëm, por me më pak talent se z. Chesterton, ky ndikim është negativ. Mendimi im, megjithatë, është se shkrime të tilla nuk hyjnë në ndonjë qasje serioze të lidhjes së Fesë dhe Letërsisë: sepse ato janë operacione të vetëdijshme në një botë në të cilën është pranuar që feja dhe letërsia nuk lidhen. Kjo është një qasje e vetëdijshme dhe e kufizuar. Ajo që kërkoj është një letërsi, e cila duhet të ishte e pavetëdijshme, më tepër se e paramenduar dhe kokëfortësisht kristiane: sepse vepra e z. Chesterton ka pjesën e saj në një botë, e cila nuk është përfundimisht kristiane.

Jam i bindur që ne as e kuptojmë sa në mënyrë të prerë, madje sa në mënyrë irracionale e ndajmë letërsinë nga gjykimet tona fetare. Nëse do të kishte ekzistuar një ndarje e plotë, nuk do të kishte rëndësi, por ndarja as ka qenë dhe as mund të jetë e plotë. Nëse për thjeshtëzim marrim në shqyrtim novelën – sepse novela është gjinia që ndikon më tepër në letërsi – mund të vëmë re laicizmin gjithnjë në rritje të letërsisë, gjatë së paku treqind vjetëve të fundit. Bunyan dhe deri diku Defoe kishin qëllime morale; për të parin mund të dyshohet, ndërsa i fundit është i dyshuari si i tillë. Por qysh me Defoe laicizmi i novelës ka qenë i vazhdueshëm. Ka patur tri faza kryesore. Në të parën, novela e mori Besimin në versionin bashkëkohor, për ta pranuar si të mirëqenë dhe për ta lënë jashtë nga tabloja e jetës. Fielding-u, Dickens-i dhe Thackeray vijnë nga kjo fazë. Në të dytën, dyshojnë, shqetësohen ose diskutojnë rreth Besimit. Nga kjo fazë vijnë: George Eliot-i, George Meredith-i dhe Thomas Hardi. Në fazën e tretë, faza ku ne jetojmë, përfshihen pothuajse të gjithë novelistët bashkëkohorë, me përjashtim të z. James Joyce; është faza e atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë të flitet për besimin kristian, përveç se si një anakronizëm.

Tani, a mbajnë në përgjithësi njerëzit një mendim përfundimtar, çka do të thotë: fetar ose afetar; dhe a lexojnë ato novela e poezi mbi këtë çështje, me një mendim të prerë në kokë? Toka e përbashkët e fesë dhe e letërsisë është sjellja. Besimi ynë fetar ka ndikim në etikën, gjykimin, kritikën, si dhe në sjelljen tonë kundrejt miqve. Letërsia artistike që lexojmë ndikon në sjelljen tonë ndaj miqve, si edhe në shembujt e vetes tonë. Kur lexojmë për qeniet njerëzore që sillen në një mënyrë të caktuar me miratimin e autorit, i cili jep bekimin për këtë sjellje, sipas qëndrimit ndaj rezultatit të sjelljes të organizuar nga vetë ai, ne mund të ndikohemi ndaj sjelljes në të njëjtën mënyrë. Kur novelisti bashkëkohor është një individ që mendon për vete në vetmi, ai mund të ketë diçka të rëndësishme për t’u ofruar atyre që janë në gjendje ta kuptojnë. Vetëm ai që është vetëm mund të flasë për individualen. Por pjesa më e madhe e novelistëve janë persona të të njëjtit përrua, por pak më të shpejtë. Ata kanë ndjeshmëri, por pak intelekt.

Pritet që të jemi më largpamës me letërsinë, duke lënë mënjanë paragjykimet ose bindjet, për të vështruar krijimin si krijim dhe dramën si dramë. Por, për atë që gabimisht quhet “çensurë” në këtë vend, për atë që është shumë më e vështirë për t’i dalë në krye një çensure zyrtare, sepse ajo përfaqëson bindjet e individëve në një demokraci të papërgjegjshme; unë kam shumë pak simpati. Kjo vjen pjesërisht, sepse ajo kaq shpesh shtyp libra të gabuar, pjesërisht sepse ajo është më pak frytshme se Ndalimi i Likerit dhe, pjesërisht, sepse ajo është njëra shfaqje e dëshirës, që kontrolli shtetëror do të merrte vendin e ndikimit të mirë shtëpiak dhe, kryesisht, sepse ajo vepron vetëm nga një shprehi dhe zakon, jo nga parimet e vendosura teologjike dhe morale. Kjo u jep njerëzve rastësisht një ndjenjë të rreme sigurie: besimin se librat e pashtypur janë të padëmshëm. Nëse një libër i tillë i padëmshëm ekziston, unë nuk jam i sigurtë, por me shumë gjasë ka libra kaq të palexueshëm, sa të mos mundësh të shpërfillësh ndonjërin. E sigurt është se një libër nuk është i padëmshëm thjesht, sepse asnjeri nuk është i vetëdijshëm të jetë fyer prej tij. Nëse ne si lexues, lëmë bindjet tona fetare dhe morale mënjanë dhe i marrim leximet si zbavitje ose i shohim ato në një plan më të lartë, për kënaqësi estetike, unë do të theksoja që autori i tyre, çfarëdo qofshin qëllimet e tij të ndërgjegjshme në shkrim, në praktikë nuk njeh dallime të tilla. Autori i një vepre letrare përpiqet të na bëjë plotësisht për vete, si qenie njerëzore, pavarësisht vetëdijes së tij për këtë; dhe, po si qenie njerëzore, ne na ka bërë për vete, pavarësisht nëse kemi ndër mend apo jo. Po sugjeroj se çdo gjë që hamë ka disa efekte të tjera, përveç kënaqësisë së shijes dhe përtypjes; ajo na tërheq gjatë proçesit të përthithjes dhe bluarjes; e njëjta gjë besoj ndodh me çdo gjë që lexojmë.

Fakti që po lexojmë, nuk përmbledh thjesht diçka që e quajmë shija jonë letrare, por atë që na bën për vete drejtpërsëdrejti; sadoqë – mendoj – vetëm midis shumë ndikimesh të tjera, tërësia e asaj çfarë ne jemi, vihet më në pah nga një shqyrtim i ndërgjegjshëm i historisë së edukimit tonë individual letrar. E kam fjalën këtu për leximin adoleshent të dikujt me një lloj ndjeshmërie letrare. Unë besoj se secilit prej nesh, sadopak i ndjeshëm ndaj joshjeve të poezisë, mund t’i kujtohen disa periudha të rinisë kur ai ose ajo ishin plotësisht të magjepsur nga vepra e një poeti. Ka shumë mundësi që ai të jetë i dhënë pas disa poetëve, njëri pas tjetrit. Arsyeja e këtij kalimi të marrosur nuk është thjesht se ndjeshmëria e tyre apo e jona për poezinë është më e thellë në adoleshencë se sa në pjekuri. Ajo që ndodh është një lloj përmbytjeje, pushtimi të personalitetit të pazhvilluar – dhoma (e fshirë dhe e stolisur) bosh – nga personaliteti më i fuqishëm i poetit. E njëjta gjë mund të ndodhë në moshë të shtyrë për personat që nuk kanë lexuar shumë. Një autor na pushton plotësisht për një kohë, pastaj një tjetër; dhe përfundimisht ato fillojnë të ndikojnë mbi njëri – tjetrin në mendjen tonë. Ne i peshojmë njërin kundrejt tjetrit; shohim se secili ka cilësi të mangëta kundrejt të tjerëve dhe cilësi të pakrahasueshme me cilësitë e të tjerëve; fillojmë të jemi, në fakt, kritikë; dhe është rritja e fuqisë sonë kritike, që na mbron nga pushtimi i plotë i ndonjë personaliteti letrar. Kritiku i mirë – dhe ne do të përpiqemi të jemi kritikë e të mos ia lëmë kritikën kolegëve që shkruajnë shqyrtime në gazeta – është njeriu i cili, për një ndjeshmëri të hollë dhe të qëndrueshme lidhet gjerësisht dhe me lexime të vazhdueshme e të shumëllojshme. Leximi i gjerë nuk ka të njëjtën vlerë me një lloj pankarte, një grumbullim diturish ose siç kuptohet nganjëherë nga termi “një mendje e mirë e sistemuar”. Ai është i vlefshëm, sepse në sajë të tij, në procesin e të qenit i tërhequr plotësisht nga njëri personalitet i fuqishëm pas një tjetri, ne pushojmë së qeni të sunduar nga kush ose nga një numër i vogël.

Pamjet shumë të ndryshme të jetës, duke bashkëjetuar në mendjet tona, ndikojnë në njëra- tjetrën dhe personaliteti ynë deklarohet dhe i jep gjithësecilit një vend, sipas disa marrëveshjeve të veçanta tonat.

Thjesht, nuk është e vërtetë që veprat e letërsisë, proza apo poezia, pra, veprat që përshkruajnë veprimet, mendimet dhe pasionet e qenieve imagjinare njerëzore, zgjerojnë drejtpërdrejtë dijen e jetës sonë. Dituria e drejtpërdrejtë e jetës sonë, është dituri e drejtpërdrejtë në lidhje me vetet tona; ajo është dituria jonë se si sillen njerëzit në përgjithësi, për atë se si në përgjithësi ngjajnë; për sa i përket pjesës së jetës në të cilën ne vetë jemi pjesëmarrës, ajo na jep një material për përgjithësim. Dituria e jetës e fituar përmes krijimit është e mundur vetëm nga stade të tjera vetëndërgjegjësimi. Domethënë, ajo mund të jetë një dituri e diturisë së jetës së njerëzve të tjerë, jo e jetës vetë. Nga mënyra se i jemi dhënë ndodhive në ndonjë novelë, në të njëjtën mënyrë në të cilën kemi diskutuar me atë që ndodh para syve tanë, po fitojmë po aq gënjeshtra sa edhe të vërteta. Por kur jemi aq të përparuar sa për të thënë “kjo është pikëpamja e jetës së një njeriu, i cili ishte një vëzhgues i mirë brenda kufijve të tij, si Dikensi, Thekeri, Xhorxh Elioti ose Balzaku; por ai e pa atë në një mënyrë të ndryshme nga unë, sepse qe njeri krejt tjetër; madje zgjodhi gjëra të ndryshme për të parë ose të njëjtat gjëra, por sipas një radhe dhe rëndësie tjetër, sepse ishte një njeri i ndryshëm; prandaj, ajo që unë po shoh, është bota e parë ashtu siç duket nga një mendje e veçantë“, vetëm atëherë do të jemi në gjendje për të fituar diçka nga leximi i letërsisë. Ne po mësojmë diçka rreth jetës drejtpërdrejtë nga këta autorë, pikërisht ashtu siç mësojmë diçka nga leximi i drejtpërdrejtë i historisë; por këta autorë vetëm po na ndihmojnë, ndërsa ne mund t’i shohim dhe t’i pranojmë për ndryshimin e tyre nga ne.

Ajo çfarë fitojmë ditë për ditë, kur rritemi dhe lexojmë gjithnjë e më tepër, lexojmë shumë autorë të ndryshëm, është llojshmëria e pamjeve të jetës. Por ajo që njerëzit përgjithësisht pranojnë – unë dyshoj – është se ne e fitojmë këtë përvojë prej pikëpamjeve të jetës së njerëzve të tjerë vetëm nëpërmjet “përsosjes së leximit“. Ky, mendohet, është një shpërblim që marrim kur udhëhiqemi prej Shakespeare-it, Dante-s, Goethe-s, Emerson-it dhe Carlyle-t, dhe një duzine shkrimtarësh të tjerë të respektueshëm. Pjesa tjetër e leximeve tona për zbavitje është thjesht vrasje kohe. Por unë jam i prirur të vij në përfundime alarmuese se pikërisht letërsia që lexojmë për “zbavitje” ose “vetëm për kënaqësi“, është ajo që mund të ketë ndër ne ndikimin e dyshuar më të madh dhe më të vogël. Është pikërisht letërsia që lexojmë me pak përpjekje që mund të ketë ndikimin më të lehtë e më të thellë ndër ne. Prandaj edhe ndikimi e novelistëve popullorë dhe i dramave popullore të jetës bashkëkohore kërkon të gjurmohet më nga afër; është kryesisht letërsia bashkëkohore të cilën pjesa më e madhe e njerëzve e lexojnë në këtë pikëpamje “thjesht për kënaqësi” të një pasiviteti të pastër.

Marrëdhënia e asaj çfarë kam thënë me subjektin e lajmëruar për ligjërimin tim duhet të jetë tani pak më e dukshme. Megjithëse mund të lexojmë letërsi vetëm për kënaqësinë, “e zbavitjes” ose “kënaqësinë estetike“, ky lexim kurrë nuk na bën për vete thjesht me një lloj ndjenje të veçantë; ai na bën për vete si tërë qeniet njerëzore; na tërheq në qenësinë tonë morale dhe fetare. Prandaj them se, ndërsa shkrimtarët modernë si individë të shquar kanë mbërritur kuotat më të larta, letërsia bashkëkohore si e tërë po degradon. Madje, në një epokë si tonën edhe ndikimi i shkrimtarëve më të mirë, mund të degradojë për disa lexues; sepse duhet të kujtojmë se ajo që një shkrimtar bën për popullin, nuk është përfundimisht, ajo që ai ka ndër mend, por vetëm ajo çfarë njerëzit janë të zotë të marrin prej tij. Në këtë ndikim populli ushtron një përzgjedhje të pandërgjegjshme. Një shkrimtar si D. H. Lawrence mund të jetë ose i dobishëm ose i dëmshëm. Madje, nuk jam i sigurtë të mos kem patur ndonjë ndikim të tillë të dëmshëm për vete.

Në këtë pikë parandiej një përgjigje nga mendjet liberale, nga gjithë ata që janë të bindur se, nëse çdonjëri thotë atë që mendon dhe bën atë që pëlqen, gjërat deri diku, nga disa shpërblime dhe përshtatje të menjëhershme, do të rregulloheshin në fund. “prano përpjekjen e gjithçkaje“, thonë ata “dhe nëse ka gabime” atëherë “ne do të mësojmë nga përvoja“. Ky argument mund të ketë një farë vlere, nëse ne do të ishim gjithmonë i njëjti brez mbi tokë ose nëse – me sa e dimë nuk jemi ne ky rast – njerëzit mësojnë shumë nga përvoja e të vjetërve. Këto liberalë janë të bindur që vetëm nëpërmjet atij që quhet individualizëm i papërmbajtur, do të shfaqin të vërtetën. Ide, pikëpamje të jetës, ato i mendojmë, çështje të dallueshme nga koka të pavarura dhe, si rrjedhim, i trokitjeve të tyre të dhunshme kundër njëri – tjetrit, me: më i afti mbijeton dhe e vërteta ngrihet triumfuese. Ndokush që nuk pajtohet me këtë pikëpamje duhet të jetë ose mesjetar, që kërkon ta kthejë prapa rrotën e historisë ose një fashist ose mundësisht të dy.

Nëse masa e autorëve bashkëkohorë do të ishin vërtetë individualiste, secili prej tyre një Blakes i frymëzuar, secili me vizionin e tij të veçantë dhe, nëse masa e publikut bashkëkohor do të ishte realisht një masë prej individësh, mund të kishte diçka për të thënë mbi këtë qëndrim. Por kjo as është, as ka qenë dhe as do të jetë kurrë e tillë. Leximi individual sot e gjithmonë nuk është aq individual sa të jetë i aftë të përthithë gjithë “pikëpamjet e jetës” të të gjithë autorëve të shtypur nga botuesit, reklamat, dhe revistat dhe të jetë aq i aftë dhe i mençur sa t’i konsiderojë e t’i dallojë njërin kundrejt tjetrit. Kjo vjen ngaqë autorët bashkëkohorë nuk janë më aq individualistë. Por jo se bota e individëve të veçantë të demokratit liberal është e padëshirueshme, por thjesht, sepse kjo botë nuk ekziston. Sepse lexuesi i letërsisë bashkëkohore nuk është më si lexuesi i letërsisë së madhe të kurorëzuar të gjithë kohës. Duke u përballur ndaj ndikimeve të personaliteteve të veçantë e kontradiktorë, ai po ekspozohet lëvizjes masive të shkrimtarëve, gjithsecili prej të cilëve mendojnë se kanë diçka të veçantë për të ofruar, por që në të vërtetë janë të gjithë duke punuar së bashku në të njëjtin drejtim. Nuk ka patur ndonjë kohë kur publiku lexues të ishte kaq i madh ose kaq pashpresshmërisht i ekspozuar ndaj ndikimeve të kohës sonë. As nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë kohë -besoj – kur edhe ata që nuk lexonin aspak, lexojnë kaq shumë libra, më tepër nga autorët e gjallë se të vdekurit; nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë kohë, kaq shumë mendjengushtë dhe kaq e shkëputur nga e kaluara. Mund të ketë vërtetë shumë botues; me të vërtetë shumë libra të botuar dhe gazeta që përherë e nxisin lexuesin t’i “përmbahet” asaj që është botuar më parë. Demokracia individualiste ka vërshuar: dhe është më e vështirë sot të jesh një individ, se ç’ka qenë përpara.

Në vetvete, letërsia moderne ka vërtetë dallime të sakta të së mirës dhe të keqes, më të mirën dhe më të keqen: prandaj nuk dua të krijoj përshtypjen se ngatërroj z. Bernard Show me z. Noel Coward, zj. Virxhinia Woolf me zonjushën Mannin. Nga ana tjetër, do të më pëlqente të sqaroja se këtu nuk po mbroj një letërsi intelektuale kundrejt një letërsie pa kulturë. Ajo që dua të pohoj është se gjithë letërsia moderne është korruptuar nga ajo që unë e quaj Laicizëm, që do të thotë të jesh thjesht i pavetëdijshëm, thjesht nuk mund të kuptosh ç’do të thotë, përparësi e të mbinatyrshmes kundrejt jetës natyrore: të diçkaje e cila pohoj se është shqetësimi ynë parësor.

Nuk dëshiroj këtu të kem lënë përshtypjen sikur kjo është një ankim i vrazhdë kundrejt letërsisë bashkëkohore. Duke marrë përsipër një qëndrim të zakonshëm kundrejt jush, ose kundrejt disave prej jush, çështja nuk është edhe aq se çfarë duhet bërë, aq sa se si do të sillemi përballë saj?

Kam sugjeruar se qëndrimi liberal në lidhje me letërsinë nuk do të ishte i vlefshëm. Edhe sikur shkrimtarët që përpiqen të na imponojnë “pikëpamjen e tyre të jetës” të ishin individë me të vërtetë të veçantë, edhe sikur ne si lexues të ishim individë të veçantë, cili do të ishte rezultati? Sigurisht që çdo lexues gjatë leximit të tij do të impresionohej thjesht nga ajo që fillimisht është përgatitur t’i lërë mbresë; ai do të ndiqte “vijën e rezistencës më të pakët” dhe nuk do të kishte ndonjë siguri që kjo do ta bënte një njeri më i mirë. Për kritikën letrare ne kemi nevojë të jemi plotësisht të vetëdijshëm për dy gjëra njëherësh: “çfarë pëlqejmë” dhe “çfarë duhet të pëlqejmë“. Pak njerëz janë aq të ndershëm sa të dinë këtë. E para nënkupton të njohim atë që vërtetë ndjejmë; shumë pak e dinë këtë. E dyta përfshin dijen mbi mangësitë tona; sepse ne nuk e dimë më të vërtetë atë që pëlqejmë, nëse nuk e dimë po ashtu pse duhet ta pëlqejmë; e cila përfshin dijen se pse ende nuk e pëlqejmë. Nuk është e mjaftueshme të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë nëse nuk dimë çfarë jemi; dhe ne nuk e dimë çfarë jemi, nëse nuk e dimë çfarë duhet të jemi. Dy format e vetëndërgjegjes, që dinë çfarë jemi dhe çfarë duhet të jemi, duhet të shkojnë së bashku.

Është detyra jonë si lexues të letërsisë të dimë atë që pëlqejmë. Është detyra jonë si kristianë po aq sa si lexues të letërsisë, të dimë atë që duhet të pëlqejmë. Është detyra jonë si njerëz të ndershëm të mos marrim përsipër se ajo që ne pëlqejmë është ajo që duhet të pëlqejmë; dhe është detyra jonë si kristianë të ndershëm, të mos marrim përsipër që ne pëlqejmë atë që duhet të pëlqejmë. E fundit gjë që unë do të dëshiroja të ishte është ekzistenca e dy letërsive; njëra për konsumin kristian dhe tjetra për botën pagane. Ajo që unë besoj se është detyrim mbi të gjithë kristianët është detyra e mbajtjes në mënyrë të ndërgjegjshme të disa standarteve dhe kritereve të kritikës, sipër dhe poshtë atyre që drejtohen nga pjesa tjetër e botës; dhe që nga këto kritere dhe standarte çdo gjë që ne lexojmë duhet të testohet. Ne duhet të kuptojmë që pjesa më e madhe e çështjeve të sotme të lexuara është shkruar për ne nga njerëz që nuk kanë ndonjë besim të vërtetë në urdhrin e mbinatyrshëm, megjithëse disa prej tyre mund të jenë shkruar nga njerëz me nocione individuale të urdhrit të mbinatyrshëm, të cilat nuk janë tonat. Pjesa më e madhe e çështjeve që lexojmë është shkruar nga njerëz që jo vetëm nuk kanë një besim të tillë, por edhe janë të paditur ndaj faktit që ende ka njerëz në botë kaq “të prapambetur” dhe kaq “të çuditshëm” që vazhdojnë të besojnë. Për aq kohë sa jemi të vetëdijshëm për hendekun që ekziston midis nesh dhe pjesës më të madhe të letërsisë bashkëkohore, ne jemi më tepër ose më pak të mbrojtur nga dëmtimi prej saj dhe në një pozicion për të marrë prej saj ato të mira që na ofron.

Shumë njerëz sot në botë besojnë se të gjitha sëmundjet kanë natyrë ekonomike. Disa besojnë se ndryshimet specifike ekonomike të llojllojshme do të ishin të mjaftueshme për të vendosur të mbarën e botës; të tjerët kërkojnë më shumë ose më pak ndryshime drastike në shoqëri, ndryshime kryesisht në dy drejtime të kundërta. Këto ndryshime të kërkuara dhe në disa vende të mbartura, janë të ngjashme në një pikëpamje, që ato ngrejnë supozimin e asaj që unë e quaj Laicizëm; ato përmbajnë në vetvete vetëm ndryshime të njëkohshme, materiale dhe të natyrës së jashtme; ato përmbledhin në vetvete moralin e një natyre kolektive. Në një përshkrim të një besimi të tillë të ri lexoj fjalët e mëposhtme:

Në moralin tonë, testi i vetëm i çdo çështjeje morale është sidoqoftë, ai që pengon ose shkatërron në një farë mënyre fuqinë e individit, për t’i shërbyer shtetit. (Individi) duhet t’i përgjigjet pyetjeve: “Ky veprim a e dëmton kombin? A i dëmton anëtarët e tjerë të kombit? A e dëmton aftësinë time për t’i shërbyer kombit? Dhe, nëse përgjigja është e qartë në të gjithë këto pyetje, individi ka liri absolute për të bërë siç dëshiron“.

Tani unë nuk e mohoj që ky është një lloj morali dhe që është në gjendje të bëjë të mira të mëdha brenda kufijve të tij; por mendoj se të gjithë do ta mohonim një moral të tillë që nuk ka ideale më të larta për të na ofruar. Ky, natyrisht, përfaqëson një nga kundërpërgjigjet e dhunshme që po përjetojmë, kundrejt pikëpamjes që komuniteti është vetëm për përmirësimin e individit; por në të njëjtën kohë ky është një ungjill në këtë botë dhe vetëm prej kësaj bote. Pakënaqësia ime kundrejt letërsisë moderne është e të njëjtit lloj. Jo se letërsia moderne është në sensin e zakonshëm “imorale” ose edhe “amorale“; dhe në çdo rast të parapëlqesh atë ngarkesë nuk do të ishte e mjaftueshme. Ajo vetëm se mohon ose është tërësisht e pa ditur ndaj besimeve tona më themelore dhe më të rëndësishme; dhe që në vazhdimësi prirja e saj është t’u japë zemër lexuesve të saj për të marrë atë që munden nga jeta, ndërsa ajo përfundon; për të mos munguar “përvoja” që ajo përfaqëson dhe për t’u sakrifikuar, nëse bëjmë një gjë të tillë, vetëm për hir të të mirave të prekshme të të tjerëve në këtë botë ose tani ose në të ardhmen. Natyrisht, ne do të vazhdojmë të lexojmë më të mirën nga ajo që përgatit koha jonë, por ne duhet ta kritikojmë atë në mënyrë të palodhshme, sipas parimeve tona dhe jo thjesht sipas parimeve të shtuara nga shkrimtarët dhe nga kritikët që e diskutojnë atë në shtypin publik.

Shënim: Kjo ese është paraqitur në simpoziumin “Faith that Iluminate” 1935

Përktheu nga anglishtja: Brikena Smajli

Shpërndaje

Comments are closed.

« »