Çfarë kërkoj kur ndodhem para Jezusit?

Jan 21 • Meditimi i ditës

21 janar 2016 – E enjte, Shën Anjeza, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 1 Sam 18, 6-9; 19, 1-7; Ps 55; Mk 3, 7-12)

 

Prania e Hyjit

 

E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, miq, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehur.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

 

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them “faleminderit”.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çka po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 3, 7-12

 

7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.

9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte. 10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 11E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ashtu siç rritej popullariteti i Jezusit ashtu i vijnë njerëzit nga të gjitha anët dhe largësitë. Çfarë kërkojnë ata?

– Çfarë kërkoj unë kur ndodhem para Jezusit?

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban të gjitha ato që dëshiroj të them.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »