Festa e Sh’Masjanit në Peshter dhe Kravaseri

Jan 22 • Kisha në Kosovë

Janë dy famulli të Kosovës, që për pajtor e kanë martirin dhe shenjtin e njohur të krishterimit të hershëm, Shën Sebastianin i a.q. nga shqiptarët Sh’Masjani, që festohet me datën 20 janar: famullia e Peshterit në zonën e komunës së Lipjanit dhe famullia e Kravaserisë në territorin e komunës së Malishevës.

Sh’Masjani është shumi i njohur tek populli shqiptar, çka tregon një prani të hershme të krishterimit në trojet tona dhe një devotshmëri me traditë për shenjtërit martirë dhe dëshmitarë të fesë së krishterë.

Mesha për Sh’Masjan në Peshter u kremtua nga Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me famullitarin Don Kastriot Idrizi, dhe disa meshtarë tjerë të dekanatit të Prishtinës, me pjesëmarrje të besimtarëve të famullisë dhe të devotshmit nga bashkësi tjera famullitare. Edhe komuniteti kroat nga Famullia e Janjevës pati meshën në gjuhën kroate, por edhe të tjerë besimtarë janjevas nga Kroacia kishin ardhur për të marrë pjesë, madje edhe për triditshin përgatitor që i parapriu festës. Mund te lexohej gëzimi i njerëzve në fytyrat e tyre, që as temperaturat të ulëta nuk e ndali pjesëmarrjen e tyre aq numerike.

Përveç besimtareve te lartpërmendur, të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Lipjanit me bashkëpuntorë dhe ushtarë ndërkombëtarë nga kontingjenti italian dhe ai kroat. Ipeshkvi, në pretkun e tij, foli për rëndësinë e dëshmisë së krishterë në botën e sotme, që duhet të jetë e përcjellur me vlera e virtyte ungjillore, sepse pa ato nuk është e mundur që një i krishterë të arrijë të dëshmoj fenë e vetë. Në këtë vit të mëshirës, që na e ka dhuruar papa Françesku – vazhdoj Imzot Doda –  do të jetë shumë i rëndësishëm për ne shqiptaret që do të na nxitë për një pajtim, dialog dhe harmoni në familjes tona, por edhe në popullin tonë, sepse gjatë këtij viti do të bëhet shenjtërimi i të Lumes Nënë Terezës.

Edhe Kisha në Kravaseri pati festën e pajtorit të saj me meshën në ora 11:00, e cila u pri nga Don Lush Gjergji, vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, bashkë më meshtar të tjerë. Në mesh morën pjesë edhe shumë besimtar nga famulli të rrafshit të Dugagjinit dhe Lugu i Drinit. Mesazhi themelor që Don Lush Gjergji e dha në këtë mesh kushtuar Sh’Masjanit, ishte që edhe ne të frymëzuar nga jeta e këtij martiri të jetojmë me besim të plotë dhe të dëshmojmë atë për çfarë besojmë, me vepra ashtu siç ishte në gjendje edhe martiri – pajtor i kësaj famullie – ta flijojë jetën e vet për Zotin.

Shën Sebastjani ka lind në Milano të Italisë dhe si i ri, kur dëgjoj për përndjekjet që i bënte Diokleciani të krishterëve, vendosi të shkojë në Romë dhe aty arriti të bëhet pjesë e ushtrisë perandorake. Qëllimi i tij nuk ishte të bënte karrierë, por të ju ndihmoj të krishterëve disa prej të cilëve ishin nëpër burgje si dhe dëshmitarëve të Krishtit ashtu siç ishte edhe ai vet. Kur Diokleciani e mori vesh këtë gjë e dënoi me vdekje. Kjo ishte një pjesë e historisë për jetën dhe veprën e një martiri, që u kujtua nga Don Lush Gjergji gjatë predikimit, për të na dhanë shkak meditimi dhe veprimi për të qenë dëshmitarë të fesë dhe mbështetës të vëllezërve që kanë nevojë për ndihmën tonë

Pas meshe famullitari i kësaj famullie Don Marjan Ukaj, organizojë një koktej rasti dhe drekë të përbashkët ku ishin të ftuar kryetari i komunës së Malisheves Ragip Begaj, komantanti i policisë se Malisheves, Mulla Xhevat Kryeziu si dhe besimtarë të tjerë që ishin pjesë e meshës së shenjtë.

Për Dritën: Pashuk Deda dhe Alban Sopi

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »